Albspirit

Media/News/Publishing

Argëzon Sulejmani: PA NUMËR


(Në tavolinën e mërgatës)

Ikëm nga zeroja, te zerot shkuam
Nga e para lugë, pirunj e thika
Dhe pyesnim njëri-tjetrin se çfarë duam
Kur nata binte e fanepsej frika.

Ç’zero atje që kishim lënë gjithçka
Ç’zero këtu në këtë gjithçkanajë:
Kush gjithësinë tonë na e kish vrarë,
Pse lirinë tonë e mbruanim me vaj!?

Dhe shtuam ca zero si dhjam i keq
Malli seç u hap për kockat e dheun
Ditët drejt zeros i numëronte një dreq
Me zero frymë prekëm sërishmi kreun.

E hapërdaheshin zerot qiellit si avionë
Dhe shpoheshin si flluska të kohës së parë
Tanimë për numrat ishte tepër vonë
Ishim veç një shifër për kërcelli varë.

Prishtinë, verë, 2024.