Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: KËNGË PËR KOMISARIN PANO XHIXHO
Në takim me profesorin Naxhi Ksaoruho nga Gjirokastër, bisedat tona ndaleshin shpesh te këngët kushtuar dëshmorëve të Atdheut dhe figurave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në një nga ato takime, ai më tha me keqardhje:
– Ka ekzistuar një këngë për komisarin Pano Xhixho, e kënduar në vitin 1972, e cila kishte fituar çmimin e parë në një Festivalin të organizuar në Gjirokastrës. Kam kërkuar gjatë për ta gjetur, por deri më sot nuk kam mundur…
Fjalët e tij zgjuan menjëherë kureshtjen dhe interesin tim. Këngët e asaj kohe nuk ishin thjesht krijime artistike; ato mbartnin kujtesën historike, emocionin e një brezi dhe nderimin për ata që dhanë jetën për lirinë e vendit. Shumë prej tyre kanë mbetur në kujtesën e popullit, ndërsa të tjera, fatkeqësisht, janë humbur në vite.
– Ma sill tekstin e këngës, – i thashë.
Dhe, një ditë maji, profesor Naxhi Ksaoruho ma solli tekstin e plotë të këngës. Ishte një moment i veçantë, sikur një copëz historie të rikthehej përsëri në dritë pas shumë vitesh heshtjeje.
Po e publikoj këtë tekst me shpresën se dikush mund të ketë ruajtur regjistrimin muzikor, apo të dijë diçka më shumë për “Këngë për komisarin Pano Xhixho”, një krijim që dikur u vlerësua me çmimin e parë në Festivalin e Gjirokastrës dhe që meriton të mos mbetet në harresë.
Kënga
Ç‘më sjell ndër mend sot
Kjo iso e dhimbshme
Gjith’ shokët e rënë
Kohën e lavdishme.
Mbi borën e bardhë
Bien pika gjaku
Kthehen në petale
Do ta marrim hakun.
Refreni
Lule në këngë ke sjellë
Ngjyron në piano
Ngrihet për luftën na flet
Komisari Pano.
E rreptë ish lufta
E bukur jeta
Lirinë si bukën donim ne
Lirinë donim ne
Të rriti Suha ti
Me këngë trimërie
Por ti në këmbë plumbin
E pret dhe s’bie.
Refreni
Lule në këngë ke sjellë
Ngjyron në piano
Ngrihet për luftën na flet
Komisari Pano.
Teksti: Petrit Llano
Muzika: Naxhi Ksaoruho
Gjirokastër korrik 1972
Fituese e çmimit të parë në festivalin në Gjirokastër/