Albspirit

Media/News/Publishing

Ernest Koliqi: Vetëdije historike

Jemi rritun ndër shkolla t’Europës me parime të nji nacjonalizmi përtrîs, i cili, për ne — popull i vogël e porsa i zgjuem nga nji letargji shekujsh, — nuk mund të kishte tjetër vështrim veçse ate të nji mprojeje të drejtave tona kombtare. Mirë po, u çuen e na thanë se jemi të mbrapambetun e prapanikë sepse ritmi i stuhishëm i rrjedhjes së ngjarjeve, i kish kapërcye ato parime dhe i kish zevêndsue me do tjera të cilat po na synojshin, kinse, themelimin e nji bashkëjetese të harmonishme ndërkombtare.

Ka gjasênd mâ të bukur se vllazními i popujve të botës? Na i miratuem me dalldí parimet e reja. Edhe pám, ofshé!, fuqina e shtete, të mëdhaja e të vogla (ato i zaftë afsha e jonë!) tue e shtrîmun hijen e flàmujve të vet në dhéna të hueja, ku të parët e tyne as nuk mbollën as nuk korrën. Ne shqiptarve, n’emën të parimeve mâ të bukura qi ledhatojnë veshët e njeriut, na fikën votrat e na rrëmbyen atdhén e lirín dhe ato pak të mira teprue nga nji zgjedhë shekullore së cilës mjerimet e sotshëme janë tue i a prarue kujtimin.

Conscience historique… Tashti e kuptuem si ecë cicmici në shekull, si n’ate t’ashtuquejtun botë të qytetnueme si edhe në tjetrën: lum i forti e mjer’ i ligu! Kush e mposhtë kundërshtarin, fiton daván: del faqebardhë, cilatdo që të kenë qênë qëllimet e përleshjes dhe mjetet e përdoruna për të dalun ngadhënjyes. Forca e fitorja i japin të drejtë mundësit m’u paraqitë fisnik e zêmërbardhë, mêndje-ndritun e largpás, i drejtë e i ndershëm e, për mâ tepër, me shkrue edhe historín tue pleqnue mbi rrjedhim të ngjarjeve si i a don trilli e i a lypë dobija vetiake. Lavdi, pra, fituesavet! Por…

Jemi të shtrënguem t’u thomi shqiptarve, kushdo qofshin e çfardo parimesh t’ushqejnë, se asnji prej tyne s’ka dalun fitues — si shqiptar — nga Lufta e Dytë Botnore, pasojat e së cilës rrênuen punën e patriotëve të Rilindjes. Jemi të gjithë të mundun. Kushdo qi mêndon ndryshe, gënjen veten. Të mundun, jo të rroposun.

I mësuem me anmiqsí të fatit e me padrejtësí të zotnuesëve të botës, shqiptari nuk ligshtohet por vazhdon të përpiqet me kërkue hisen e lumnís qi i përket, në truell trashëgue prej stërgjyshëve dhe në lirí qi pagoi dhjetëfish me pësime të gjithënduerta e derdhje gjaku.

Për t’i dalun në skâj qëllimit na duhet, veçse, të shkundim nga veti at peshë ndîesísh negative, qi janë individualizmi i tepruem për mos me thânë egoçentrizmi, mënija e resa e paarsyeshme qi s’e lânë shqiptarin të shofi pjesën e dobishme për kolektivitet e për veti në veprimtarí pozitive të nji shoku o të nji grupi që ai s’don ose ku ai s’merr pjesë, prirja m’u ngujue në nji qëndrim përbuzës kur shef se tjetër kush punon mâ shum dhe mâ mirë për çâshtje. Në lâmíjet e ndryshme të veprimtarís për lulzim të shqiptarízmit, ka vênd për të gjithë. Punë ka shum, puntorët janë pak. Ai qi dron se i akëcili njeri (filani), tue punue po n’at lâmë ku edhe vetë derdh djersën e vet, po i a pret shtegun të korri frytin e mundit të bâmë, dëshmon se sŷnin e mêndjes nji smirë e pathemeltë i a verbon.

Shpesh kjo ndodhë mjerisht edhe në njerz shum të shquet dhe vërtè të kulturuem. Atëbotë, qe, se çâshtja e ndërtimit të nji Shqipníje të vërtetë humb nji puntor të vlefshëm.

Mjerimet, fatkeqsisht dhe pabesíja e botës na e kanë hollue e sqarue tashmâ vetëdijen historike. Kurrnji dritë nuk shofim në horizont ndërkombtar. Miqsija e të huejve nuk na joshë mâ me xixillim shpresash kallpe. Predikimet kumbuese e parafoljet e ideologve na hyjnë në nji vesh e na dalin nga tjetri. Jemi fillikat vetëm, para nji problemi vigânor. Me akull të mêndjes, pa mashtrime romantike, lypet të shikojmë realitetin. Babelja shqiptare ka për suazë Babelen botnore. Ngjarje të paprituna munden me na dâmtue edhe mâ tepër, por munden edhe me na çelë nji shteg shpëtimi. Duhet të rrijmë gati me përfitue nga kthesat e historís.

Shka mund të bâjmë për mos me na ikë rasat e volitëshme? Shka kemi në dorë na si shqiptarë?

Të dhânat e ndryshme le t’i mbledhim, t’i rrjeshtojmë para vetes dhe të përpiqemi bashkarisht t’i shqyrtojmë për ta vû problemin shqiptar n’udhë të zgjidhjes. E vetëdija e jonë të jetë në pajtim me çasat qi janë tue rrahun në kuadrant të historís.

Shêjzat, 1961.