Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Z. Zholi: Dashuri e pamundur


Tregim


Albana ishte vajza e vetme e deputetit Artur K… Një vajzë e bukur, e zgjuar dhe ambicioze, 23 vjeçe, studente në vitin e fundit të Mjekësisë. Prindërit krenoheshin me të dhe e shihnin si një të ardhme të sigurt në botën akademike. Në shtëpinë e tyre punonte prej vitesh Edmondi, shoferi personal i Arturit. Edmondi ishte 29 vjeç, i gjatë, i pashëm, i sjellshëm dhe tepër korrekt. Arturi kishte besim të plotë tek ai. Edmondi e shoqëronte shpesh Albanën në universitet, në bibliotekë apo në ngjarje të ndryshme. Në fillim marrëdhënia e tyre ishte thjesht miqësore.
– Faleminderit, Edmond, – i thoshte Albana sa herë që ai e priste me durim pas orëve të gjata të mësimit.
– Për këtë jam këtu, zonjushë, – përgjigjej ai me buzëqeshje. Por ditët kalonin dhe bisedat bëheshin gjithnjë e më të gjata. Flisnin për libra, filma, ëndrra dhe planet për të ardhmen. Albana zbuloi se Edmondi ishte shumë më i kulturuar nga sa mendonin njerëzit. Ai kishte lexuar shumë, kishte humor dhe një zgjuarsi natyrale që e bënte të veçantë. Pa e kuptuar, të dy filluan të mos rrinin dot pa njëri-tjetrin. Një mbrëmje Albana vendosi t’ia tregonte nënës.
– Mami, jam e dashuruar.

Vezikua buzëqeshi.
– Më në fund! Kush është djali?
– Edmondi.

Buzëqeshja iu ngrinë në fytyrë.
– Cili Edmond?
– Shoferi.
– Si? Shoferi?!
– Po.
– Albana, mos bëj shaka!
– Nuk po bëj shaka.

Vezikua u nervozua.
– Ti studion Mjekësi. Ke një të ardhme të madhe. Si mund të mendosh për një shofer?

Albana e pa drejt në sy.
– Edhe ai njeri është, mami.
– Nuk është kjo çështja.
– Atëherë cila është?
– Nuk është niveli yt.
– Përkundrazi. Është më i mirë se shumë djem që njoh në universitet. Ka karakter, humor, zemër dhe dinjitet. Shkolla nuk është gjithçka. Ka njerëz me diploma që sillen si maskarenj.

Vezikua nuk foli më. Pak ditë më vonë, duke u kthyer nga pazari, pa diçka që e tronditi. Në makinën e parkuar pranë parkut, Albana dhe Edmondi po putheshin. Qeset i ranë nga duart. Atë natë ia tregoi gjithçka bashkëshortit.
– Nuk e besoj! – tha Arturi. Por vendosi ta pyeste vetë vajzën. Në darkë mbretëronte heshtja.
– Albana, dua të di të vërtetën.
– Cilën të vërtetë?
– A je e lidhur me Edmondin?
– Po!
Arturi u zbeh.
– Ai është shoferi im!
– E di.
– Nuk mund ta besoj. Kam ëndërruar që të bësh dy universitete dhe ti merresh me dashuri me një shofer?
– Po shoferët nuk kanë zemër, baba?
– Nuk thashë këtë.
– Nuk krijojnë familje? Nuk dashurojnë?
Arturi heshti.
– Mendon se jam vajza e parë në Shqipëri që dashurohet me një djalë pa diplomë universitare? Ka mijëra vajza të shkolluara që janë martuar me burra të ndershëm, pavarësisht profesionit.
– Ne jemi ndryshe.
– Jo, baba. Dashuria nuk pyet për poste, diploma apo status. Prandaj quhet dashuri.

Fjalët e saj nuk e bindën. Të nesërmen Arturi e pushoi Edmondin nga puna. Mendoi se gjithçka do të merrte fund. Por ndodhi e kundërta. Pas disa javësh, Albana dhe Edmondi u larguan së bashku. Morën një apartament me qira dhe nisën jetën e tyre. Nuk kishin shumë para, por kishin njëri-tjetrin.
Muajt kaluan. Kur Albana mbeti shtatzënë, zemërimi i prindërve filloi të zbutet. Lajmi i nipit që po vinte në jetë ishte më i fortë se krenaria. Një pasdite, Vezikua trokiti në derën e tyre. Albana e hapi dhe mbeti pa fjalë. Nëna e përqafoi fort. Pas saj qëndronte edhe Arturi. Ai iu afrua Edmondit dhe, pas një heshtjeje të gjatë, i zgjati dorën.
– Kujdesu për vajzën time. Edmondi ia shtrëngoi dorën.
– Gjithmonë.

Në atë çast Arturi kuptoi se kishte humbur një shofer, por kishte fituar një djalë. Dhe se dashuria, ashtu siç i kishte thënë Albana, nuk njeh poste, diploma apo kufij.