Albspirit

Media/News/Publishing

“NËNA”, NGJYRA BAZË MBI TË CILËN NDËRTOHEN “NGJYRAT E JETËS”

Feti Zeneli

-Rreth librit poetik “Ngjyrat e jetës” të Erjol Mezinit-

Në botën e artit dhe të filozofisë, ngjyrat nuk janë vetëm dukuri fizike, por mbi të gjitha bartëse kuptimesh, emocionesh dhe vlerash. Ashtu si në pikturë, ku nga disa ngjyra bazë lind i gjithë spektri kromatik, edhe në letërsi shpesh ekziston një “ngjyrë themelore”, një bosht shpirtëror prej nga burojnë të gjitha ndjenjat, përjetimet dhe mesazhet e autorit. Pikërisht mbi këtë koncept duket se është ndërtuar libri poetik “Ngjyrat e jetës” i Erjol Mezinit. Nuk është rastësi që përmbledhja hapet me poezinë “Nëna”. Kjo poezi nuk shërben vetëm si hyrje e librit, por përfaqëson ngjyrën bazë mbi të cilën autori ndërton të gjithë universin e tij poetik.

Nëse filozofia klasike e konsideronte të bardhën si burimin e të gjitha ngjyrave, ndërsa psikologjia moderne e sheh dritën si burimin e perceptimit të tyre, për Erjol Mezinin burimi i gjithë dritës shpirtërore është nëna. Ajo nuk është vetëm personazh lirik, por shndërrohet në simbol të dashurisë së pakushtëzuar, të faljes, të shërimit dhe të krijimit të jetës. Që në vargjet e para poeti vendos përballë dy botë: fajin e birit dhe pafundësinë e faljes së nënës.

“Nëna ime dashur,
e di që zemrën ta lëndova…”

Kjo hyrje është një rrëfim i sinqertë shpirtëror. Nuk kemi të bëjmë me një përshkrim sentimental të figurës së nënës, por me një dialog të ndërgjegjes njerëzore me burimin e saj moral. Pendesa nuk paraqitet si dobësi, por si hapi i parë drejt pastrimit të shpirtit.

Figura e nënës në këtë poezi fiton përmasa pothuajse hyjnore. Dora e saj nuk prek vetëm fizikisht; ajo shëron plagët, qetëson stuhitë e brendshme dhe rikthen harmoninë e humbur. Metaforat që përdor autori ndërtojnë një atmosferë të dritshme e të ngrohtë: “ajri i pastër hyn Brenda”, “dhomat fillojnë të marrin frymë”, “një rreze dielli hyri” e kështu me radhë. Të gjitha këto janë simbole të rilindjes shpirtërore. Zemra nuk shërohet nga koha, por nga dashuria e nënës.

Kulmi emocional arrihet në strofën përmbyllëse, ku poeti e ngre figurën e nënës në nivelin e fillesës së vetë ekzistencës njerëzore:

“Aty ku lindi jeta,
aty është dhe nëna…”

Në këto vargje shfaqet një filozofi e tërë mbi jetën. Nëna nuk është vetëm ajo që lind biologjikisht fëmijën; ajo është burimi i dashurisë, i besimit, i energjisë dhe i vetë njerëzores. Prandaj nuk është e rastësishme që poeti i rikthehet kësaj figure edhe në poezinë “Dashuri e Përjetshme”, ku shkruan: “Ah moj nëna ime, këtë fjalë e thërret gjithë qenia ime…”. Kjo dëshmon se figura e saj nuk është episodike, por përbën boshtin ideor të gjithë vëllimit poetik.

Nga kjo “ngjyrë bazë” burojnë më pas të gjitha “ngjyrat” e tjera të jetës. Poezia “Miqësia” e krahason mikun me verën që të deh, një metaforë që shpreh gëzimin, afërsinë dhe fuqinë që ka një marrëdhënie e sinqertë njerëzore. Në këtë mënyrë, miqësia nuk paraqitet si një lidhje formale, por si një forcë që ngroh shpirtin dhe i jep kuptim jetës.

Në poezinë “Vajza”, autori merr rolin e këshilltarit moral. Ai i kujton vajzës se jo çdo dorë që zgjatet është e sinqertë dhe se jo çdo buzëqeshje fsheh qëllime të mira. Kjo poezi shpalos shqetësimin e poetit për ruajtjen e pastërtisë morale në një botë ku shpesh maska zë vendin e fytyrës së vërtetë.

Një vend të veçantë zë edhe figura e gruas. Në poezinë “Gruaja”, ai shkruan:

“Moj ujvarë e bukur, o ujë i kulluar…”

Kjo metaforë e bukur e lidh gruan me pastërtinë, rrjedhën e jetës dhe freskinë shpirtërore. Gruaja shihet si burim harmonie dhe bukurie. Në kontrast me këtë qëndron poezia “Gruaja e djallëzuar”, ku autori tregon se bukuria e jashtme humbet vlerën kur mungojnë virtytet morale. Kështu krijohet një ekuilibër mes idealit dhe realitetit njerëzor.

Përmbledhja poetike mbart edhe një dimension të fortë etik. Poezitë “Shiko pozitiven”, “Egoizëm i tepëruar”, “Plagët”, “Pendesa”, “Një shpresë për botën” apo “Ndriço shtegun tim” nuk janë vetëm poezi lirike; ato janë reflektime mbi jetën dhe natyrën njerëzore. Autori përpiqet të zgjojë ndërgjegjen e lexuesit, duke e ftuar të luftojë veset dhe të kultivojë virtytet.

Veçanërisht domethënëse është poezia “Pendesa”, ku kjo ndjenjë krahasohet me dallëndyshen që rikthehet çdo pranverë. Është një metaforë plot optimizëm, sepse nënkupton se njeriu gjithmonë ka mundësi të rikthehet te e mira, pavarësisht gabimeve të së kaluarës. Po kështu, “Kështjella” simbolizon vendin e fundit të sigurisë shpirtërore, “të vetmen shpresë” që autori pohon se ka. Kjo kështjellë nuk është ndërtim prej guri, por fortesa morale që njeriu duhet të ndërtojë brenda vetes.

Në tërësi, “Ngjyrat e jetës” përbën një mozaik emocionesh, këshillash dhe meditimesh, ku çdo poezi është si një ngjyrë më vete, por të gjitha së bashku formojnë një tablo të vetme. Ashtu si në spektrin e dritës çdo ngjyrë ruan identitetin e saj duke qenë pjesë e së njëjtës dritë, edhe poezitë e këtij libri ruajnë individualitetin e tyre, ndërsa lidhen nga një bosht i përbashkët: dashuria për njeriun dhe besimi tek vlerat morale.

Në qendër të këtij universi poetik qëndron nëna, ngjyra themelore e jetës së autorit. Ajo është drita nga e cila lindin miqësia, dashuria, pendesa, shpresa, besimi dhe dëshira për një botë më të mirë. Pikërisht për këtë arsye, titulli “Ngjyrat e jetës” nuk është vetëm një emërtim poetik, por një metaforë filozofike: jeta është një spektwr i pafund përjetimesh, por të gjitha marrin kuptim vetëm kur burojnë nga ngjyra e parë dhe më e pastër, ajo e dashurisë së nënës. Kështu, Erjol Mezini nuk shkruan thjesht poezi; ai përpiqet të pikturojë me fjalë një botë ku drita morale triumfon mbi errësirën, duke e kthyer poezinë në një udhërrëfyes të shpirtit njerëzor.