Argëzon Sulejmani: PËRMJERRJA KOLEKTIVE
U mbajt panairi i librit “Prishtina 2026” me moton “Libri hap botën” dhe si përfundim i shumicës ishte se frekuentimi, leximi por edhe botimet janë në krizë. Parapëlqehej t’i lihej faji datave që rastisen në fillimverë, motit që mbante me zheg apo turli farë tjetër arsyeje që për njerëzit e librit vijnë thjeshtë si klishe. Përfundimi, nisur nga motoja: Libri tanimë nuk e hap botën. Ose, bota po kalon një lloj neomesjete perçesh me lajlelule që publiku i admiron. Është një e vërtetë e hidhur por vetëm duke e pranuar këtë realitet mund të sinjalizohet rrugëdalja nga ky tunel. Sabatto ka shkruar më së bukuri për tunelet personale por ky për të cilin mëtoj të flas është një tunel kolektiv nga i cili ose dalim të gjithë ose kalbemi po të gjithë. Sigurisht, për gjynah në kësi rastesh do të ishin ata që e kanë një mendje drite, që bartin atë fenerin e Çapriqit dhe që pëshurren nga masa mu mbi atë fitilin e mekët të vajgurit. Të tillë, sigurisht, janë pak dhe në kohën e statistikave, ata, do të jenë thjeshtë pjesë e gabimit statistikor, me një fjalë as mish as peshk, ose, për kontestin, halë në sytë e verbuar, që, për më keq, brenda dramatikes, do të mund të çmoheshin në një kohë tjetër, verbues, mbytës, shkaktarë të fikjes brenda po këtij tuneli.
***
Pas atij manifestimi kombëtar si Panairi i Librit do të kishte qenë e udhës që së paku në skutat e librit të shënoheshin në afishe titujt e përzgjedhur të kësaj ngjarjeje. Jo vetëm kaq, për t’i dhënë rëndësinë dhe shansin e duhur lexuesve, autorëve por dhe botuesve shqiptarë do të kishte qenë mirë që të listohen së paku nga pesë tituj që e shënuan panairin. Në këtë mënyrë lexuesi do të mund të orientohej dhe lista e autorëve tanë të zgjerohej. Këtu kam parasysh sidomos autorët e rinj, të rinj me botime, jo domosdoshmërisht në moshë. Por, realiteti është krejt ndryshe. Titujt shqip gjenden gjithnjë e me shumë vështirësi, kurse shqipërimet kualitative janë gjithnjë e më të pakta. Panairi mbarëkombëtar i një libri do duhej që në qendër të kishte gjuhën e vet sado e vogël dhe “joprofitabile” të jetë ajo. Ideja se mund të gllabërohemi nga internacionalizma anglishte nuk i bën nder as asaj gjuhe dhe as ndonjë gjuhe tjetër letrare. Ajo është një gjuhë oqeanike ku lumenjtë e vegjël treten pavërenë dhe për rrjedhojë aty krijohet një mishmash ujërash të padistiluar që e afekton dhe ujët e mirë.
Jo shumë kohë më parë, në një takim rasti me një mik që bën letërsi në malazezishte dhe, që e bën në mënyrën më serioze dhe afirmative, pat rënë llafi i rëndësisë së përkthimeve. Meqë autori në fjalë veçse ishte përkthyer në disa nga gjuhët më me ndikim sot në botë, e pyeta se sa do kishte interesim që vepra e tij të përkthehej në një gjuhë më të vogël statistikisht siç është shqipja. Përgjigjja e tij, duke e njohur mirë lëminë për të cilën po flisnim, ishte e menjëhershme. Përkthimi në një gjuhë si shqipja, për të, do të ishte më i mirëseardhur se edhe vetë përkthimet në gjuhët me volum të madh folësish. Sepse, te popujt e vegjël, koncentrimi dhe shtjellimi është më evident dhe, gjithnjë sipas tij, sidomos për autorët e rinj, përkthimet në gjuhët më masovike shpesh-herë janë fatale sepse prurjet janë të mëdha dhe një mori veprash nuk arrijnë asnjëherë kondensim dhe shtjellim serioz. U habita, njëherit u gëzova që për gjuhët e popujve të vegjël ende ka shpresë, biles, sipas këtij konstatimi, e ardhmja ju përket pikërisht këtyre gjuhëve. Këtë, mbase është vështirë t’ua shpjegosh librarëve tanë dhe atij pak lexuesi fosil të kësaj bote spektakolare.
***
Dy ditë pas përfundimit të panairit më rastis të kërkoj disa nga librat fitues të çmimeve të kësaj ngjarjeje. Marr t’i kërkoj në libraritë më të mëdha që gjenden pak metra larg vendit ku ishte mbajtur eventi pak ditë më parë. Këtu nisë ironia ose komikja, dikush do të thonte e bukura e të sotmes. Librarët as nuk ia kanë idenë për fituesit e çmimeve kryesore që mund të jenë pesë ose gjashtë. Për më tepër, titujt as nuk gjenden në ndonjë nga libraritë. Në një vend, më thonë se libri është në stok dhe pritet të vijë ditëve në vijim. Në një tjetër qoshe më thonë që libri është në një kuti por nuk ka barkod dhe si i tillë nuk mund të jepet derisa të kalojë procedurat e nevojshme. Njëherë e një kohë pata bërë debat të gjatë për këtë mënyrë kuturisje të librit, tanimë, pjekuria nuk ma lejon diçka të tillë, konformizmi e ka bërë të veten, prandaj tash lexoj më pak, shkruaj edhe më pak e nuk mendoj aspak. E bëjnë të tjerët dhe për mua – ky është postulati i të sotmes.
***
Desha librin fitues të panairit të fundit, të autorit Andreas, i them me një ton miklues librashitëses në një nga libraritë. Është shqiptar, më pyet, me një përçudni senzacionale.
I them, është shkadran, me atë â-në hundore simpatike.
Ndrydh vetullat dhe asocioj se në çfarë mund ta ketë receptuar një emërtim të tillë, ndoshta gjerman, mbase iranian, e si këto me prapashtesën -an.
Për të mos e vazhduar edhe më tej sagën e komikes dhe për ta lënë në një rrafsh të pjerrët ironik ia bëj të ditur se është shqiptar, se vjen nga Shkodra dhe prandaj e quajta asisoj meqë dhe vetë jam pak shkodran. A mund të jeshë pak shkodran, më gërvishë si baski ndërgjegjja, por e yshtë duke i thënë se kjo është temë për tjetër herë.
Marr përgjigjen e parë se libri është në stok dhe pritet të bëjë udhën e shkronjave drejt rafteve për disa ditë. Ndalem të mendoj se në cilën fazë të rritjes duhet të jetë libri përderisa për pak qindra metra i duhen disa ditë. Përpëlitet, rrotullohet, zhagitet apo është në fazën e hapave të parë ku në çdo hap bën një ndenjje klluke të detyruar. Edhe kjo është temë për një herë tjetër, më flet një zë i radhës dhe me kaq e mbyllë. Me një faleminderit sigurisht, kurse në mendje më vërtitet Kadareja, i madhi Ismail që, siç po duket puna, për pak dekada nga emri do të mund t’i mëveshet lehtësisht përkatësia turke. Ismail, pra, turk – do të mund të çapitej apriori librashitësja në mesin e këtij shekulli. Ismaili, atëherë, do të bëjë një rrotullim kudo që të jetë dhe otomanët do të qeshin me të dhe mbase do t’i fikin atë gjysmëhënën që ai e kishte aq zët të qëndronte mbi të gjithë simbolet e tjerë sivëllezër. Sigurisht, të gjitha këto mesele i mbajë për vete, në kohën kur shumë lehtësisht po të thuheshin, pala tjetër, do të mund të më akuzonte për atakim, bullizim a dreqi e i biri. S’ka avokat që do të mund të të mbronte në raste të tilla, sepse avokatët sot janë ca mumie që s’kanë frekuentuar ndonjëherë panaire librash. Kanë mësuar ca vase përmendësh dhe të tjerat – i bëjnë të tjerët dhe për ta.
***
“Ata që lexojnë e dallojnë në dy fjali përdorimin e këtij marifeti dhe s’ju lexojnë më. Ata që nuk lexojnë – vizë lidhëse – nuk ju lexojnë apriori.
Aman, pa ChatGTP me autorësi bajate.
Mos mihni në Bunë se bëni kot punë!” Është ky një shënim në të a.q. mur ose shesh virtual që e pata shënuar kohë më parë.
Para disa javësh, në një takim kafenesh, një mik imi, në moshë më të shtyrë, krejt papritur më zgjati telefonin e tij të mençur për të më treguar një mesazh që i kishte arritur në postën e rrjeteve sociale nga një alamet personaliteti i kohës. Ja, shihe sa bukur më ka uruar filani, se ti e do poezinë dhe do ta pëlqesh. Filan autoriteti i kishte lënë një mesazh nja dhjetë rreshtash ku kishte (keq)përdorur rreptë chatgtp-në. Sigurisht, më erdhi keq t’ia prishë entuziazmin dhe nuk i fola për këtë pjesë. Veçse, në e pastë kuptuar nga heshtja ose përhumbja se kjo lloj poetike më pat përzier zorrët. Për më tepër, filan autoriteti kishte vënë inicialet poshtë këtij telegrami dhe po të hyje në faqen e tij personale do të mund të lexoje pa fund perla mendimesh të përpunuara me këtë hallat aq sa natyralisht të lindte pyetja se çfarë kuptimi i ka mbetur më të shkruarit, autorësisë, bagazhit intelektual… Okej, koha e poezisë nuk ka qenë ndonjëherë ndaj s’ia vlenë të ndjehemi të persekutuar as në këtë kohë. Poetika është mendimi më i rafinuar dhe koha e poezisë në filozofi dhe religjion është koha e fundit njerëzore ose apokalipsi a kiameti. Jemi larg, sigurisht “fundi është larg”, kështu dhe titullohet një përmbledhje e poetit nga Ulqini, Hajredin Kovaçi. S’ka vend për panik, ka vend veç për shfryrje dufi. Në stilin kunderian, është njëfarë lehtësie e padurueshme e rënjes.
Mori trajektoresh që bëhen lëmsh diku në urbanen kaotike me strumbullar “panevojshmërinë” e të lexuarit të një libri. Sepse, të lexuarit është një minierë që shkrinë dhe ngrinë ide, mendime, pikëpamje dhe nëse kësi kovaçhanesh mund të sigurojë secili atëherë cili është kuptimi i gjenezës së kësaj zejeje. Humbja e fillit është, në fakt, determinantë e mbarimit. Por, libri, gjithsesi, sikurse gazeta dhe radioja do të ngadhënjejë. Janë këto esenca të asaj që mund ta quajmë evolucion, evoluim, kontinuitet apo sido tjetër. Këputja e këtij shiriti, mos të na shkojë mendja që mund të ndodhë. Zullumi këputet prej së trashi dhe, kyfarë zullumi është mirë që po trashet e bymehet me frekuenca influencere, sepse, në këtë mënyrë, këputja që, në fakt është shkëputje, do ta pastrojë shiritin e vijimësisë së përsosshmërisë cerebellare humane. Esencat e mësipërme, si shumëçka tjetër, fillimisht vinë si nevoja. Dikur më vonë, rivinë si modë. Në fund, vinë si prehje. Pjesa e parë dhe e dytë flirton tash e sa kohë në mes vete. Prehja është larg por s’ka çare pa ardhë. S’ka nevojë për shpresë, libri është determinantë.
***
Seku e pata lexuar Danillo Kishin të thonte se përkthimi e kishte penguar të shkruante përmbajtje autoriale për arsyet e shumëta që do të mund të cekeshin në një rast specifikisht tjetër. Ai e kishte krahasuar kohën e vet të përkthimeve, në kontekstin e njëjtë, me masturbimin. Është temë që do trajtim më të detajuar në një radhë që edhe mund të vijë në radhë. Tash, nëse përkthimi që është një veprimtari kolosale do të banalizohej kësisoj, atëherë ç’emër do të mund t’i vinim furtunës autoriale të kohëve tona.
Përmjerrje. Ejakulim.
Për më keq, autorësia e tillë përballë lexuesit të njëmendtë del me mediokritetin e vet më banal: me mbathjet e lagura, pas një nate të gjatë e terri të thellë, me idenë që vërtetë e ka bërë atë gjënë e duhur në vendin e duhur. E keqja fundamentale është kur kjo lloj përmjerrjeje ose ky lloj ejakulimi merr përmasa kolektive. Është njëfarë mode nga e cila është vështirë të shmangesh. Por, s’ka qenë asnjëherë nevojë dhe s’do jetë asnjëherë prehje për njeriun. S’është as turp përderisa është infantilitet. E do një dorë për tu rritur por së pari duhet mësuar zgjatja e parakrahut që i ngjanë një hopi drejt një libri në raftet e sipërme të bibliotekave. Atëherë, po, atëherë libri ka për ta rënë perçen dhe ka për ta hapur botën.
(Koha Javore, Podgoricë, 2.7.2026., nr. 1218).