Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë merr emrin “Ismail Kadare”
Fakulteti i Historisë e i Filologjisë zhvilloi mbrëmjen e djeshme aktivitetin përkujtimor “Gjithkush Kadarenë e vet”, në dyvjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare.
Në nderim të veprës kadareane dhe autorit të saj, me propozim të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë dhe vendim të Senatit të Universitetit të Tiranës, bibliotekës së këtij fakulteti iu vu emri “Ismail Kadare”. Kjo bibliotekë është hapësira që e përfaqëson denjësisht kujtimin e tij në mjediset ku ai ka qenë student, pedagog, e njëkohësisht një prej autorëve më të lexuar në fondet bibliotekare.
Në prani të familjarëve, të pedagogëve të fakulteteve të ndryshme si dhe të senatorëve të UT-së, me pjesëmarrjen aktive të të ftuarve të shumtë shkrimtarë, botues, kritikë e personalitete të kulturës e letërsisë, u pohua gjurma e pashlyeshme që ka lënë në leximet tona shkrimi mjeshtëror i tij, një prag estetik për letërsinë shqipe e njëkohësisht përftim i një përmase universale të saj në botë.
Ceremonia ishte konceptuar si një ritakim me autorin. Aktiviteti bashkoi përvojat personale të leximeve me vlerësimet kritike më të larta, ndërthuri emocionet, mallin dhe mendimin kritik si mënyra e duhur për ta kujtuar Ismail Kadarenë./atsh