Msc. Desela Nuredini: Shënime për librin ‘’Portat e kujtesës’’ të Vasil Mukës
Vendlindja mbetet përherë “shenja digjitale” kudo ndodhemi, mjafton t’u tregojmë kuriozëve mbiemrin, të ndërkëmbejmë me ta pak informacione jo të rëndësishme, çdo njëri prej nesh bart në AND-në e tij “ngjyrat” me të cilat vishen tradita, kultura, historia e një qyteti .
Gjirokastritit do t’ia lexosh qartë në fytyrë krenarinë, gjatë bisedës do të kuptosh lidhjet mes tij dhe gurit, ndërkohë që është lehtësisht e lexueshme ndjesia e melankolisë dhe frymëzimi që buron prej shpirtit sa herë që flet për malet, shiun vjeshtak, shtëpitë tipike me spreth, aty kupton se përtej korracës së ngurtë të gjithësecilit gjen hapësirë butësia dhe ndjesitë që e lidhin me të shkuarën, sidomos kur kjo e fundit nuk mbetet thjesht nje pikë harte por, “thesari i paeksploruar” tërësisht nga miliarda sy, nëpër botë.
Eshtë e vështirë të flasësh për gjirokastritët duke qenë vetë i tillë, të duhet të krijosh në mendje pyetje të cilat mund të të parashtrohen, por njëkohësisht duhet të ruash edhe qetësinë, pasi nuk ia vlen të shpjegohesh vetëm me fjalë, kur flet përmes pamjeve të një qyteti – çudi dhe historisë që ai bart.
“Portat e kujtesës”, është “gjurma” që Profesori dhe autori Vasil Muka, ka dashur të lërë për lexuesin. Nuk mbetet thjesht një libër që mund të lexohet duke mbajtur pranë vetes një bllok dhe një laps për të ndërtuar një kritikë, për mua është një krijim retrospektivë, që dëshmon se kudo e kurdoherë në çdo periudhë historike ka patur dhe do të ketë gjirokastritë që do ta bëjnë krenare Gjirokastrën, qytetin nga nisi frymëzimi i tyre jetësor.
I konceptuar në një formë të veçantë, duke thyer traditën “Portat e kujtesës”, nuk mbetet thjesht vëllimi ku lexuesi duhet të mbyllë sytë për të imagjinuar skenat, personazhet, ngjarjet në faqet e tij, imazhi, komentet dhe krijimi i autorit “mpleksen” me njëri-tjetrin, për të dhënë ngjyresat, emocionet e një ngjarjeje të përjetuar, një historie të vjetër, sjellë përmes autorit edhe përmes të folurit tipik të Gjirokastrës, me leksikun që ende mbetet i paqëmtuar tërësisht nga gjuhëtarët.
Në fëmijëri pak kush ka mundur të mbajë një ditar, disa duke menduar se koha rend dhe njeriu nuk ka kohë, të tjerët duke menduar se kujtimet të bëjnë melankolikë, disa të tjerë pëlqejnë përjetimet pa shkruar për to, gjithësecili prej nesh ka një motiv, por asnjëherë nuk kemi menduar se e gjithë jeta është ndërtuar prej sekuencash të bukura, të hidhura, nostalgjike, të dhimbshme të cilat i japin formën më të bukur asaj që shpirti ynë gjendur brenda trupit, jeton, jetën!
Autori ka zgjedhur të sjellë të gjitha përjetimet e tij duke grumbulluar, foto, histori, personazhe, figura të njohura të Gjirokastrës, por edhe njerëz të thjeshtë, përmes shkrimeve të facebook duke u bashkangjitur secilës prej tyre, komentet e miqve, shokëve, të njohurve, gjirokastritëve të cilët kanë patur kënaqësinë të shkruajnë apo të ndajnë me të ndjesi gjirokastritësh.
Vëllimi çelet me qytetin ku nisin dhe marrin udhë ëndrrat, Gjirokastrën e bukur, me vargjet magji të poetit Arben Duka. Përmes tyre autori bëhet nostalgjik duke folur për rrënjët e duke ftuar lexuesin ta ndjekë historinë e tij si mësues, drejtues, profesor, baba, besimtar, politikan, bashkëpunëtor, bashkëshort e gjysh.
Rrënjët e tij bëhen të njohura përmes poetit të njohur Agim Shehu, komentet e tij përmes facebookut, duket se kanë mbetur “shenja” që nuk mund ta shuajë koha, tashmë që kanë zaptuar faqet e vëllimit, aty mëson marrëdhëniet e shëndosha mes një mësuesi dhe nxënësi, duke nënkuptuar se një mësues i mirë ndërton sipas shëmbëlltyrës së tij nxënësin, modeli projektohet duke ndjekur ata që lënë gjurmë në kujtesën e një adoleshenti, por duke u bërë edhe frymëzimi i një mësuesi të ri.
Urimet e 7 Marsit, festës së mësuesit krijojnë tek lexuesi ngrohtësinë që mund të përjetojë një projektues i brezit të ri. Mesazhet, komentet, urimet e kolegëve, por edhe mbështetja dhe ngrohtësia e familjes të bën të kuptosh se vlera e vërtetë e një shoqërie ështe mësuesi dhe shkolla.
Një vend të veçantë zënë në vëllim bashkëpunëtorët e autorit, ata që ende sot vazhdojnë të gjenden anë e mbanë botës, brenda dhe jashtë vendit si: Mihal Zhulati, Dori Xhai, Andon Lula, Alma Malaj, Adil Xhelili, Dhimitraq Qurku, Bexhet Çobani, Thanas Dino, Ylli Asllani, Ilia Kuro, Oderina Ndreu, Bejtash Mema, Orest Lulo, Agim Çela, Petrit Danaj, Kristina Fidhi, Sadik Bejko, Edi Kojani, Stefo Qurku, Xhelo Beqiri etj, por duke mos harruar edhe ata të cilët janë përjetësuar në kujtimet e autorit Muka si: Sofo Kallulli, Daniela Çulli, Mustafa Hysi (Bebushi), Odhise Çerkezi, Sedat Kale, Vasil Bilushi, Kosta Barka, Vaso Pesha, Parime Puto Kasoruho etj.
Autori duket se ka përjetësuar përmes kujtimeve miqtë, kolegët, bashkëpunëtorët duke humbur në këtë mënyrë “vijën” e hollë ndarëse midis jetë-vdekjes.
Imazhe vendesh të vizituara nëpër Gjirokastër, Libohovë e përtej qarkut të Gjirokastrës, personazhe të cilat kanë tëhequr vëmendjen e autorit në televizion, por të njohur edhe në jetën e përditshme të tij si në politikë, mësuesi, njerëz të thjeshtë, duket se kanë zënë një hapësirë të gjerë në vëllim.
Autori sikur kërkon që çdo cep i faqes të mos mbetet i zbrazët, jo për të kursyer, ashtu siç e kanë zakon të na ngacmojnë jo gjirokastritët, për të na nxjerë namin, por për t’i lënë lexuesit “shijen” e mirë, se të rëndësishëm nuk të bën pozita sociale, por të qenit njeri me zemër të mirë!
Historia e familjes së tij, rëndësia që ajo ka në Gjirokastër, tradita, origjina, lidhja me gjyshin e tij e njeh lexuesin me traditën e bukur të trashëgimisë “identiteti digjital” i secilit prej nesh, për t’ia lënë hapësirën mësuesve të tij që e frymëzuan, ndër to e mirënjohura Tonina Hido, mësuesja që e mësoi, frymëzoi, bashkëpunëtorja e tij e pandashme.
Modele si Kristaq Xhumbi, Vasil Naçi, Edith Harxhi bartin gjurmën e atyre që duhen ndjekur për të ndërtuar një Gjirokastër të vogël, në Shqipërinë e ditëve të sotme.
Vëllimi sheh përtej gurit gri të Gjirokastrës, dëgjon përtej isopolifonive të kënduara në sokakët e gurtë, zhurmat e qytetit përzihen me imazhet që krijon gjithësecili prej nesh që jeton në një qytet magji, në qytetin e Kadaresë, ndërsa autori fton përmes mbresave dhe kujtimeve të tij ata sy që ende nuk e kanë vizituar dhe njohur më parë “pikën e floririt” në Malin e Gjerë!
Punë të mbarë çdo gjirokastriti që brenda vendit e jashtë tij përcjell tek të tjerët një botë magjike, atë të gurit, skalitur në kalldrëmet ku vramë gjunjët e u çuam sërish, për t’u rritur!
Suksese Profesor Vasilit!
Msc. Desela Nuredini, kritike letrare
Shënimi i Vasil Mukës
Faleminderit Deselë!
Nuk gabova kur ju mbështeta dhe ju emërova si mësuese letërsie në Gjimnazin ‘Asim Zeneli’,
Ju me talentin Tuaj dhe mjeshtërinë profesionale tejkaluat pritshmëritë e mia dhe nuk ishte e lehtë të ishe mësuese letërsie në gjimnazin e Çabejt, Kadaresë, Agollit, A. Shehut, B. Harxhit, etj
Urime në rrugën tuaj si studiuese e kritike letrare.