Albspirit

Media/News/Publishing

LETËR E HAPUR NGA EZOPI PËR TIMONIERIN E MADH

Jani Malo

I nderuar Kryekomedian,

Po të shkruaj nga një tryezë kafeneje në Tiranë ku zhurma e bulevardit po i mbyt fjalimet e tua të gjata. Kam parë mbretër të panumërt në jetën time, por asnjëri nuk kishte talentin tënd për të luajtur rolin e shurdhit me aq shumë frikë në sy.

U bënë 36 ditë që jashtë dritares tënde njerëzit kanë dalë në shesh. Dhe ti, me atë arrogancën ekzemplare, ke veshur kostumin e indiferencës. Shtiresh sikur ata nuk ekzistojnë, sikur janë thjesht hije në teatrin tënd të kukullave.

Me keqardhje konstatoj se i ke lexuar së prapthi fabulat e mia. Unë bëra kafshët të flasin, kurse ti në fjalorin tënd po i kthen njerëzit në kafshë. Dhe më lejo që t’u besoj syve dhe veshëve të mi për këtë. Edhe gjasme indiferencën tënden ta lexoj si frikë të pastër, të fshehur mirë nën dhjamin e pushtetit absolut.

Sinqerisht e kam të vështirë që atributet e pushtetit tënd t’ia vesh një kafshe të vetme. Ti, si një figurë komike, duke dashur të marrësh edhe copën e mishit që sheh te reflektimi i ujit. apo nga lakmia për të kontrolluar çdo “parcelë” të mundshme (median, drejtësinë, financat, madje edhe mendimin e lirë), përfundove duke krijuar një flluskë që po të plas në fytyrë.

Ti nuk e injoron bulevardin sepse u bëre i fuqishëm nga ato 83 matrioshkat e tua memece në parlament; ti e injoron sepse tmerrohesh nga fakti që skenari yt u kthye në farsë dhe për herë të parë po vihet në skenë një skenar që nuk e shkrove ti. Ti humbe ndjenjën e masës, kalove nga logjika dhe etika, në patos të pastër e në dëshirën për të fituar me çdo kusht çdo audiencë. Duke dashur t’i bësh të gjithë për vete, përfundove duke mos pasur besueshmërinë e askujt.

Ke marrë timonin dhe tepsinë, ke privatizuar çdo pemë e çdo degë e gjethe, duke menduar se liria mund të racionohet me pikatore nga zyra jote. Por lakmia t’u kthye në një makth, ku tani je i dënuar të vëzhgosh se si njerëzit e thjeshtë po zbulojnë sekretin që ti e ke harruar me kohë: Liria e vërtetë fillon atëherë kur kupton se ajo që ke mjafton, dhe se dinjiteti nuk blihet në zyrat e tua noteriale.

Ti dëshiron me çdo kusht të mbetesh në Librin e Historisë. Por ky numërimi i ditëve nga 1 në 36 është si një tik-tak i pamëshirshëm që të kujton se lakmia dhe historia nuk e matin kohën me të njëjtën orë. Mos harro se Lakmia nuk është një lumë që derdhet diku, por një pus pa fund.

Sa për Historinë, ajo nuk po të pret me dafina, o mik. Po të pret te pragu, e mërzitur nga e njëjta shfaqje monotone, e gatshme të ta përplasë derën në fytyrë me të njëjtën furi që njerëzit po përplasin të vërtetat e tyre në rrugë për më shumë se një muaj. Kur ajo derë të mbyllet, statuja jote prej balte klienteliste do të mbetet jashtë, do tretet në shi, si një kujtesë e thjeshtë se si një njeri që deshi t’i kishte të gjitha, përfundoi duke pasur vetëm frikën e humbjes së tyre.

Sot ti shtrëngon timonin vetëm që makina të mos ndalojë së xhiruari rreth vetes, ndërsa pasagjerët po të zbresin rrugës nga dëshpërimi.

Mbylli dritaret e kryeministrisë sa të duash, ktheje kokën pas shpine që të mos shohësh sheshin. Por mos harro: thesi i zullumeve që mban në kurriz po rritet çdo ditë që kalon. Prandaj, ndoshta është më mirë që rënia jote të vijë nga fuqia e atyre që janë jashtë, se sa nga pesha e frikës tënde që po të kërrus nga brenda dhe rrezikon të të kthejë në skllavin më të madh të mbretërisë që vetë ngrite.

Ti mund të çuditesh se si unë, një skllav i mbetur gjallë që prej 2600 viteve, guxoj t’i jap këshilla një mbreti të pushtetplotë. E bëj sepse nuk kam frikë. Në shekuj mua më mbeti ajo që mjafton: qielli mbi kokë dhe mendja ime.

Po nëse nuk i honeps dot këshillat e një skllavi, kujto këshillën e vjetër se asnjë mbret nuk ka qëndruar dot më gjatë se rruga.

Ezopi.