Ruzhdi Gole: TRASHËGIMTARI
(poe-prozë)
– Shiko, vërej, këqyr mirë…
Para syve të tu mund
të kaloj një kodër
e gjelbërt.
– Një kodër?
– Po, një kodër
me sy të tejdukshëm.
– Të tejdukshëm?
– Po, të pasqyrtë.
– Unë e njoh
një kodër
prej kohësh.
Të jetë ajo a një
kodër tjetër pranë saj?
Mua më duken
njësoj t’gjitha
kodrat.
(Matanë syve plot gjeth’
pështjellohet hiri,
frymojnë xixa).
– Nuk shoh asgjë? Kodra që njoh unë
më afrohet menjëherë sa ngre sytë.
Ndjej zjarrmi në ajër, por nuk po shoh
asgjë. Ndoshta kodra ka zbritur në
bregun e kaltër. Eshtë tronditur duke
parë qytetin me hi dhe me rrëmuja.
– Hapi krahët menjëherë, menjëherë
tani. Hapi shpejt, të të afrohet kodra.
– Ndij ngrohtë, nuk shoh ende gjë.
Paska rrugë të gjatë drita e saj deri
këtu. Mos ka ndalur e ka takuar kodrën
që njoh unë, mos i ka qëlluar kush
tinëz?
– Eh, tani është çasti kur kodra të sheh
me sy gjelbërimi ty. Ende pa ardhur.
– Më sheh Kodra? Paska sy ajo? Unë
di se vetëm një kodër ka sy. Ajo më e
hershmja që njoh unë e ca të tjerë.
– Kodra ka zbrit të lahet në det, tek
currilat. Çdo kodër rri syndezur, ndezur
gjatë. S’e fik vetë syrin. Ia fikim ne.
– Kur del shëtitje Kodra e re? Natën?
– Ditënatë ajo shëtit gjelbëruar,
gjelbëruar e kaltër afër detit.
– Ditënatë ajo rri zgjuar?
Po pse edhe natën?
– Natën kodra ka
tjetër sy.
Ne me një sy
shohim kodrën
me tjetrin detin.
– Nuk fle
gjumë
kodra?
– Nuk fle. Ajo herë na sheh ne, herë valët.
– Ne kemi vetëm një sy kur nuk shohim
me vëmëndje gjithësinë përreth.
Ne nga një vesh dëgjojmë
kur i biem veç fy’llin tonë.
– Gojë kemi vetëm një?
– Jo, jo s’kemi vetëm një.
– Del flakë nga goja jonë kur ndizet
kodra nga zjarret?
-Po, del flakë nga gjithë trupi ynë kur
digjet kodra.
S’e djeg kodra veten asnjëherë, e
djegim ne…
– A,a.a,a, prandaj e kam ndonjëherë
gjuhën e gjithë trupin si të
shkrumbosur unë?
– E vërtetë është, shumë e vërtetë.
Kodra fjaloset ngadalë me fjalë
të gjelbërta, përhera shumë
e zëshme, jo e rrëmujshme.
Të rrëmujshëm sot jemi ne
nga goja, që nis e digjet.
– Digjet goja? O, ç’na the, ç’na the?
Digjen krahët, por jo goja.
– Po, po goja digjet.
Po mori zjarr goja
atëhere digjet
edhe gjuha,
ndizen dhëmbë e dhëmballë,
qofshin ato edhe prej floriri.
-Po mua s’më është djeg
asnji fije floku kur kodra
ka marr zjarr.
– Ti nuk e njeh mirë
kodrën atëhere?
– Si nuk e njoh?!
– Kodra nuk i ankohet kujt, as drurëve
të vet. Ne, njerëzit, sa shkrep e dynden
gjithandej flakë e tym ia kthejmë
shpinën. Ajo rrudhet kur ia kthejmë
shpinën, mbushet plasa dhe gropa,
fiket ende e njomë.
– Ne, ia vemë flakën, më keq akoma kur
ia shohim fjollat e tymit dhe ikim nga
sytë këmbët larg saj.
– Atëhere Kodra meket, i kërcasin
brinjët e hirta, shpupuritet nga gjethet
e saj, i merren mendttë dhe këmbët.
– Sikur the që kodra i mbyll sytë vetëm
njëherë, kur vdes? O, ç’na the, vdiskërka
edhe kodra, kodërza?
– Po, vdes rringjallet. Ne, që ia presim
krahët kujtohemi ndonjëherë për të,
pendohemi për fajet tona.
– O, ç’na the, u ngjallka edhe kodra? Në
jetë s’ngjallet njeriu, u ngjallka një
kodërzë. O, ç’po na thua…- –
– Kodra nuk vdes pa lindur kodrën tjetër. Kodra thahet edhe
përthahet gjer në rrënjë, kur ne, njerëzit e lemë vetëm, ia
tymosim gjithçka. Atëhere ajo nuk merr më frymë dhe e
drobitur e gjitha nis e vdes. Rrënjë e degë të padjegura
fluturojnë gjer tek deti, shuajnë shpejt flakët e tyre dhe
farojnë diku tjetër.
– O, ç’na the, o, ç’po na thua, mos u ringjallkan dhe gurët
gojëkyçurit, gjinkallat, lepujt, mizat e dheut…
– Të gjitha rringjallen pak, shumë, ecin, fluturojnë, rrokullisen,
mpleksen, – u krenua shpejt zëri i parë.
– O, oooo, as parë dhe as dëgjuar kjo – spikati zëri i dytë.
Ngriti supet dhe pa dashur preku një degëz.
– Drurët, në kodër, fërkohen dhe ledhen me njeri – tjetrin, ia
veshin me pëllëmba të buta shoshoqit.
– Harlisen gishtaflokë, i hedhin dorën njeritjetrit mbi sup,
fërkojnë pëllëmbët e tyre kur kanë ftohtë.
– Drurët xhvishen lakuriq, nuk kanë ftohtë vjeshtëdimër. Në
pranverë edhe në verë ç’bëjnë drurët?
– Vjeshtëdimër durojnë shirangrica, ngrohen ditëve diell,
pranvere freskohen, në verë lahen në det.
Zëri i parë largonte hirin, shpërndante xixat, zëri i dytë
afrohej të ngrohej prej tij.
Guri kur rrokulliset lëshon xixa ?- pyeti zëri lodronjës. Ato
xixa janë të kodrës, janë të valëve?
– Ato xixa të shpejta, herë të gjelbërta dhe herë blu, kur ne i
shqyejmë bëhen të ngurta, shuhen.
– Xixa lëshon vetëm guri i parë. Po ku është sot, ku është tani
diku guri i parë i Sheshit të Kateqit?
– Edhe peshqit kanë xixa. Luspat e tyre xixa janë. Xixat u
ndrisin në ujë e në rrjetë, u ndrisin edhe në tokë, pastaj
edhe, edhe në tjegull e në tigan, si ta duash – qesëndisa
unë.
– E sheh kodrën?
– Në kodër jemi.
-Eh, u hutova…-
– Zogjtë kur fluturojnë shkundin xixa nga krahët. I ke parë në
jetë ndonjëherë?
– O, ç’na the, o , ç’po na thua… Po zogjtë do kishin flatra
zjarri atëhere…
Gjithë bota qënka xixash, gjithandej mbi kodra, valë, gur
e peshq?
– Po, gjithë bota. Drurët janë plot xixa gjelbërimi, bohçe
folesh, por kur digjen janë fatkeqë të mpirë, fatkeqë të
gjelbër.
– Ti mban një bohçe ndër gishta kur shkruan?
*
Paske ftohtë? – zëri i parë.
U ftoh paksa, – zëri i dytë… zëri zero.
– Vrapo në kodër, mbërri gjer tek Fari!
(Dita nuk ngryset vet asnjëherë. Ditën e ngrys njeriu. Kështu
edhe nata, merr një sy gjumë dhe gjithkund ndez pishtarë:
në krye të rrugëve, në molo e pavione, në lundra
e akrobacira, në palestër e në autostradë, bile dhe në burg.)
– U burgoska Dita? Po dita dhe drita e njeriut përhera kanë
qenë veç të lira.
– Dita s’burgoset, burgosemi ne kur ia shuajmë flakën, ia
k’pusim gjuhën.
Pra, unë qënkam i lirë pa liri, pa një prangë? – zëri i dytë…
zëri zero.
Po, ti je mbyllur në mërzinë tënde jerm, në tymin tënd
shkalafytje gjumi, – zëri i
parë.- Ngrihu, shkundu, ec, vrapo gjer në majë!
Pa prit pa kujtu, gazmoj gufoj, përpjetë sa nuk fluturoi zëri i
dytë, tani, pa zero. Gufoi gjoksin, nxitoi këmbët, iu afrua
bregut, lundroi me peshkatarët, tërhoqi rrjetat plot peshq e
hala dhe xixa plot. Gjithçka ndriste e vezullonte përreth
gjithandej prej kohësh, gjithkohshëm tani, në këtë çast,
përhera nesër, nesërmi…
O Njeri, gjelbëroja Jetën njeriut tjetër plot rrënjë, trungje,
degë plot gjethe, syduar kodre, deti…
Në këtë jetë s’u ngjallka njeriu, u ngjallka një zjarrmi
njerëzore në qytet, qytetth, kodërdet.
O, Jetë, ndizja rrezet pa hije e tym
pa hi e hile të gjithë frymorëve
zjarr të shëndetshëm
trashëgimtar…