Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: Maskat

Tregim

Ai gjithmonë mendonte se të bëje një të mirë në këtë botë dhe të gjeje mirë ishte ndoshta mundësia më ideale për të shijuar kënaqësinë e të shprehurit të mirësisë. Vegjëlia i shfaqej herë pas here me episodet e shumta, ku kënaqesia ishte një gjë që kërkohej mjaft për të gjendur se ku ndodhej mirësia. Atëherë nuk e kishte idenë se bota që e rrethonte ishte një e panjohur e madhe dhe të zbuloje atë do të duhej të rritej e të kuptonte rreth saj. Nga fëminia mbante mend se kur shkoi për herë të parë në teatrin e kukullave disa figura u shfaqen në një skenë, si ariu apo dhelpra, të cilat lëviznin nga një pemë në disa shkurre duke i ngjallur idenë se ndodhej në një pyll të madh, ku kafshët dilnin dhe zhdukeshin. Ai kishte shtrënguar dorën e gjyshit, pasi kishte dëgjuar ulerimën e ujkut, dhe i frikësuar kishte mbyllur sytë. Ai më pas dëgjoi gjyshin që i tha:

– Mos u tremb, nuk është ujku i vërtetë. Ajo është thjeshtë një maskë, – ishte përpjekur gjyshi ta qetësonte. Fjalën maskë e dëgjoi për herë të parë nga gjyshi, të cilin e pyeti, kur doli nga teatri:  – Gjyshi, çfarë është maska? Ndërkohë që po i drejtohej rrugicave për në shtëpi. Gjyshi ndali hapin dhe në një moment qeshi duke i thënë: – Është një copë kartoni e vizatuar me fytyrën e ujkut ose të dhelprës. Dhe gjyshi kishte qeshur përsëri.  – eh, kishte vazhduar ai,-  është pak e koklavitur kjo punë. Kur të rritesh do të kuptosh më shumë, se çfarë është  maska.

Në vitet e mëtejshme, kur ishte në shkollën e mesme, një ditë mësuesja u tha nxënësve. – Mos harroni të blini maskat dhe karamelet. Është halluini dhe duhet të përgatiteni për  këtë. Ai përsëri kishte pyetur gjyshin si i ditur me horizont e kulturë të gjerë. Gjyshi i kishte shpjeguar se është festë apo ditë e veçantë që zhvillohet kryesisht në Amerikë dhe vëndet perëndimore.  Pas viteve 90, kjo ditë e veçantë e importuar nga festimet kryesisht në Amerikë ngjallte mjaft kurreshtje. Të rinjtë e atyre viteve i blinin ato pak sende apo i krijonin vetë dhe maskat për të bërë përshtypje më shumë tek të tjerët. Qejfi më i madh ishte kur ata shfaqeshin nëpër dyert e shtëpive, ku dilnin njerëz, të cilët shikonin me habi ritualin me maskat, pasi nuk ia kishin fare haberin kësaj feste. Por, ajo që mbetej më shumë në mendje, nga ajo ditë ishte përdorimi i maskave për të trembur e ngjallur panik tek vajzat që nuk ishin mësuar me këto të papritura. Por, maska në vetvete ishte përdorur në Shqipërinë e viteve 30 sidomos në Korçë gjatë ceremonive të ditës së Karnavaleve. Ajo ishte një festë traditionale e zonës, ku maskat kishin një tjetër kuptim dhe për Besimin tashmë një djalë 15 vjeçar, i cili krenohej për ruajtjen e këtyre riteve, pasi edhe origjina e familjes se tij ishte nga ky qytet.

                                                                      *  *  *

Kur mbylleshin brenda nga frika e njerëzve të armatosur në vitin 1997 nëpër rrugët e qytetit kishte shumë njerëz të veshur me maska. Ato, i shfaqeshin në ëndërr dhe natën ai qante. Këto fragmente të mbetura si kujtime herë pas here shfaqeshin në adoleshencën e turbullt e të vështirë.

Një ditë, pas shumë vitesh, kur tashmë kishte përfunduar edhe studimet si mjek, ai duke qëndruar pranë tavolinës së punës së gjyshit, që rrethohej nga një biblioteke e madhe,kujtonte pjesë bisedash me të. Ai e kishte dashur shumë gjyshin, pasi ai e mësonte në fëmijëri për shumë sekrete të jetës, të cilat shpesh nuk i kuptonte, por ai me thjeshtësi të fjalës dhe durimin ja sqaronte duke e qartësuar.

Kohërat e fëmijërise kaluan shpejtë dhe me vrullin e një të riu, ai filloi të njihte më qartë pse shumë gjëra në jetë kanë shumë vështirësi dhe këshillat e gjyshit shpesh e orientonin për të eleminuar rreziqet që sillte dita.

Në ditën e parë të punës menjëherë pas diplomimit u gjend në mjediset e spitalit onkologjik, ku kishte marrë detyrën e mjekut asistent. Rrezultatet e larta e kishin mundësuar të fillonte punë në një nga spitalet e rëndësishme në kryeqytet. Fytyrat e të sëmurëve me shprehjet shumë herë të çuditëshme i dukeshin sa të dhimbshme dhe pa shpresë, por edhe aq të revoltuara apo të nervozuara. Një plak, i cili shoqërohej nga mbesa e tij shumë e re, u shfaq në mjedisin, ku do të bënte anamnezën dhe do të përcaktoheshin hapat e mëtejshme të përballimit të sëmundjes. Ai ishte i thinjur, pak i kërrusur dhe me sytë plot ankth i lexohej shqetësimi shpirtëror. Ata u përshëndetën dhe zunë vend.

– Shpresoj djalë të më ndihmoni – tha plaku dhe me sytë e trembur dhe mjaft të hutuar, që dukeshin sikur shikonin tutje përtej godinës së spitalit. Ai  e bridhte mendjen gjetiu.

– Do bëjmë gjithçka për ju – tha Besimi.

Ajo bisedë ishte e para për të si mjek asistent në atë spital dhe i kishte mbetur në mendje për një kohë të gjatë. Kaluan koheë dhe plakun ai nuk e pa më. Historia e tij do të kishte marrë drejtimin si shumë e shumë të tjerë, që i shfaqeshin në mjediset e spitalit. Ai kishte kuptuar pas fytyrave të trembura, se diçka e tmerrshme nën to ose brenda tyre ndodhte dhe ai këtë e kuptonte fare mirë. Çfarë dilemash, të fuqishme ndërgjegjeje, do të fshiheshin pas fytyrave të tyre të ngrira, të tendosura, të shqetësuara dhe me  hije që i ndiqnin nga pas. Befas një natë i doli gjumi nga një ëndërr e pabesueshme. Gjyshi ishte ngritur nga varri i tij dhe i kishte shkuar tek dritarja e shtëpise. Ai nuk kishte guxuar të hynte në shtëpi, por vetëm kishte trokitur në xhamin e dritares me një shkop dhe i kishte ngritur pas xhamit një mask kartoni, pastaj e kishte ulur atë dhe kishte nxjerr një tjetër tek xhami dhe kështu me radhe kishte ndrruar dhjetra maska, të cilat kishin krijuar një morri maskash gati sa një mal të cilat ishin mbledhur mbi oborrin e shtëpisë. Pastaj ai ishte larguar duke u zhdukur në errësirën e natës.

– Gjysh të pash në ëndërr para dy netësh !- i tha gjyshit kur u  ndodh tek varri i tij. Ai kishte shkuar tek varrezat. Ai priste një përgjigje që ti vinte nga thellësia e tokës. Atij ju muarrën mend dhe qëndroi në heshtjen e gjatë pranë luleve që i kishte sjell. Shikonte fotografinë e gjyshit të qeshur, me kapelen e republikës që mbante përherë në kokë. Sytë  rrezullues shprehnin qartë mençurinë e tij. Ai humbi në kujtimet  e këshillat që merrte nga gjyshi. Ato e kishin bërë mjaft ekulibrues dhe të kujdesshëm.

– Po, pra pse me dole ashtu atë mbrëmje me ato maskat gjysh?-  thërriti djali.

Dhe nga larg iu kujtuan fjalët e tij, kur ai ishte në vitin e parë student. “…Jeta e njeriut është si një lojë. Ajo vërtitet dhe shkon e shoqëruar gjithmonë me maska. Të gjithë duan apo jo, do të përdorin maskat e tyre të preferuara. Ato janë mjeti më i rëndësishëm me dobiprurës. E gjithë shoqëria e kërkon maskën e vet. Po, edhe ti kur mendon se nuk duhet ta përdorësh kurrë maskën, përsëri ajo do të duhet dhe padashjen tënde, do ta vendosësh në fytyrën tënde një ditë. Pse ?! As unë nuk ta shpjegoj dot. Por, duhet të të them, se sa më lartë të jesh në përgjegjësi aq më shumë maska do të duhen. Ato janë mbrojtëse dhe sulmuese. Ato të bëjnë të triumfosh dhe të mos humbësh betejat. Ato të japin besimin dhe të nxisin për të qenë më i vërtetë. I vërtetë ? Po pse i vërtetë je, kur ti fshihesh pas një fytyre fallco? Po pse? Sepse, ai që është përballë teje të shfaqet kurdoherë me maskë? Ai nuk të tregon fytyrën e vërtetë, ai fsheh përballë teje të vërtetën. Po do të thuash kështu ka qenë dhe kështu do të jetë përherë? Apo gjithmonë ato janë të domosdoshme? Nuk ta shpjegoj dot. Eshtë pjesë e rëndësishme bashkëshoqëruese e njeriut sa është gjallë. Për më tej nuk e di. Prandaj t’i solla të mos i harrosh, se ato i përdor, si roja tek dera e spitalit, që kërkon lekë nën dorë e deri tek ministri me kollare. Do ta provosh, kur të punosh. Por, megjithëse është një e vërtetë, ajo mbetet e pamundur për t’u shpjeguar. Ti kur të bëhesh mjek duhet ti flakësh ato. Kurrë nuk duhen sidomos me pacientin. Me bashkëpuntorët kolegët ?! Nuk e di. Do të duhen…..” Ai ishte larguar nga dritarja dhe ishte zhdukur në errësirë mes vetëtimash. Maskat e grumbulluara në oborr ndriçuan dhe disa pika shiu filluan të bien mbi to. Disa qeshnin, disa të menduara,disa të trishtuara,disa të revoltuara. Ato po lageshin në shi…….

Ai u shkëput nga kujtimet, lulet dhe varri i gjyshit dhe doli në qytet. Rrugët ishin të mbushura plot. Qershori i atij viti kishte filluar me protesta të fuqishme. Ai dëgjoi refrenin e njohur të thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit… që buçiste në gjithë skajet e Tiranës, dhe që dëgjohej në gjithë globin. Ishte refreni i çudibërës, që dilte nga shpirti i atyre njerzve, që i urrenin maskat. Ata po flisnin hapur. Maskat e çdo lloji kishin rënë në tokë atë natë, si  gjyshi që i kishte hedhur grumbull në oborrin e tij.

NAPLES FLORIDA, 20 korrik 2026.