Artan Xhemal Duka: Mbyllja si fillim!
Humbi fillin!
Protesta i hyri detit më këmbë kur e lidhi fatin e saj me dorëheqjen e Ramës. Jo se nuk qëndron se arsyet për një gjë të tillë janë pafund por se nuk është realiste sepse nuk jemi… perëndim! Atje një protestë e tillë dinjitoze do të mbaronte punë sepse politikani ka aq cipë e faqe por tek ne, është një realitet hibrid ku edhe në politikë gëlojnë jo burra por “burreca” shteti që nuk ua ndjen as kur e bëjnë vetë apo të tjerët rrotull tyre “mullar”, as kur kapen mat, as kur u troket drejtësia në derë etj. Edhe sikur në rastin e mirë nuk është drejtuesi por ata rrotull tij që hanë “kumbullat” pas kurrizit të tij, boll kjo përzjerje me “krundet” del e tepron për drejtuesin të japë dorëheqjen si i pazoti apo i mefshtë për të bërë zap vartësit e tij; qytetari nuk i ka ndonjë borxh qoftë shpërdoruesit ashtu edhe të pazotit për të ruajtur pasurinë e tij.
Ndonse mblidhet në bulevard, protesta është futur në “qorrsokak” me këtë ultimatum dhe koha po tregon se nuk po punon për të. Në pritje të Godosë, ajo po sabotohet qëllimisht nga BeRama për t’u diskretituar e përçarë si protestë dhe ndërkohë po vet-qorrollepset edhe nga të vetët që edhe pas 50 ditëve protestë, nuk po ia nxjerrin “kokën” asaj.
Nuk është “dora” e BeRamës por është t’ia bësh vetes kur e lidh fatin e suksesin me një objektiv jo realist, kur refuzon dialogun si mundësi për publicitet e popullaritet ndërkohë që anatemon BeRamën për padukshmëri e arbitraritet, kur vijon me zallamahi opionesh e karshillëqe brënda vetes në shesh e dëshmon pazotësi për të gjetur një gjuhë të përbashkët e krijuar një platformë politike që ngjall shpresë e besim qytetar, kur nuk fton por intimidon qytetarin në punën e tij, kur i bën “buuu” mendimit ndryshe në shesh, kur flet për revolucion sikur të mos ia kesh idenë historisë etj.
Protesta nuk duhet të dështojë pa dhënë një rezultat ndryshe do të krijonte një shëmbull të keq për të ardhmen për çdo protestë duke u paragjykuar si mjet demokratik në vijimësi. Qëllimi i saj mbetet i mirë dhe i mirëpritur nga të gjithë, përfshirë edhe simpatizantët e BeRamës që ndajnë të njëjtat halle si ata në shesh, ndaj dhe e gjitha kjo përpjekje, nuk duhet bërë dëm!
Evoluim!
Ndonse akoma dorëheqja e Ramës mbetet objektiv, fati dhe suksesi i protestës nuk ka pse lidhet më me largimin e tij nga karrikja. Nuk ha pykë ndaj dhe suksesi i saj nuk ka pse lidhet më vetëm me dorëheqjen e tij por edhe me ngjizjen e një formacioni politik që frymëzon shpresën e besimin qytetar tek e ardhmja. “Këmbana” në shesh bie për ata që kanë veshë e ndonse një protestë e tillë dinjitoze do të kishte duk në perëndim, tek ne ajo nuk ka pse harxhon më energji me ecejakje ditore duke rënë në kurthin e politikës së paskrupullt të “shurdhër” që synon lodhjen e degradimin e saj.
Ajo duhet të evoluojë sa më parë në një organizim politik. Kauza ka qënë gjithnjë aty, fryma tashmë u krijua dhe mbetet vetëm koha për misionarët të prijnë. Sheshi nuk flet me një zë ndaj edhe grupimet e ndryshme duhet të dalin në pah, të shpalosin secili objektivat e platformat e tyre dhe më pas të ulen e urtë e butë të bëhen bashkë për gjëra që i bashkojnë, qofshin edhe afatshkurtëra, si mundësimi i rrotacionit, hartimi i një ligji zgjedhor të ri, ndryshimet kushtetuese, referendum për problemet kyçe në demokraci etj.
Ky do të ishte suksesi i vërtetë sepse ikja e Ramës në vetvete nuk i vë kapak gjërave nëse lejohet që vjetra të vijojë me fytyrë të re apo vetë e reja, që sheshi synon, të endet në zallamahi e anonimitet pa bereqet!
Gjithshka rrotullohet tek besimi ndaj edhe protesta duhet të shndërrohet në simbol të tij. Kërcënimi jetik për të mbetet kaosi i mendimit e ofertave që i tejzgjatur shndërrohet në bumerang me të fituar të vetëm BeRamën. Mund të mirëkuptohet vrulli i fillimit ku refreni që spikat është ai i çrrënjosjes të së shkuarës por tashmë ka kaluar shumë kohë që ndryshimi të bazohet ende tek naiviteti e spontaniteti politik. Askush nuk është i tepërt në shesh dhe qytetarët e lirë, partitë politike të reja, të vogla, të vjetra por të papërzjera në kulisat e tranzicionit etj, janë të gjithë të barabartë mes të barabartëve. Askush nuk mund dhe nuk duhet të paragjykojë tjetrin, diktojë refrene, platforma, rradhë për të folur etj sepse kjo është pikërisht fryma e prapë e karshillëkut që BeRama ngjizi këto 40 vjet që i dha edhe shkëndijën e parë protestës të zbresë në shesh.
Tryezë rrethore!
Për të vërtetën të gjithë kanë ç’të japin ndaj dhe tryeza e rrumbullakët e të gjitha palëve të interesuara për rregulla të reja loje në demokraci mbetet e vetmja rrugë përpara. Ndryshe, nëse janë të pazotë dhe e kanë të pamundur të gjejnë llafin me shoqi-shoqin tani që mbarë shoqërisë i ka rënë halli i madh në derë, si vallë do të zgjojnë besim për më tej apo do u shkojë filli kur të marrin përsipër të drejtojnë një vënd?! Të majtë, të djathtë, liberal apo konservator në shesh, sa kohë duan rregulla të reja korrekte loje demokratike për më tej, janë bashkë në një “thes”.
Nga nevoja për një ligj të ri zgjedhor që shpreh realisht vullnetin e votuesit si psh. ai mazhoritar, lehtësia për referendum për çështje madhore kombëtare e lokale, përjashtimi i partive nga mbështetja buxhetore, zgjidhja parimore e problemit të pronësisë historike, zgjedhja e presidentit nga populli si kundërpeshë ndaj karshillëkut qeveritar, referendumi për çdo ndryshim që i bëhet Kushtetutës, status modest për politikanin – rroga, pensione, shpërblime, bonuse bazuar në premisën se politika duhet të jetë mision e jo karrierë etj.
Mbase e nesërmja i ndan por e sotmja i bashkon ndryshe, nëse vazhdojnë me avazin e të rejave politike të “plakura” para kohe në këtë vënd, do të katandisen kopje e BeRamës dhe kopja dihet, nuk vlen as sa origjinali!
Mbi të gjitha qytetari meriton sinqeritet. Askush nuk pret mrekullira sa hap e mbyll sytë e që problemet do zhduken me magji, sado të përkushtuar të jenë pushtetarët e rinj. Qytetarin e besimin e tij nuk e vrasin thjesht problemet e hallet por mungesa e perspektivës dhe fakti që politika deri më sot jeton në “planet” tjetër. Sa kohë qeveria e politikanët janë në një “barkë” me qytetarin në “detin” e trazuar të halleve të përditshme, qytetari nuk e humbet as toruan e as durimin kur sheh politikanin përbri që ndan hallet me të. Boll për kaq të bien dakort që të gjithë në shesh të ndjehen një “parti” e pastaj populli t’i shohë si të tijët e t’u vejë pas.
Tani nuk është momenti për të valvitur flamurin partiak por flamurin që na përbashkon demokratik e kombëtar sepse në lojë nuk është vetëm demokracia si sistem por edhe interesi kombëtar – ekonomia, emigrimi, demografia, territori, natyra, politika e jashtme, kufijtë detarë, rilindja e krenaria me të vërtetat e mohuara gjatë për lashtësinë e të parëve tanë pellazgo-iliro-arbëror etj. T’a nisin se gjërat nuk bien nga qielli e koha të mëson. Mbyllja e ecejakjeve duhet të jetë një tjetër fillim!