Albspirit

Media/News/Publishing

KUJTIMET E USHTARAKU MADHOR ISMAIL SHULKU, VLERË PËR LEXUESIN

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Dëshmi historike e shkruar me përgjegjësi ndaj kujtesës ushtarake shqiptare

Fakt është se, kur historia rrëfehet përmes fragmenteve të shkëputura, por edhe përmes ndarjes estetike të një libri në dymbëdhjetë pjesë, sikurse është libri “Mes Uniformës dhe Kohës” (kujtime e mbresa) i ushtarakut madhor Ismail Shulku, ato marrin një rëndësi të veçantë. Një libër historik, i ndërtuar mbi dy etapa jetësore dhe i bazuar në burime autentike, të shkruara nga protagonistët e ngjarjeve, me këndvështrime të drejtpërdrejta mbi zhvillimet që kanë shoqëruar institucionet e shtetit, sikurse është Ministria e Mbrojtjes, merr edhe më shumë vlerë. Kujtimet e një ushtaraku të lartë nuk janë vetëm rrëfime personale, pasi ato janë pjesë e memories institucionale të Forcave të Armatosura dhe, në një kuptim më të gjerë, pjesë e historisë së shtetit shqiptar, copëza jetësore që ia vlen të lexohen dhe të përhapen. Në këtë aspekt, libri “Mes Uniformës dhe Kohës” është realisht një testament i kujtesës ushtarake dhe njerëzore, që vjen kaq natyrshëm në dorën e lexuesit. Në traditën e ushtrive moderne, kultura e shkrimit ka qenë gjithmonë pjesë e formimit profesional të oficerit dhe të gjithë ushtarakëve elitarë që rrezatojnë kulturë të gjerë dhe të thellë. Akademitë ushtarake më prestigjioze të botës u kushtojnë rëndësi të veçantë analizës, dokumentimit dhe botimit të përvojave operative, sepse vetëm përmes dokumentimit ndërtohet memoria profesionale e një institucioni. Çdo brez ushtarak mëson jo vetëm nga sukseset, por edhe nga sfidat e atyre që kanë shërbyer më parë. Pikërisht për këtë arsye, çdo libër i shkruar nga një gjeneral apo oficer karriere përbën një pasuri që tejkalon kufijtë e një autobiografie. Në librin e sapobotuar dallohet kultura e të shkruarit si një aftësi profesionale që nuk njeh moshë dhe që është e rëndësishme për faktin se, në brendësi të librit, gjen thjeshtësinë, faktet dhe ngjarjet, qartësinë dhe saktësinë. Libri ka një strukturë logjike dhe, mbi të gjitha, objektivitet, ku autori paraqet fakte dhe vlerësime të mbështetura e realiste, dhe jo opinione emocionale.

Ushtarakët madhorë, që kanë shërbyer si në ushtri të mëdha, ashtu edhe në ushtrinë tonë, dallohen për shkrime me referenca, të mbështetura në urdhra, raporte, analiza të inteligjencës, raporte sipas kushteve të veprimit, memorandume dhe dokumente planifikimi. Por, në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me dokumente të mirëfillta operacionalë, por me një libër kujtimesh e mbresash, që flet më gjerë dhe më saktë për një kulturë të shkruari, që nuk i ka harxhuar ditët dhe vitet pa produktivitet, por ka hedhur në letër kujtimet, duke vijuar të jetë i dobishëm edhe në moshën e pensionit. Ushtaraku madhor Ismail Shulku ka shkruar bindshëm dhe në mënyrë të menduar mirë, sepse e ka mësuar që në rininë e hershme se “të menduarit e mirë çon në vendime më të mira dhe më të drejta”. Por ai është edhe pjesë e dibranëve të mirë, që mençurinë e kanë profesion. Ky botim i Ismail Shulkut vjen si një kontribut i çmuar në literaturën ushtarake shqiptare, e cila ende ka nevojë të pasurohet me dëshmi të drejtpërdrejta nga drejtuesit që kanë qenë pjesë e proceseve më të rëndësishme të zhvillimit të ushtrisë. Kujtesa institucionale nuk ndërtohet vetëm me dokumente zyrtare, por edhe me përvojën njerëzore të atyre që kanë marrë vendime, kanë drejtuar struktura dhe kanë mbajtur mbi supe përgjegjësi të mëdha, që kanë shkuar deri në detyrën e komandantit të Frontit Verilindor të Shqipërisë.

*

Kontribut sinjifikativ në transformimin ushtarak shqiptar në dy epoka

Rrugëtimi profesional i ushtarakut madhor Ismail Shulku përkon me një nga periudhat më të rëndësishme të transformimit të Ushtrisë Popullore në Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Ai ishte pjesë aktive e një brezi drejtuesish që u përballën me sfidën e kalimit nga një ushtri e organizuar sipas doktrinave të së kaluarës drejt një force moderne, profesionale dhe të orientuar sipas standardeve euroatlantike. Ky ishte një proces kompleks, që kërkonte jo vetëm ndryshime organizative, por edhe një ndryshim të thellë të kulturës ushtarake, të mënyrës së drejtimit, të përgatitjes së personelit dhe të konceptimit të mbrojtjes kombëtare. Në këtë proces, drejtues si Ismail Shulku dhanë kontributin e tyre përmes përvojës, profesionalizmit dhe aftësisë për t’u përshtatur me realitetet e reja që impononte koha në transformimin e madh nga një sistem i centralizuar në një sistem të ri demokratik. Detyrat që ai ka mbajtur në nivelet më të larta të komandimit dhe administrimit ushtarak nuk ishin thjesht poste drejtuese, komanduese e organizuese. Ato ishin pozicione ku merreshin vendime që ndikonin në organizimin, funksionimin dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare. Pikërisht kjo e bën dëshminë e tij me interes jo vetëm për bashkëkohësit, por edhe për studiuesit e historisë ushtarake.

Edhe në ushtri, Ismail Shulku jetoi dy epoka: pa grada ushtarake dhe me grada ushtarake. Kështu, në periudhën nga 1 maji 1966 deri më 28 nëntor 1991, ushtarakët shqiptarë jetuan periudhën pa grada ushtarake, nën sloganin “gjithë populli ushtar”. Fakt është se, përtej gradave, qëndron karakteri njerëzor. Një nga mesazhet më të rëndësishme që përcjell libri “Mes Uniformës dhe Kohës” (kujtime e mbresa) i ushtarakut madhor Ismail Shulku është se autoriteti i një ushtaraku nuk ndërtohet vetëm mbi gradat apo funksionet që ai ka mbajtur. Ai ndërtohet, mbi të gjitha, mbi karakterin, integritetin moral e profesional, aftësinë për të fituar besimin e vartësve dhe respektin e kolegëve.

Në kuadrin e transformimit dhe të përgatitjes së ushtarakëve, kontributi i Ismail Shulkut ka qenë me vlerë, pasi ai, me gradën madhore kolonel, punoi intensivisht për të dërguar jashtë vendit kontingjentin e ri të ushtarakëve për t’u përgatitur me fizionomi dhe frymë perëndimore, duke i dërguar në shkollat më prestigjioze të botës, si në SHBA, Turqi, Gjermani, Itali, Francë etj. Ata u bënë avangarda e përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, organizatën më të madhe të sigurisë kolektive, duke i dhënë vendit më të mirën e mundshme në planin e përgatitjes për sigurinë dhe mbrojtjen.

Lexuesi kupton se, përgjatë gjithë rrugëtimit të tij profesional, ushtaraku madhor Ismail Shulku është përpjekur të mbetet besnik ndaj disa parimeve themelore që e karakterizojnë profesionin ushtarak, siç janë ndershmëria, disiplina, përgjegjësia dhe shërbimi pa interes personal. Janë pikërisht këto vlera që bëjnë që një komandant dhe drejtues ushtarak, në çdo nivel, të mbetet në kujtesën e bashkëpunëtorëve të tij edhe shumë vite pasi ka përfunduar karrierën aktive.

Dëshmitë e kolegëve që përfshihen në libër nuk janë thjesht vlerësime ceremoniale. Ato janë dëshmi të njerëzve që kanë punuar pranë autorit në situata të vështira, kanë ndarë përgjegjësi të rëndësishme dhe kanë njohur nga afër mënyrën e tij të drejtimit. Pikërisht kjo i jep librit një besueshmëri edhe më të madhe.

*

Një trashëgimi reale për ushtarakët e rinj dhe brezat që do të ndërtojnë të ardhmen

Libri “Mes Uniformës dhe Kohës” (kujtime e mbresa) i ushtarakut madhor Ismail Shulku nuk është një stoli intelektuale për raftet e bibliotekave, por një libër me vlera që do të lexohet për atë çka mbart dhe transmeton. Në një kohë kur brezat e rinj kanë mundësi të shumta informacioni, por shpesh pak kontakte me historinë e institucioneve shqiptare, botime të tilla fitojnë një dimension edukues. Ky libër nuk u drejtohet vetëm ushtarakëve. Ai është një ftesë për të kuptuar se shërbimi ndaj atdheut dhe deviza “Nderi, Detyra, Atdheu” janë të përhershme dhe në funksion të interesave më të larta e më sublime të kombit. Sikurse shkruan ushtaraku madhor Ismail Shulku, shërbimi ndaj atdheut nuk është një nocion abstrakt, por një angazhim i përditshëm, real, që ndërtohet mbi sakrificën, disiplinën dhe përgjegjësinë.

Për studentët e akademive ushtarake, veçanërisht për studentët dhe trupën pedagogjike të Akademisë së Forcave të Armatosura, për oficerët e rinj dhe për studiuesit e fushës së sigurisë, libri “Mes Uniformës dhe Kohës” mund dhe duhet të shërbejë si një tekst referues, sepse përmban jo vetëm episode tërësisht jetësore, por edhe reflektime mbi drejtimin, komandimin, organizimin dhe etikën ushtarake. Përvoja nuk mund të trashëgohet nëse nuk dokumentohet, ndërsa dokumentimi më i mirë është ai që buron nga njerëzit që e kanë jetuar historinë e zhvillimeve ushtarake, e cila, në rastin shqiptar, është tejet komplekse përgjatë 114 viteve të shtetit dhe të ushtrisë shqiptare.

Në këtë kuptim, libri i ushtarakut madhor Ismail Shulku është më shumë sesa një autobiografi. Ai është një akt përgjegjësie qytetare dhe institucionale, një kontribut në ruajtjen e kujtesës së Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe një pasuri për fondin e botimeve ushtarake shqiptare.

Historia e një kombi nuk shkruhet vetëm nga ngjarjet e mëdha, por edhe nga dëshmitë e njerëzve që i kanë jetuar ato me ndershmëri dhe dinjitet. Çdo libër ushtarak me kujtime të rëndësishme ushtarake është një gur i çmuar në mozaikun e gjerë të kujtesës sonë kombëtare, ndërsa çdo ushtarak që lë pas përvojën e tij përmes shkrimit kryen një shërbim të dytë ndaj atdheut, një shërbim dinjitoz në ruajtjen e historisë, duke lënë një trashëgimi profesionale për brezat që do të vijojnë misionin e ndërtimit të së ardhmes në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.

*

Veprimtari e larmishme e promovimit të librit “Mes Uniformës dhe Kohës”

Ushtaraku madhor Ismail Shulku, ish-ndihmës i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm për Frontin Verilindor, u ndie mirë kur, në pasditen e 13 korrikut 2026, Kryesia e Shoqatës AKUSH, “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”, kishte organizuar një aktivitet për promovimin e librit monografik “Mes Uniformës dhe Kohës” të ushtarakut Ismail Shulku, i cili është edhe zv/president i AKUSH. Fakt është se libri është një vlerë e shtuar e historisë ushtarake, që shtrihet në dy sisteme politiko-sociale: në ish-regjimin e kaluar dhe në demokraci, ku transformimet e Forcave të Armatosura dhe orientimi i plotë euroatlantik drejt anëtarësimit në NATO kanë shënuar një epokë përparimi të dukshëm dhe të vrullshëm. Ismail Shulku vonoi, por ia doli të botojë librin e tij me vlerë, edhe pse historinë e shkruajnë historibërësit. Ai ishte një pjesë e rëndësishme në drejtimin dhe komandimin e ushtrisë, një reformator dhe kontribues në forcimin e aftësisë mbrojtëse të Atdheut. Të gjitha këto vlera i solli me plot elegancë gazetari i talentuar Dëfrim Methasani dhe në diskutimet rreth vlerave të librit, ku spikatën Dr. Kujtim Çako, ish-zëvendësministër (1987-1992), President i AKUSH; Bajram Mana, ish-zëvendësministër (1982-1987) dhe gjeneral në pension, por edhe zv/president i AKUSH; si dhe Muhamet Bela, ish-deputet i Parlamentit të Shqipërisë; Gani Elezi, ushtarak i lartë, ish-komisar divizioni; gjenerale Manushaqe Shehu, ish-SHSH e P; Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi; ushtaraku madhor Kastriot Hadëri, poet i satirës etj. Në këtë veprimtari pati diskutime edhe nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, dega Tiranë, duke i dhënë promovimit vlera të shtrirjes mbarëkombëtare, si dhe duke sjellë reflektime me vlera historike, ushtarake e sociale mbi autorin dhe veprën e tij “Mes Uniformës dhe Kohës”. Pjesëmarrësit uruan me zemër autorin dhe e inkurajuan edhe për vepra të tjera në të ardhmen, pasi, sikurse thotë Neil Gaiman, “Një libër është një ëndërr që e mban në dorë”. Në fakt, ushtarakët e brezit të hekurt, brezit që përmbushi me sukses misionin e tij, natyrshëm tejkaluan çdo lloj ëndrre, sepse e bënë realitet mbrojtjen e territorit shqiptar përgjatë gjithë viteve të shërbimit ushtarak. Ky ishte misioni i përmbushur, ndërsa libri i shkruar është një detyrim ndaj brezave. Tashmë, me librin e publikuar, kolonel Ismail Shulku njihet edhe më shumë.

Ismail Shulku ka lindur në Peshkopi. Ai njihet gjerësisht si një ushtarak madhor dhe ish-komandant i Frontit Verilindor. Për kontributin e tij të vyer, ai është vlerësuar me dhjetëra medalje, urdhra e dekorata, por edhe me titullin “Nderi i Qarkut të Dibrës” dhe është cilësuar si simbol i ushtrisë dhe krenarisë. Nëse shkëpusim një citim nga gjenerali i nderuar Bajram Mana, ai është shumë domethënës dhe i saktë: “Ismail Shulku qëndron në majën e piramidës së elitës ushtarake. Ai ishte një ushtarak i nivelit të lartë me dije të admirueshme. Zotëronte njohuritë e teoricienëve dhe strategëve të Luftës së Dytë Botërore dhe të strategëve të kohës, si të Skënderbeut, Aleksandrit të Madh, Napoleonit, Klauzevicit, Zhukovit dhe të strategut tonë Mehmet Shehu. Unë kam kënaqësi që e kam pasur shok të idealeve, të punës e të jetës dhe ndihem krenar që kemi punuar së bashku në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë me Ismailin. Mua, shokut të fëmijërisë, Bajram Mana, më bëhet zemra mal për këtë vlerësim të jashtëzakonshëm për vëlla Ismailin dhe i uroj jetë sa më të gjatë, me qëllim që nga lartësitë e 100 viteve të shohë bukuritë e jetës e të gjakut të tij…!” Fakt është se ushtaraku madhor Ismail Shulku mbetet një personalitet i nivelit të lartë ushtarak, kompetent, i komunikueshëm, i drejtë dhe i mençur në detyrë, zgjidhës i problemeve, por edhe njerëzor e human. Publikimi i tij “Mes Uniformës dhe Kohës” është një udhëtim nëpër vite shërbimi, përkushtimi dhe vlerash të larta njerëzore, një jetë me uniformë, mes detyrës, nderit dhe Atdheut, e rrëfyer përmes kujtimeve të autorit dhe dëshmive të atyre që e kanë njohur, respektuar dhe bashkëpunuar nga afër. Ky botim përbën një dëshmi të një jete të shërbyer me disiplinë, përkushtim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie për detyrën. Nëse i bëjmë një përmbledhje të jetës, punës në FARSH dhe veprimtarisë së tij shoqërore, do të shkruanim: Ismail Shulku ka lindur në Peshkopi më 10 shkurt 1943. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje. Në vitet 1961-1964 kreu Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, Tiranë, me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1971 kreu një specializim dhe përfitoi një eksperiencë katërmujore në ushtrinë kineze. Në vitet 1974-1977 kreu me sukses Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm. Në vitin 1982 kreu Kursin e Lartë në Shkollën e Partisë “Mehmet Shehu”, Tiranë. Karriera ushtarake e Ismail Shulkut ishte sinjifikative: Në vitet 1964-1966 ishte pedagog dhe komandues në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Në vitet 1966-1974 ishte komandant kompanie dhe më pas komandant batalioni artilerie në Brigadën e Peshkopisë. Në vitet 1977-1982 ishte komandant i Brigadës së Këmbësorisë në Gramsh. Përgjatë viteve 1982-1985 ishte shef shtabi i Korpusit dhe më pas komandant divizioni në Burrel. Në vitet 1985-1992 ishte ndihmës i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë për Frontin Verilindor. Në vitin 1992 lirohet nga detyra për shkak të reformës në Forcat e Armatosura. Rikthimi në shërbimin aktiv ushtarak ishte në vitet 1997-2001, në funksionin e lartë të drejtorit të Personelit dhe Arsimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Në vitin 2001 del në pension. Përgjatë jetës dhe karrierës së tij të gjatë ushtarake ka marrë shumë dekorata, tituj, urdhra, vlerësime dhe nderime, si dhe titullin “Nderi i Qarkut Dibër”. Është anëtar aktiv i SHAKUSH dhe zëvendëspresident i AKUSH.

-&-