Albspirit

Media/News/Publishing

PULLA POSTARE SI MODEL I SHQIPES STANDARDE

Besnik Fishta

Pulla postare është shumë më tepër se një mjet pagese për shërbimin postar. Ajo është një dokument zyrtar i shtetit, një dëshmi historike dhe një ambasadore e identitetit kombëtar. Çdo pullë përfaqëson vendin që e emeton dhe, përmes figurës, tekstit dhe simbolikës së saj, përcjell kulturën, historinë dhe gjuhën e tij. Pikërisht për këtë arsye, çdo emërtim dhe çdo shënim në një pullë postare duhet të jetë në përputhje të plotë me normën e shqipes standarde. Një gabim gjuhësor, sado i vogël të duket, fiton karakter zyrtar dhe mbetet i dokumentuar për dekada, duke u bërë pjesë e historisë postare të vendit.

Kjo çështje nuk lidhet vetëm me filatelinë e Shqipërisë. Edhe filatelia e Kosovës, si pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe si institucion që komunikon në gjuhën shqipe, ka të njëjtin detyrim për respektimin e normës standarde. Përvoja tregon se në shumë raste Posta e Kosovës e ka zbatuar me korrektësi këtë standard, duke ofruar shembuj pozitivë që meritojnë të vlerësohen. Pikërisht krahasimi i praktikave të dy administratave postare tregon se zbatimi i shqipes standarde është plotësisht i realizueshëm dhe duhet të jetë i njëjtë në të gjitha institucionet shqiptare.

Një nga rastet më të shpeshta të shmangies nga norma është përdorimi i formës “Europe” ose “Europa” në vend të “Evropë”. Ky fenomen është vërejtur në disa emisione filatelike shqiptare, sidomos në pullat kushtuar kampionateve evropiane sportive, por edhe në emërtime të tjera ku kontinenti përmendet në tekstin shqip. Sipas normës drejtshkrimore të shqipes, forma e saktë është Evropë, ndërsa mbiemri është evropian. Përdorimi i formave “Europe”, “Europa” ose “europian” në tekstin shqip përbën një shmangie nga standardi, pasi ato nuk janë pjesë e leksikut normativ të shqipes.

Megjithatë, këtu duhet bërë një dallim i domosdoshëm. Kur në pullë përdoret logoja zyrtare ndërkombëtare EUROPA, ajo duhet të ruhet e pandryshuar, sepse është emërtim zyrtar i programit të përbashkët të PostEurop-it. Por kur fjala përdoret në tekst shpjegues ose në përshkrime në gjuhën shqipe, forma e vetme e drejtë është Evropë. Ky dallim duhet të jetë i qartë për projektuesit dhe redaktorët e emisioneve postare.

Në këtë drejtim, filatelia e Kosovës paraqet një praktikë të mirë. Në emisionet e saj dallohet qartë përdorimi korrekt i logos ndërkombëtare EUROPA, ndërsa në tekstet shpjeguese në gjuhën shqipe përdoret forma normative Evropë. Ky respektim i dallimit ndërmjet logos zyrtare dhe tekstit në shqip është një model pozitiv, që dëshmon se zbatimi i standardit është plotësisht i mundur dhe duhet të ndiqet edhe nga filatelia shqiptare.

Një rast tjetër, po aq domethënës, lidhet me përdorimin e saktë të leksikut. Në një emision filatelik shqiptar me temën “Portat shqiptare” me 2025, ilustrimet paraqesin në të vërtetë dyert e banesave tradicionale shqiptare. Nga pikëpamja e shqipes standarde, dera dhe porta nuk janë sinonime dhe nuk mund të përdoren si të barasvlershme. Fjalori i Gjuhës Shqipe i dallon qartë këto dy njësi leksikore: dera është hyrja e një ndërtese ose e një dhome, ndërsa porta është hyrja e një oborri, kalaje ose e një hapësire të rrethuar. Për rrjedhojë, nëse pullat paraqesin dyer banesash, titulli “Portat shqiptare” nuk përputhet me objektin e ilustruar.

Ky nuk është thjesht një diskutim terminologjik. Ai lidhet me saktësinë e informacionit që një pullë postare është e detyruar të përcjellë. Filatelia nuk është vetëm art grafik; ajo është edhe dokumentim. Prandaj, emërtimi i një emisioni duhet të jetë në përputhje të plotë me figurën që paraqitet. Në këtë rast, një titull si “Dyert shqiptare” do të ishte terminologjikisht më i saktë dhe në përputhje me normën e shqipes standarde.

Krahasimi me filatelinë e Kosovës e bën edhe më të qartë këtë dallim. Në emisionin e Postës së Kosovës kushtuar “Dyerve të Prizrenit” me 2022, është përdorur me saktësi termi dyer, në përputhje të plotë me objektin e paraqitur në pullë. Ky shembull tregon se respektimi i normës leksikore nuk është një kërkesë teorike, por një praktikë plotësisht e realizueshme. Krahasimi i dy emisioneve nxjerr në pah rëndësinë e zgjedhjes së fjalës së duhur në dokumentet zyrtare.

Emisioni shqiptar 2025 – “Portat shqiptare” (shembull i mospërputhjes terminologjike)

Emisioni i Postës së Kosovës 2022 – “Dyert e Prizrenit” (shembull i përdorimit të saktë të termit sipas shqipes standarde)

Fatkeqësisht, devijime të tilla nuk kufizohen vetëm te filatelia. Edhe në median shqiptare hasen shpesh forma si “Europe”, “Europa” ose “europian”, ndonëse norma standarde përcakton qartë format Evropë dhe evropian. Duke qenë se media ka një ndikim të madh në kulturën gjuhësore të shoqërisë, gazetarët dhe redaktorët duhet të jenë ndër mbrojtësit më të vendosur të standardit dhe jo përhapës të formave të pasakta.

Në të kundërt, shumë botime zyrtare të institucioneve në Kosovë tregojnë se përdorimi konsekuent i normës standarde është i mundur dhe duhet të shërbejë si shembull pozitiv. Kjo dëshmon se problemi nuk qëndron te mungesa e normës, por te zbatimi i saj.

Këta shembuj tregojnë se nuk kemi të bëjmë me një gabim të rastësishëm, por me një mungesë të qëndrueshmërisë në zbatimin e normës. Pikërisht për këtë arsye, çdo emision i ri duhet t’i nënshtrohet një verifikimi profesional gjuhësor përpara miratimit.

Standardi i gjuhës shqipe nuk është standard vetëm për Republikën e Shqipërisë. Ai është standardi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve. Për këtë arsye, institucionet shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë, si edhe institucionet kulturore e mediatike në të gjitha trojet shqiptare, duhet ta zbatojnë atë në mënyrë të njëjtë. Një gjuhë standarde e përdorur në mënyrë të unifikuar është një nga dëshmitë më të prekshme të unitetit kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve.

Përvoja tregon se çdo emision postar kalon nëpër disa faza: përzgjedhjen e temës, hartimin e projektit grafik, redaktimin, miratimin dhe botimin. Pikërisht në këtë proces duhet të përfshihet edhe kontrolli profesional i gjuhës. Një redaktim gjuhësor nga specialistë do të shmangte gabimet drejtshkrimore, terminologjike dhe leksikore, duke garantuar që çdo pullë të jetë po aq e saktë në përmbajtje sa edhe e realizuar në aspektin artistik.

Po kështu, vëmendje duhet t’u kushtohet edhe emrave historikë, toponimeve, emërtimeve shkencore të florës dhe faunës, si dhe përdorimit të saktë të terminologjisë kulturore e etnografike. Çdo pasaktësi në këto fusha dobëson vlerën dokumentare të pullës dhe krijon precedentë të panevojshëm në komunikimin zyrtar.

Shembujt e paraqitur dëshmojnë se filatelia shqiptare njeh si raste të suksesshme, ashtu edhe raste të shmangies nga norma, ndërsa filatelia e Kosovës ofron disa modele të mira të zbatimit korrekt të saj. Pikërisht këto përvoja duhet të shërbejnë për krijimin e një praktike të përbashkët redaktuese, ku çdo tekst i botuar në pullat postare t’i nënshtrohet kontrollit profesional gjuhësor përpara emetimit.

Në një kohë kur pullat postare të Shqipërisë dhe të Kosovës përfaqësojnë kulturën shqiptare në qindra vende të botës dhe ruhen përgjithmonë në koleksione, muze e arkiva, ato duhet të jenë modele të saktësisë gjuhësore. Respektimi i normës së shqipes standarde nuk është vetëm një kërkesë formale, por një detyrim institucional, kulturor dhe kombëtar. Një drejtshkrim i saktë, një terminologji e përzgjedhur me kujdes dhe një leksik në përputhje me standardin janë pjesë e përgjegjësisë që çdo institucion shqiptar ka ndaj gjuhës së përbashkët. Vetëm në këtë mënyrë filatelia shqiptare dhe ajo e Kosovës mund të shërbejnë jo vetëm si dokumente postare, por edhe si dëshmi të një kulture, një gjuhe standarde dhe një identiteti të përbashkët kombëtar.