Prof. As. Dr. MSc. Artan Xh. Duka: “Serumi” i lashtësisë!
Tatëpjeta e besimit
Përtej retorikave të reformave, arritjeve, “kozmetikave” urbane, dalldisë turistike (turizmi industri bazë apo bonus se boll një protestë që sipas Ramës e trëmbi atë, pale të bëjë vaki ndonjë luftë në rajon apo plasë ndonjë epidemi) etj, sërish moria e problemeve social-ekonomike e standarti demokratik e ai ligjor vazhdojnë ta mbajnë të zbehur sensin e perspektivës në vënd. Besimi dhe shpresa tek e ardhmja vazhdon të gërryhet e “vulën” ia vë edhe emigrimi masiv si dëshmi që qytetari nuk po gjen rehat në vëndin e vet.
Sigurisht që lëvizja e lirë është shprehje e lirisë dhe pritshmëria është që futja në BE të nxisë më tej këtë proçes por emigrimi do të mirëkuptohej kur qytetari tërhiqet më shumë nga e mira jashtë sesa shtyhet nga e keqja brënda vëndit të tij. Një boshatisje e tillë bart pasoja demografike, sociale, ekonomike, kulturore, kombëtare etj dhe klasa politike aktuale e qeverisjet e tranzicionit kanë përgjegjësi historike sepse e keqja nuk ndodhi brënda natës dhe u bënë ca si shumë për të qënë padije e rastësi.
Klasa sunduese politike po lë plot “litarë” përjashta që kanë nëpërkëmbur interesin demokratik e kombëtar. Nga vota, prona, pavarësia e pushteteve, tkurrja e deformimi demografik, zbrazja e fshatit etj, të cilat mbeten sfida reale për shoqërinë, politikën e interesin kombëtar, çështje këto që ngrihen me forcë edhe sot në bulevard.
PS e PD janë sot “vëllezërit siamezë” dhe kur opozita, si ushqyese në parim e shpresës qytetare është në vetvete një paradoks, kjo rëndon më tej besimin tek e ardhmja, besim ky që prek fundin kur mendon edhe qasjen e politikës ndaj interesit kombëtar e qëndrimin ndaj së shkuarës si premisë për identitet, dinjitet e optimizëm për më tej.
Vëndi po bëhet si i “huaj” dhe qytetari po emigron se nuk çfarë të humbasë e shpesh vet-asimilohet atje ku shkon sepse politika jo vetëm nuk punon për të ngritur imazhin e vëndit e bërë krenar bashkëkombasit jashtë por përkundrazi, po e rrënon atë imazh. Nga korrupsioni elitar, ngjarjet dramatike si 97, dhunat shtetërore si 21 janari, sagat e vazhdueshme të votimeve, përuljet ndaj fqinjëve etj, duke shtuar këtu edhe qëndrimin e vakët e të kompleksuar ndaj lashtësisë sonë pellazgo-ilire ku, duke i lënë hapësirë trillimit të fqinjëve, humbasim në identitet e bashkë me të edhe në dinjitet e krenari kombëtare që pastaj zbeh më tej besimin e shpresën tek e ardhmja.
Ndryshe nga Greqia e Sërbia që me lashtësinë e sajuar në kurriz të së vërtetës e meritës së kombit tonë, po manipulojnë për t’a përdorur atë si burim identiteti, reference, optimizmi e vendosmërie për të ekzaltuar qytetarin, fabrikuar motive për të ardhmen e mbajtur ndezur pasionet nacionaliste tek mbarë shoqëria e frymëzuar atë si homogjene para botës, tek ne, edhe kur na njeh merita bota, përfshi edhe ato në lashtësi, jo vetëm nuk bëhemi bashkë por grindemi duke mohuar ato.
Të mohosh atë që ta pohon bota!
Sot shkenca po sjell prova e dëshmi për lashtësinë e rolin spikatës të paraardhësve tanë psh. nga gjuha e folur mbi 8 mijë vjeçare, shkrime të tyre para erës së re (ABC-ja pellazge në pllakat mesapike në Itali), shkollat e universitetet nga lashtësia, vëndbanime e civilizim mbi 8 mijë vjeçar, bëma dhe protagonistë historikë në perandoritë e kohës, “gjurma” në legjendat e mitet nga zanafilla e njerëzimit etj, që natyrshëm duhet të na gëzojnë e bëjnë bashkë sepse zgjojnë dhe evokojnë krenari e dinjitet kombëtar që ushqen më pas vetë besimin tek vetja e shoqëria edhe për të ardhmen.
Shteti, institucionet shkencore, bota mediatike, intelektuale etj, duhet t’i përgëzojnë, festojnë e inkurajojnë, lobojnë e mbështesin financiarisht këto arritje e studjuesit pas tyre. Çdo hezitim, heshtje apo më keq kundërvënie, vetëm krijon hutim në publik për identitetin që buron nga lashtësia e dinjitetin kombëtar të lidhur me të.
Ne vetë nuk kemi pse të përjashtojmë apriori lidhjen ilire-pellazge kur vetë bota e pohon atë, të kufizojmë shtrirjen e gjuhës në kohë kur vetë bota e pranon që flitet pandërprerje për 8 mijë vjet, të shpallim me “vulë” se jemi gjuhë e huazuar kur e kundërta është e vërtetë, të mos bëzajmë për figura historike tonat që fqinji u jep “pasaportë”, të grindemi për gjëra që na bëjnë krenar e bashkë, të retushojmë tekste se mos u ngelet hatri fqinjëve, të mos financojmë e i futemi zyrtarisht arkivave apo shpërfillim gjetjet atje etj paradokse që ngrënë hamëndje plot.
Gjuha, dialektet, kultura, melodia, kënga e pentatoni, veshjet, zakonet etj tona nuk janë pasuri e rastësishme e një populli të vogël por të një kombi të madh të shtrirë historikisht nga lashtësia gjithandej. E kjo pasuri e autorët e saj duhet ruajtur, dokumentuar, trashëguar e reklamuar në mbarë botën pa pritur botën t’a zbulojë atë edhe për ne, sikundër ndodhi edhe me rastin e muzikës së filmit Odiseu.
Braktisja e fshatit, braktisje e zanafillës!
Fshati është bazë nga lashtësia për pasurinë kulturore e shpirtërore që trashëgohet brezave. Nga gjuha e dialektet, veshjet, kënga, zakonet etj. Mjerisht ato po braktisen, toka po ikën për “investitorë” 1 eurosh, popullsia po dyndet qyteteve ku spikat “modernja”, stili kozmopolit etj e ku folklori e trashëgimia zor se kultivohen, rregjistrohen, mbështeten etj duke u bërë “luks” në kushtet e mbijetesës. Përparësi merr “progresi”, mënyra perëndimore e jetesës, deri emigrimi e asimilimi gjetiu etj, të gjitha këto dëshmi e dështimit shtetëror për të ruajtur traditën e trashëgiminë e për rrjedhojë edhe lidhjen tonë me lashtësinë që shpie ujë më pas në mullirin e fqinjëve tanë sepse edhe brezi i ri po katandiset në “ufo” për historinë e të parëve tanë.
Zbrazja e fshatit cënon sigurinë kombëtare jo vetëm sepse po rrezikon sigurinë ushqimore për një komb por edhe sepse po rrënon lidhjen tonë me lashtësinë me ndikim në identitetin, dinjitetin e optimizmin për të ardhmen si komb.
Njerëzit nuk mund të detyrohen të jetojnë në fshat por shteti ndërkohë jo vetëm duhet të stimulojë jetesën atje por edhe të dokumentojë e nxisë trashëgiminë e pasur kulturore-historike atje sepse me ikjen e brezave, historia mjegullohet më tej duke lënë vënd për spekullime nga ata që e kanë dokumentuar trillimin historik 100 vjet para nesh – kur manipulohet e sotmja, imagjinoni çfarë është bërë me të shkuarën e lashtë!
Braktisja e fshatit, më shumë se problem ekonomik e demografik është alarm kombëtar. Po pritet “filli” që na lidh me të shkuarën ndaj nuk i duhet lënë fatit por fati duhet gatuar vetë – ishte fatlum kompozitori i Odisesë që gjeti njerëz akoma rrotull. Kujdesi në socializëm ndaj trashëgimisë kulturore nuk është i largët dhe ai duhet marrë parasysh.
Divat e ditës e viganët e lashtësisë!
Protesta në bulevard, krahas halleve të përditshme, duhet të shndërrojë në retorikë edhe rilindjen kombëtare 2.0 si premisë për identitet, dinjitet e optimizëm për më tej.
Flasim e gërmojmë shumë sot për diva të muzikës botërore, talente të sportit, mëndjendritur të botës së shkencës të sotme etj me origjinë shqiptare, i kërkojmë me qiri e një më dy i citojmë sipas oreksit, mburremi e krenohemi deri në patetizëm për to.
Ndërkohë, jo vetëm kemi harruar të famshmit brënda nesh (rasti i fyelltarit unik që e bëri të famshëm Hollivudi), por edhe refuzojmë famën e të parëve që bota na njeh. Kur vetë bota na thotë se jeni pasardhësit e pellazgëve “hyjnorë”, se gjuha e kultura jonë është dëshmitarja e fundit e mbetur e zanafillës së civilizimit në kontinent, kur arkivat e kërkimet tregojnë se plot figura të lashtësisë, mesjetës e deri më sot janë gjak i shprishur “shqiponjash” etj, ne qesëndisim e ndahemi me njëri-tjetrin ndërkohë që duhet të jemi bashkë e krenar padallim.
Ne nuk jemi ajo “vrima” e zezë në rajon të ardhur nga hiçi siç na kanë përshkruar fqinjët tanë që grabitën territor e histori bashkë por “muzeu” i Europës aq sa kur turisti vjen, vjen në “shtëpinë” e të parëve të tij! Vetëm kur të gjithë të pranojmë këtë “herezi” historike, vetëm atëhere të gjithë do të jemi krenar e të motivuar për të parë me optimizëm edhe të ardhmen përpara në vëndin tonë.
Shumë mirë që ka plot shqiptarë të mrekullueshëm në botë që me punën e talentin e tyre po ngrejnë lart emrin e vëndit të origjinës duke na bërë krenar të ndjehemi shqiptar. Por, përpara se të mburremi me ta, bëjmë mirë të ruajmë ata që kemi ende mes nesh apo ato që na e kanë lënë të parët tanë se koha bën të sajën dhe e vërteta e lashtësisë varroset më thellë.
Imagjinoni kur të “flasi” shqip edhe lashtësia për ato që na takojnë dhe i meritojmë se i bënë të parët tanë. Statuja e Akilit, Odisesë, Eneas, Homerit, Pirros, Aleksandrit, Aristotelit, Napoleonit, Teutës, Agronit e Batos, Konstantinit e Çezarit, Garibaldit etj mitive e figurave historike të betejave, burrave të shtetit, filozofëve e të diturve të kohrave, muzetë e historisë, tekstet mësimore, botimet shkencore etj, më shumë se për të huajt e turistët, do të vlejnë për ne.
Padyshim që do grishin vëmëndjen e kërshërinë e turistit për të vërtetat historike të “taposura” gjatë nga klishetë e sajesat e deritanishme por mbi të gjitha do të jenë “busulla”, “serumi” i mbijetesës e gurra e pashtershme e identitetit, dinjitetit, krenarisë, frymëzimit, besimit, shpresës e optimizmit sonë si komb për më tej. Aq i detyrohemi vetes dhe të parëve tanë!