Ruzhdi Gole: SFERA PLOT FRYMË
(Poe-prozë)
Ben,
Hija vret njeriun
apo njeriu përpiqet
ta vras hijen e re të tij?
Mundet? Nuk mundet?!
– Miku im,
kjo vetvrasje
gjetje ëndrre
dhe zhgjëndre.
Ooo, ç’vemëndje!
Mund të jetë edhe dashni
por dhe çengel i ri ndoshta…
Spikasin të përsosura
përmasat e njeriut
janë të kategorisë
së parë, coha
e veshjeve
pa sharë.
Ku fshihen krehëri, brisku, parfumet?
Njeriu i vrarë… vetvrasës
si përhera aq energjik,
aty-këtu asnjëherë
i njëtrajtshëm.
Sfera e jetës dhe e përtej jetës
pranë, veç-veç, të ndara
asnjëherë.
Sferat janë portrete më vete.
Kompozimi pjesë-pjesë.
E tëra e sferave është
më tepër se ato.
Si ringjallet koha, koha e florinjtë,
floriri i vërtetë vjedhur ndërkohë?!
– Ben,
Si qënka karikaturë ky Hark Triumfi?
Plot domethënie, i gjithi në gjithçka
i plotë dhe ende çelës kohërash
këtu, atje, gjithkund?
Kjo është njëherë vrasje e gjelbër
dhe njëherë vetasgjësim frymor.
Brenda një kompozimi
natyra dhe njeriu
therrorë.
Mençur pranëvenia, e qartë,
e kuptueshme. Dhe ngjyrat
duken se aty dhembin,
trishtohen.
Miku im,
fola me Hiqmetin.
Dëgjohej zë shumë i lodhur.
Ben,
është hera e parë që është shprehur
i pafuqishëm. Sa herë flas me të
zëri i tij më tingëllon po ai
i dikurshmi, veçanërisht
mendimet, gjykimet.
Natyrisht, të jetosh gjatë pa gruan,
të jetosh kohë e kohë në karrike,
të jetojnë dy burra AtBir
tmerrësisht keq
për….
Ben,
është sakrificë vetmohimi i vetes
dhe mohimi lehjes njerëzore.
E hirta përcjell mendim,
gjendje jo njëtrajtshme
të njeriut, qenies
detajeve.
Çdo sy i hollë sheh ndryshe nga tjetri!
Ndonjëherë,
vet e pashpjegueshmja,
është më e qartë se çdo tekst tjetër!
Prandaj punimet e tua nuk kanë
nevojë për asnjë
titull!
Si po të ecën Puna
me galerinë tënde
dhe albumin?
– Miku im,
sa shpejt përshtatet njeriu, aq shpejt
përpiqet të gjej tjetër vjegëz,
një buzagaz e sy ngjyrash.
A thua i gjen tjetër kund?
Fantastike!
Veç një mendje e hollë krijon
kaq mençur gjithçka ku
njeriu e bota e mjedisi
veçmas ecin përkrah.
Detajet, ngjyrat aty ndizen,
ndahen pranëvien, edhe
me dritë, edhe me hije.
Çuditërisht shoh një litar!
Ky litar aq sa nuk të tremb
aq është i marrë!
– Ben,
vajza e Hiqmetit ka qenë në Vlorë.
Është kthyer përsëri në Athinë.
Pjesë jeton tani Njeriu njeriut…
Do ta marr vet në tel. Benin – më tha.
Më foli për ftesën tënde me dal,
por tha: “nuk mundem”!
Ti bëj ç’të mundesh.
-Miku im,
gjetja, gjetja e njeriut mbi gjithçka!
Duket e thjeshtë, por mbart
një dhemshuri që jo
çdo frymor e ka.
Shenjestra për njeriun duket si rastësisht,
por rastësisht është veç pëllumbi.
Më pafajshmi, i sakrifikuari.
Ndjesi, shpirt i butë, një tis tragjizmi
përhera veç prej njeriut ndaj njeriut,
frymorëve të tjerë, të k’saj natyre,
shpesh beseprerë…
– Miku im,
SHPIRTI është çelësi më i vërtetë dhe magjik i kësaj bote,
çelësi që merr formë sipas bravës, llojit, gjinisë së gjindjes
njerëzore.
Një çelës sa i akullt po aq i prushtë,
i butë, kërcënues, prej puplash
dhe prej gjembash.
Një çelës
për një gojë të vogël brave,
për një gojë të pambarimtë.
Ku gjendesh ky çelës,
ku fshihet?!
Patjetër, njeriun kërkojmë, njeriun
e mendimit, aty e gjejmë, e duam,
e humbasim, përpiqemi
ta gjejmë sërish.
Me portret të vrazhdë, vrazhdë aspak,
ky mendimtar diogjenik – pasqyrë
filozofie qysh nga Aulona
dhe Dyrrahu i lashtë.
Tek ne ka mbërritur, ca i zhgënjyer,
beson tek njerëzimi jo veç tek yjet…
– Ben,
nuk ka vetëm Deti
peshq dhe rrjetagrepa,
të ngopur e të pangopur,
të frikësuar e të shprishur.
Arti i vërtetë jeton pa tituj!…
Këtu është vet dituri-jeta
me thirrmat, thurrimat
dhe thërrimet e saj.
Simbolika është e qartë
nëse vrasim mëndjen.
E vrasim mëndjen
jo gjer në cakun
e tej cakut
të artë.
– Miku im,
Njetrajtshëria është pa fytyrë!
Ç’është kjo vrasje e re, vetvrasje
me fishekë pikëllimi,
zhgënjimi,
fataliteti?
Ia kemi dëgjuar krismën?
A do ia dëgjojmë?
Kjo shembëlltyre
fati na afrohet
tinëz!
Tek ne e Vërteta ka mbërritur
duket ca e zhgënjyer,
beson tek njerëzimi
jo veç tek yjet…