Ruzhdi Gole: QËNDISJE. BLU
Skicë
Asnjë shenjëz blu?
Shenjëza s’paska gishta të shkruaj,
bluja të flasë nuk paska kurrkund gjuhë?
Rrëmujë rrëzohu, o, rrëzomë ngrihu!
Ç’paske ndër gishta? Qiri të ftohur?
Ç’paske shtat? Një drobitje njeriu?
Drobitja, drithshëm, aty cak-cak,
heraz luan me shtegun e brinjës,
brinjës së gruas
vetullat flaktë.
Drobitja zbriti vrapvrapthi
qysh herët, vrapi përpiqet
thellë natës së vranët
së mbrami të mos
flerë vrerët.
Rrëzohu rrëmujë, o, ngrihu rrëzomë!
Shtegu plot gjinj, shtegu prerë gjunjsh,
tërfili qesh në gojë. Para, prapthi,
zërat s’janë të hershmit dëbonjë.
Akoma faj të pafajshmit?
Mbrëmja plotplot me qirinj të fshehtë,
të dashuruarit s’vuajnë të jetojnë
heronj, ata heroike kanë
përleshjen e vet.
Ajri i drobitur, buzë tërfiltë.
Bota s’paska ujë një pikël?
Një pikël xixëllonje
ngroh gishtrinjtë.
Asnjë shenjëz blu?
Mbrëmja sonte nga njerëzit
paska tjetër gjuhë.
Ç’ka ngjarë, paçka, drethklat
e hijes na ecin përkrah,
paçka se trishtimi
rritet shkurtëz,
vrojtohet thellë nesh
fle në një krah,
aty përgjysëm.
Me pëshpërimë tani ngadhnjen nata,
nata ndjehet, gënjehet pak qan
shplan duart,
mbyll sytë
tej reve.
Nuk prehet, asku’ nuk mpihet.
Nata del nga qëndisjet.
Bluja shend shenjëz,
mërzia k’put’ grep,
Furtuna plot sy duket e verbër,
rrëmuja, sonte, e njelmët,
e butë, e shenjtë.