Prof. dr. Bardhosh Gaçe: MENDIMI ESEISTIK-FILOZOFIK I SADIK BEJKOS
Poeti, shkrimtari dhe studiuesi Sadik Bejko, kohët e fundit vjen me disa libra të fushës studimore, të cilat kanë tërhequr vëmendjen për gjerësinë e pasqyrimit të problematikave letrare, filozofike, të koncepteve mbi qytetërimin, si dhe në profilizime portretesh të ndryshme të shkrimtarëve apo njerëzish të shquar në fushë të artit. I njohur për elokuencën e tij shkrimore, për frazën e punuar dhe konkretësinë e faktit të interpretuar me një logjikë asnjanëse, Sadik Bejko mëton dhe ia arrin me sukses të të bindë, jo vetëm për vërtetësinë e problemit, por edhe për trajtimin e tij shterues, në pak faqe.
Në shkrimet e Bejkos ka pozitivitet, afirmim vlerash, memorie dhe evidentim, çka flet jo vetëm për dashamirësinë e tij ndaj njerëzve të artit, por edhe për kompetencë, që vjen nga njohja e gjerë e artit, qytetërimin botëror e atij shqiptar, por edhe nga inteligjenca e tij, intuita dhe përgatitja e gjatë, nga leximi i veprave letrare, filozofike dhe i mendimit kritik shqiptar dhe botëror.
Ai ka punuar për një kohë të gjatë si pedagog në UT dhe leksionet e tij tërhiqnin një numër të madh studentësh për gjerësinë e pasqyrimit të tyre, konkretësinë, mënyrën e veçantë të trajtesës, pse jo edhe për diksionin e zërit të tij intonues e imponues. Po kështu edhe në takime letrare, veprimtari, përurime, juri e gjithandej, ku është kërkuar të jetë, Sadik Bejko ka spikatur për fjalën e tij të mençur, të domosdoshme, nganjëherë për të vendosur një rend të drejtë të gjykimit estetik, kur mendimi çorientohej nga moskuptimet e të tjerëve.
Aktiv dhe interesant, i dëgjueshëm dhe imponues pa diktim autoritar, por që e fiton autoritetin nga dija, profesor Bejko mbetet një zë i veçantë dhe i kthjellët në mendimin estetik të kohëve të fundit dhe që vazhdon të shkruajë, të polemizojë e gjithmonë duke u dhënë prioritet çështjeve thelbësore nga jeta, nga letërsia, arti dhe filozofia. Kështu ai, me kohë, ka plotësuar formatin e një burri mentar, të ditur dhe kontribues, duke u spikatur që herët e në vazhdim si një intelektual i guximshëm dhe një eseist e kritik letrar me peshë, si personalitet i shquar dhe i padiskutueshëm në letërsinë shqipe e mendimin modern shqiptar.
Fusha e studimit nuk është e lehtë, ajo kërkon vëmendje dhe duhet të shmangësh fjalitë e rrumbullakosura, stereotipet e frazave, klishetë në të menduar, të cilat shpesh ndeshen në autorë pa përvojë. Eseisti e polemisti Sadik Bejko është i lirshëm në të menduar, ai nuk përdor fraza të njëjta nga studimi në studim, shmang me zotësi stereotipet e frazizmit dhe çdo trajtesë e ngre me sukses në nivelin e pranuar të origjinalitetit të saj. Në këtë pikëpamje, Bejko është brenda stilit të tij në vlerësimin e situatave letrare të përdorimit të teknikave analizuese si dhe të mjeteve të realizmit të objektit që ka marrë në shqyrtim.
Kështu, eseja e tij bëhet e gjallë, e shëndetshme, nuk të mërzit me fraza bosh, të stisura dhe të kodifikuara në mënyrë të tillë që të bëhen të vështira në emër të abstragimit si modë, jo, fraza e Bejkos mbetet e zhdërvjellët, plot potencim mendimi dhe reflektimi të tij në mënyrë të natyrshme, larg klishesë dhe rrumbullakësisë.
Sadik Bejko në begatinë e estetikës dhe polemikës së vet, përdor një numër të madh termash shkencore me anë të të cilave identifikon dukuritë apo përvojat që vijnë nga këndvështrimet e tij, por nëpërmjet një logjike të rrjedhshme ai u reflekton vlerën këtyre termave, në kuptueshmërinë e thjeshtë që ato duhet të përçojnë te lexuesi, por edhe në vlerat e veçanta estetike të tyre.
Libri i tij i ri është ndarë në disa kapituj, përkatësisht: “Ese”, “Kronikë letrare”, “Polemika”, “Intervista”. Në kapitullin e parë, autori merr në shqyrtim figura të tilla, si: Ndrekë Luca (aktor), Havzi Nela, At Artur Liolin, Mustafa Krujën, Tonin Tërshanën, si dhe dukuri të ndryshme, që kanë të bëjnë me qytetërimet, oksidentin dhe orientin apo me tradita dhe zakone e aspekte të miteve,-të gjitha të trajtuara me kompetencë e zotësi, si gjithnjë, duke u shkuar në thellësi problemeve, dukurive të ndryshme të artit e të shoqërisë, të cilat kanë gjetur në momentin e duhur emra njerëzish të shquar, kontribues të çmuar në fushën e jetës.
Në kapitullin e dytë shpërfaqen shënime e reflektime të ndryshme, takime letrare, si dhe vlerësime mbi vepra të autorëve bashkëkohorë, ku poeti më së shumti shkruan për autorë të rinj ose autorë që ndodhen në rrugën e afirmimit dhe në kërkim të vazhdueshëm të plotësimit e ngritjes së identitetit të tyre letrar dhe artistik. Bejko gjithnjë ka qenë një përkrahës i talenteve të reja dhe, nëpër takime letrare, e ka thënë fjalën jo thjesht për inkurajim, por duke qëmtuar vlera dhe risi, të cilat nuk kanë qenë thjesht një qokë, por kanë zënë vend mirë në ndërgjegjen e krijuesve të rinj si nxitje.
Kapitulli i tretë me titullin “Polemika” paraqitet me dy shkrime mjaft interesante. Bejko është një polemist i zoti dhe na rrëfen rolin e intelektualit në shoqëri. Ai është shembulli i njeriut të mençur dhe realist, që e gjykon kohën jo si kapërcim skandaloz i një etape të saj pa marrë asgjë nga etapa tjetër, por si trashëgimi vlerash, pa mohuar prioritetet e reja të saj.
Polemika e Bejkos nuk e njeh gjuhën rrënuese dhe përçmuese, ajo nuk kalon në sharje as në përçmim, por gjithnjë të bind se nga cila anë anon e drejta dhe si duhet llogaritur pozicioni i gabuar i tjetrit, ku flenë interesat dhe ku zgjohet instinkti i egërsisë apo i babëzisë. Koha e sotme, mjerisht, prodhoi shumë mizantropë, servilë, hipokritë, njerëz vetmohues të së djeshmes, mendjemëdhenj e rrahagjokës, të cilët rendën në demokraci pa u kujtuar për fytyrën e tyre të djeshme. Bejko me forcën e fjalës së tij dhe argumentimin e qartë e bindës kërkon t’i kthejë këta njerëz në rrugën e arsyes së shëndoshë jo si moralizues.
Në kapitullin e fundit “Intervista” Bejko rrëfen dhe vetërrëfehet-nëpërmjet ligjërimit të tij karakteristik dhe të shtruar, i bën një vështrim të sinqertë kalvarit të jetës së tij, sfidave dhe mundimeve që i kanë sjellë ato, por edhe rrugës së tij nëpër kohë-e në to shënohet njëkohshëm edhe realiteti i gjallë i intelektualit të ndershëm si dhe, i poetit, i cili u pengua, por kurrë nuk e braktisi artin e fjalës Bejko i bën një skaner shoqërisë së dikurshme përmes mendimeve të tij, dukurive kohore dje dhe sot, ai shfaqet si: politolog, kulturolog, psikolog dhe analist i paanshëm, duke dëshmuar njohje të gjerë të problemit për ta paraqitur me një numër të kursyer arsyetimesh bindëse.
Esetë e Sadik Bejkos, në shumicën e tyre, ngrihen mbi elementin jetësor të personazhit që trajtojnë dhe ky element jetësor ndërtohet edhe me fakte biografike, aq sa i duhen autorit për ta shkruar esenë e tij. “Triptik për Havzi Nelën” është një ese e tillë që e ilustron këtë mendim. Krahas elementeve jetësore, autori sjell edhe vlerësime të shkurtra dhe shumë interesante për veprën e tij.
Ai i mbetet parimit vlerësues letrar- filozofik se një vepër letrare mund të shihet dhe duhet të shihet si e tillë lidhur me jetën e krijuesit letrar dhe se jeta e krijuesit letrar nuk mund të shihet e shkëputur nga koha në të cilën ai jeton. Aspekti politik dhe sociologjik është mjaft i rëndësishëm. Shumë artistë me pikëpamjet e tyre politike e kanë kapërcyer kohën, si Havzi Nela, edhe pse vepra e tyre artistike nuk e kapërceu kohën, por gjithsesi jeta nganjëherë na imponon ta shohim edhe veprën me vlerat e jetuara si njeri. Kështu është gjykimi letrar me shumë qasje dhe këndvështrime, prandaj letërsia është e bukur, ndërsa gjykimi për të lidhet me shumë këndvështrime. Eseistika e Sadik Bejkos na mëson për këtë, duke çelur vizione të reja në bashkëkohësi.
Pozicioni autorial i Sadikut shfaqet në disa aspekte, ai është lexuesi, adhuruesi, shoku, miku i artistëve, por edhe gjykuesi e vlerësuesi i krijimtarisë së tyre. Dhe kështu nga esetë e tij mund të mësojmë mbi detaje takimesh apo të kuptojmë ato edhe si vlerë e tipare reportazhiste, ndonjëherë edhe si tregime artistike me episode udhëtimesh, takimesh, shkëmbim mendimesh, sepse qëllimi i tij nuk është të japë mendime ekskatedra për artin, por ta shohë atë si pjesë e marrëdhënieve njerëzore, si vuajtje e artistit nëpër dramat e kohës apo konjukturat e saj. Dhe shembull për këtë mund të marrim esenë “Ndrekë Luca dhe drama ime”, “Paqja e përgjakur”. Kjo ese na sjell edhe një herë ndërmend sesa vështirë ishte të bëje art nën një regjim survejues dhe imponues, por edhe të kuptojë se si suksesi i arritur shpesh bëhej një brengë e madhe kur duhej të prisje nga çdo anë dredhitë e mediokrëve.
Në një varg esesh si “Tonin Tërshana, vazoja e artë e artistëve që nuk vijnë më”, apo esenë për Llukë Kaçajn etj, autori rrëfen e shtjellon rolin e talentin në një periudhë të caktuar dhe “humbjen” e tij për shkak të ngushtësisë së epokës ku jeton. Në asnjë vend të Lindjes totalitare, artisti nuk është ngushtuar më shumë se në Shqipëri, kështu, këto talente u detyruan të njohin talentin e tyre aq mundësi sa u jepte kufizimi ideologjik kohor, ndërsa, po të jetonin në një sistem tjetër, s’dihet se çfarë mund të bëheshin, sa të pasur e sa të famshëm do të ishin. Ata më të guximshmit, u shkuan në plumb si: Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Trifon Xhagjika, ndërsa shumë të tjerë u mbajtën nën trysni dhe u vlerësuan aq sa lejonte propaganda zyrtare e kohës.
Përgjithësisht, në esetë e tij, Sadiku përdor një gjuhë të kursyer, ai nuk ndalet gjatë dhe nuk shtjellon shumë, duke treguar se është një mjeshtër i vlerësimeve domethënëse dhe i analizave të shkurtra. Ndonjë ese e tij ngjet si prozë poetike, siç është eseja për Llukë Kaçajn dhe At Artur Liolin, sepse ai nuk mund t’u shpëtojë dhe s’mund të mos ndikohet prej fantazisë së tij poetike, duke qenë kështu një nga poetët më të spikatur të poezisë bashkëkohore shqipe. Një tipar tjetër i eseistikës së Sadik Bejkos është se ai memorizon dhe nëpërmjet kujtesës kërkon të gdhendë dhe të përçojë aspekte të kujtesës emocionale-dhe kjo ka të bëjë me zgjedhjen e atyre detajeve dhe episodeve që janë më interesantë dhe që e trondisin lexuesin. Ndjenja dhe emocioni marrin një ngjyrim të ngrohtë e herë dramatik në esetë e tij, sidomos në kapitullin e parë të këtij libri.
Siç e theksuam edhe më lart dhe siç kemi dëshirë ta evidentojmë përsëri, në penën e Sadik Bejkos vijnë një numër i madh letrarësh, çfarë flet për dashamirësinë e tij, por edhe për vëmendjen që duhet treguar ndaj më të rinjve. Sot propaganda televizive dhe skupet e saj janë përqendruar vetëm në pak emra, shumë propagandues as i kanë lexuar librat që reklamojnë, duke treguar kështu një papërgjegjshmëri, në ndikimin e një atmosfere të turbullt letrare dhe të një përmbysje të kriterit të vlerave. Mungesa e leximit dhe e zërave kurajozë e të ndershëm është tipar i këtij kaotizmi letrar.
Sadik Bejko dëshmon se është një nga zërat e epërm që lexon dhe i ndershëm për ta thënë fjalën me kurajo në evidentimin e talenteve të reja apo shkrimtarëve për të cilët heshtet. Jo si kundërpeshë e këtij fakti, por si vërtetësi e fjalës së guximshme. Si ilustrim për këtë mendim sugjerojmë të lexohet eseja “Qarku ku janë përballë mali dhe deti, Oksidenti dhe Orienti”. Ky shkrim si dhe shkrime të tjera të ngjashme për nga tematika me të, si shkrimi “Poezia bashkëkohore shqipe një biografi e munguar dhe e mirëpritur”, na afron idenë se në vlerësimin e vlerave letrare, krahas njohjes së aparaturave të vlerësimit, po kaq e rëndësishme është ndershmëria krijuese.
Në kapitullin e dytë të këtij libri eseistik-studimor Bejko na bie profile të krijuesve të ndryshëm si: Thanas Dino, Ilinden Spasse, Ibrahim Vasjari, Ani Vilms, Entela Kasi, Izet Shehu, Alisa Velaj, Ana Petrela, Bujana Malaj, Hasan Muzli Selimi etj-si gjithnjë ekzigjent e dashamirës, Bejko sjell vlerat e secilit jashtë çdo paragjykimi me pozitivizmin e tij dhe me kompetencën shkrimore në analizën e ideve, realizimeve e mjeteve shprehëse për krijimtarinë e secilit.
Duke kundruar këtë libër nuk mund të mos përmenden edhe shkrimet e tij për qytetërimet e botës. Si pedagog në UT, Sadiku ka ligjëruar lëndën e Qytetërimit botëror. Në dy ese të arrira “Thelbi i qytetërimeve nga Ndriçimet e Mëdha në ditët e sotme” dhe “Pajtimi dhe harmonia shoqërore në rrjedhën e qytetërimeve”, shkurt e saktë, me një mendim të ngjeshur, konciz dhe interesant, autori na sjell mesazhet e qytetërimit nga lashtësia e deri më sot. Qytetërimet pësojnë ndryshime drastike apo evolucione të ngadalta, por disa ide bazike të tyre janë universale.
Intervistat e Bejkos tregojnë për një pozicion të palëkundur intelektual, përcaktuar nga dinjiteti dhe ndershmëria, aftësia dhe guximi për t’i thënë gjërat në kohën e duhur. Sadik Bejko vuajti dramën e intelektualit dje për shkak të persekutimit dhe heshtjes për një kohë të gjatë, por me intervistat e tij pasqyron edhe dramën e intelektualit të sotëm, i cili nuk është në pozicionin e duhur të drejtimit për shkak të një shoqërie të çoroditur dhe një administrate shtetërore piramidale autokratike.
Në intervistat e tij shihen edhe proceset pozitive të evolucionit shoqëror, evidenton ide dhe fakte të ndryshme. Aty kemi mendime dhe porosi të mençura, sugjerime dhe kalkulime të detajeve apo të dhënave që e çojnë mendimin, se si një shoqëri mund të gjejë rrugët e saj sa më të drejta. Por në intervistat e tij jepen edhe të dhëna nga jeta e autorit. Sadik Bejko, poet, shkrimtar, kritik e studiues letrar, pedagog, bëri edhe punë të rënda si i dënuar në minierë, por asnjëherë nuk i tradhtoi parimet e tij sociale, kulturore artistike. Nuk mund të themi se vështirësitë e kalitën, në ndonjë rast e dobësuan, por ai, sidoqoftë, edhe në çaste dobësie e rigjeti veten, duke shpresuar për ditë më të mira, pa e ndarë kurrë librin nga dora dhe dëshirën për të shkruar nuk e shoi asnjëherë.
Libri në fjalë sjell një përvojë të gjatë në fushën e esesë dhe të studimit letrar, ai dëshmon më së miri edhe për vlerat e tij të shquara si njeri dhe si studiues në zë, duke prurë më mirë se kushdo modelin e një eseje me elementë të ngrohtë dhe qasje kulturore të rëndësishme e bashkëkohore.
Tiranë- Vlorë, 28 qershor 2026.