Kur dhimbja nuk duket: historia e një gruaje që humbi zërin e saj
Alma Mehmeti
Në ditën e martesës së saj, të gjithë shihnin një festë. Kishte muzikë, urime, buzëqeshje dhe njerëz që besonin se po fillonte një kapitull i bukur. Por askush nuk shihte betejën që zhvillohej brenda saj.
Shkëndija nuk qante për dasmën. Qante për ndarjen nga ajo vajzë që kishte qenë deri atëherë. Nga shtëpia ku ndihej e sigurt, nga zëri i nënës, nga pyetjet e thjeshta të babait dhe nga liria për të qenë vetvetja.
Babai i kishte blerë një dyshek të mirë, me mendimin se vajza e tij do të kishte një vend të rehatshëm ku të pushonte pas lodhjeve të jetës. Ishte një dhuratë e bërë me dashuri. Por askush nuk mund ta parashikonte se lodhja më e madhe nuk do të vinte nga puna, por nga një shpirt që do të fillonte të mbante peshë çdo ditë.
Shkëndija hyri në martesë me atë që kishte më të çmuar: edukatën, mirësinë dhe dëshirën për të ndërtuar një familje. Por shumë shpejt kuptoi se një shtëpi nuk është domosdoshmërisht një vend ku njeriu ndihet i mbrojtur.
Në fillim dhimbja nuk erdhi me zhurmë. Erdhi ngadalë. Një fjalë që lëndon. Një heshtje kur ajo kishte nevojë për mbështetje. Një kritikë e përsëritur që me kalimin e kohës fillon të ndikojë mënyrën si njeriu e sheh veten.
Në psikologji, plagët emocionale shpesh janë më të vështira për t’u dalluar, sepse nuk lënë shenja në trup. Një njeri mund të vazhdojë të punojë, të buzëqeshë dhe të kryejë detyrat e përditshme, ndërsa brenda vetes ndihet gjithnjë e më i lodhur.
Kjo ndodhi edhe me Shkëndijën. Ajo mësoi të heshtte. Jo sepse nuk kishte çfarë të thoshte, por sepse me kalimin e kohës filloi të besonte se zëri i saj nuk kishte rëndësi.
Kur një person përjeton vazhdimisht mungesë vlerësimi, ai mund të fillojë të dyshojë në veten e tij. Pyet veten nëse po kërkon shumë, nëse po ankohet pa arsye, nëse duhet të durojë edhe pak. Dhe pikërisht këtu fillon humbja më e madhe: kur njeriu largohet nga vetvetja.
Shkëndija shpesh mendonte të kthehej te prindërit. Por mes dëshirës për të shpëtuar veten dhe frikës nga gjykimi i të tjerëve, ajo zgjodhi të qëndronte. Jo sepse vuajtja ishte e pranueshme, por sepse ndonjëherë njerëzit ndihen të bllokuar mes asaj që përjetojnë dhe asaj që mendojnë se duhet të bëjnë.
Me kalimin e viteve, ajo nuk u lodh vetëm nga punët. U lodh nga mungesa e ngrohtësisë, nga mungesa e fjalëve të mira dhe nga ndjenja se askush nuk e shihte vërtet.
Por brenda saj mbeti një pjesë që nuk u shkatërrua. Ajo pjesë që e kujtonte vajzën që kishte qenë dikur. Vajzën me ëndrra, me shpresë dhe me besimin se dashuria duhej të sillte siguri, jo frikë.
Historia e Shkëndijës tregon se dhimbja emocionale nuk duhet të nënvlerësohet. Një njeri nuk ka nevojë vetëm për ushqim, strehë dhe një çati mbi kokë. Ka nevojë të ndihet i dëgjuar, i respektuar dhe i dashur.
Sepse një dyshek mund t’i japë pushim trupit, por vetëm dashuria dhe respekti mund t’i japin pushim shpirtit.
Një martesë nuk ndërtohet vetëm me një ceremoni. Ajo ndërtohet çdo ditë me kujdes, mirëkuptim dhe siguri emocionale.
Dhe ndonjëherë pyetja më e rëndësishme që duhet t’i bëjmë dikujt nuk është: “A i ke bërë detyrat e tua”?
Por: “A je mirë vërtet”?