Jani Malo: SI U BËRA PATRONAZHIST
E di që titulli i këtij rrëfimi mund të lërë vend për spekulime. Pyetja që mund të më bëjë secili nga ju është se çfarë më shtyu që të bëhesha patronazhist në këtë moshë dhe, për më tepër, kujt i hyn në punë një njeri si unë, që i ka kaluar të shtatëdhjetat.
Duke ditur se lexuesi është si gjuetari dhe qëllimi i tij kur lexon një shkrim është të zbulojë ku fle lepuri, do t’ju lutesha të bënit pak durim. Mungesa e durimit është këshilltari më i keq i çdo gjuetari dhe, natyrisht, edhe arsyeja kryesore pse shumë prej tyre ose kthehen duarbosh në shtëpi, ose detyrohen që ta blejnë gjahun në pazar, vetëm e vetëm për t’u mburrur në klubin e fshatit.
Dita qe në të ngrysur. Dhe unë isha ulur në një nga kafenetë e lagjes. Jo për të rrëfyer për trofetë në gjueti – asnjëherë nuk më ka ecur, me përjashtim të një radhe që e kam shkruar në një tregim tjetër – por kësaj here kisha shkuar për të ndjekur një nga ndeshjet e Botërorit.
– A mund të ulem? – më tha ai.
– Patjetër, – thashë.
Ndërkaq ai ishte ulur pa e pritur përgjigjen time. Nuk isha i sigurt nëse ishim fqinjë, por një detaj e kisha fiksuar. Vendet e makinave i kishin ngjitur në katin -2 të parkimit të pallatit. Ai linte në të njëjtin vend, sipas rastit, makina të markave të ndryshme. Të gjitha të vjetra dhe pa targa. Nuk ndryshonin vetëm bidonët e qumështit me etiketën “Lufra” të lëshuar aty-këtu. Natyrisht në vend të qumështit ai që i sillte me ta ujë për makinat, pavarësisht markave, me sa duket harxhonin ujë.
– Kam dëgjuar se po kërkon punë, – nisi ai.
– Po, – thashë shkurt.
Në ato çaste, skuadra që unë simpatizoj iu afrua golit.
– Vështirë në këtë moshë, shumë vështirë, – tha dhe njëherësh sinkronizoi tundjen lart-poshtë të kokës së shogët me shtrëngimin e buzëve me njëra-tjetrën.
– E di, por duhet, – fola më shumë nëpër dhëmbë. – Me pensionin nuk ia dal dot.
– Ke luajtur ndonjëherë kukafshehtas? – pyeti ai.
Për një çast mendova se po tallej. Megjithatë e vështrova me habi dhe tunda pak kohën në shenjë pohimi.
– Një plus, – tha ai. – Këta të rinjtë e sotëm as nuk e njohin fare si lojë dhe nuk ke si ua shpjegon.
Pasoi një heshtje që na mjaftoi të kthenim nga një gllënjkë ujë, e cila përkoi me kohën kur skuadrat po bënin hydration break-un.
– Vapë, edhe këtu, edhe atje, – thashë për të ndërruar temë.
– Ke vite në këtë lagje?
Diçka nuk më pëlqeu në pyetjen e tij, por nuk di pse, aty për aty, vendosa ta provokoj pak për të kuptuar ku donte të dilte.
– Këtu kam lindur, – i thashë, – mbaj mend që dikur ishte një ferrishtë ku të shurdhonin mëllenjat, kurse tani, shiko sa pallate janë ngritur. Edhe qumësht dallëndysheje gjen rreth e rrotull. Të gjitha i ke para syve. Plot 12 kafene, 8 floktore, 5 supermarkete, 5 farmaci, 4 palestra dhe, në mos gaboj, edhe 4 njësi pastrimi kimik. Njoh një komshiun tim që edhe të mbathurat aty i lan.
– Bukuri! Dy plus, – tha ai. – Njeriu duhet ta njohë lagjen deri në detaje. Duhet të dijë kë ka rrotull. Këta të rinjtë e sotëm nuk dinë kë kanë në hyrjen përballë.
Heshtja kësaj here qe pak më e gjatë, thuajse aq sa iu desh arbitrit për të kontrolluar në VAR një episod të dyshimtë.
– Më pëlqeu ajo që the për mëllenjat, se kanë zë karakteristik, – foli ai paksa mendueshëm, sikur kjo e tronditi nostalgjinë e tij për fshatin nga vinte, që me sa duket kishte vite që rrinte në qetësi.
Si për ta shkundur edhe më, e ngacmova:
– Mbaj mend si mblidhnim këmbët e harabelave që vrisnim me llastiqe dhe ua jepnim gjuetarëve, se i dorëzonin për pikë kur duhet të merrnin lejen e çiftes. Dhe ata na jepnin ndonjë akullore, apo kulaç pesëlekësh. Ndonjëherë qëllonte që vrisnim edhe ndonjë sorrë apo korb…
Fjalët e fundit sikur e zgjuan nga dremitja në kohë. Më ndërpreu dhe foli ngutshëm:
– Domethënë ti di të dallosh flamingot nga sorrat dhe korbat?
– Doemos, – thashë, – edhe pse flamingo nuk kishim parë atëherë. Pëllumba dhe kumri kishte shumë. Por na kishin mësuar që ato të mos i ngacmonim. Këmbët e tyre nuk vlenin për pikë.
– Kryevepër, – tha. – Tre plus.
Pjesës së parë po i afrohej fundi dhe ai nuk la sekonda t’i humbnin.
– Sa kohë ke që je tifoz me këtë skuadër? – pyeti.
Unë bëra sikur u habita. Por shpejt kuptova se me habinë time rrezikoja që ndonjë nga pluset e tij ta ktheja në minus. Ndaj nxitova t’i them:
– Nuk ndryshoj skuadër. Kam një jetë, që në Botërorin e ’74-ës.
– Katër plus, – tha me një lloj entuziazmi, që nuk dukej të qe shumë larg me brohorimën që shkakton gëzimi i shënimit të një goli.
Kur pjesa e parë mbaroi, ai u çua në këmbë. Bëri shenjë nga celulari im, që ishte mbi tavolinë. Kujtova se donte numrin, po kisha gabuar.
– Celularin, – tha, – e nget ndopak? Ia thua ndonjë çikë në fejsbuk, në instagram, në tik-tok?
– Doemos që e ngas. I luaj fenë! – thashë, me kujdesin që fjalët e mia të përcillnin siguri. – Madje edhe kur më del gjumi nga prostata, dy-tri herë gjatë natës, jap e marr me ndjekësit e mi të shumtë.
– Pesë plus, – tha dhe më zgjati dorën. – Mjafton për sot. Do shihemi për ndeshjen tjetër.
– Po këto pesë plus si t’i kuptoj? – e pyeta me ironi.
Në të vërtetë, më shumë se ironi kishte habi në atë pyetje.
– Check-up, – tha shkurt. – Ke bërë ndonjëherë check-up?
Kuptova që kishte edhe humor. Ia ktheva edhe unë me humor.
– Domethënë e kalova kontrollin bazë? Duhen cilësi të tjera për t’u bërë patronazhist?
Nuk foli. Më shkeli syrin dhe tha:
– Gjashtë plus! Ajo punë kërkon edhe humor.