Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: Mbi vdekjen e Mussolinit

Për vdekjen e Mussolinit janë shkruar lumenj me libra dhe dëshmi.

Një dëshmi e tërthortë na vjen nga Winston Churchill-i, i cili në veprën e tij “Lufta e Dytë Botërore” (vëllimi 12) shkruan:

“Sipas udhëzimeve komuniste, Duçja dhe e dashura e tij u nxorën me makinë dhe u vranë (28.4.1945).

Kufomat e tyre, së bashku me të tjera, u dërguan në Milano dhe u varën kokëposhtë, në ganxha kasapi, në një pikë karburanti në Piazza Loreto, ku pak kohë më parë një grup partizanësh italianë ishte pushkatuar publikisht.

I tillë ishte fati i diktatorit italian.

M’u dërgua një fotografi e skenës përfundimtare dhe mbeta thellësisht i tronditur.”

Churchilli vazhdon me një letër drejtuar marshallit të fushës Harold Alexander, të datës 10 maj 1945:

“E kam parë fotografinë.

Njeriu që e vrau ka bërë një rrëfim publik në Daily Express, në të cilin mburret, në mënyrë të pabesë dhe frikacake, me veprimin e tij. Në veçanti, ai ka thënë se ka pushkatuar të dashurën e Mussolinit.

A ishte ajo ndoshta në listën e kriminelëve të luftës? A kishte marrë ai nga dikush autorizimin për të pushkatuar këtë grua? Mua më duket se dora sqaruese e autoriteteve ushtarake britanike duhet të kryejë një hetim lidhur me këtë çështje.”

Ai shton:

“Por të paktën botës i kursehet një Nuremberg italian.”

Më pas, në stilin e tij, vijojnë komplimentet drejtuar Alexander-it për operacionet përfundimtare të konfliktit.

Ajo që shkruan Churchilli e ndërlikon edhe më tej një histori që nuk është sqaruar kurrë plotësisht.

1) Ekzekutori material i Mussolinit, Walter Audisio, ishte porositur të ruante fshehtësinë më të rreptë, për të shmangur hakmarrjet e mundshme. Vetëm dy vjet më vonë u mësua identiteti i tij. Është e pamundur të mos ngrihet pyetja se si mund të kishte rrjedhur informacioni drejt një gazete angleze, përveçse nëse bëhej fjalë për dëshirën e shtypit për të siguruar një scoop.

2) Pa kontrollin e grupit të partizanëve, Mussolini dhe thesari i tij do të kishin ikur në Zvicër.

3) Pamjet e trupave të gjymtuar të hierarkëve fashistë janë vërtet tronditëse. Asgjë nuk është më e tmerrshme se zemërimi i një turme të rraskapitur nga vuajtjet. Hakmarrja, kaq brutale, lidhej me pushkatimin e 15 partizanëve në të njëjtin shesh, nëntë muaj më parë.

4) Claretta Petacci nuk ishte nën asnjë akuzë. Ajo nuk pranoi kurrë ta linte Mussolinin vetëm. Rrethanat e vdekjes së saj mbeten të paqarta. Thuhet se ajo u fut në vijën e zjarrit kur ekzekutori hapi një breshëri mitralozi. Versione të tjera thonë se ajo u qëllua gjatë përpjekjes për t’u larguar.

Kushdo që ka jetuar luftën e di shumë mirë se sa të pafajshëm paguajnë një çmim të padrejtë.

5) Grupet partizane shpesh vepronin në autonomi të plotë; atyre u detyrohet çlirimi i pothuajse të gjitha qyteteve të rëndësishme, me përjashtim të Romës. Churchill-i ankohet për një çarje në zinxhirin hierarkik, por marrëdhëniet me aleatët nuk ishin gjithmonë të njëzëshme.

6) Nuk u gjet asnjë korrespondencë Mussolini–Churchill që të provonte se diktatori ishte dorëzuar apo duhej t’u dorëzohej aleatëve.

Sipas urdhrave të Komitetit Nacionalçlirimtar të Italisë së Veriut (CLNAI), ishte kategorike që Mussolini të mos u dorëzohej i gjallë aleatëve.

Ndoshta një Nuremberg italian, siç dëshironte Churchilli, do t’i kishte shpëtuar jetën.