Arben Iliazi: Një deklaratë mazohiste për letërsinë e Kosovës
I çtendosur, “cool” dhe tepër alergjik ndaj tërë produkteve kinematografike me subjekte postmoderne, në Shqipëri dhe në Kosovë, në shkrimin “Pse janë kaq të shëmtuar filmat e rinj shqiptarë”, shkrimtari B. Blushi, si të ishte një regjisor avanguardë, mes të tjerash shkruan:
“Kinemaja e Kosovës është një zymtësi pa mbarim.
Kosovarët nuk kanë bërë dot filma madhështorë se kanë jetuar në një shtet represiv që i lejonte të bënin shaka në rrugë, por jo në art.
Kështu është edhe letërsia e tyre, një natë pa mëngjes”.
Duke përsiatur mbi kinemanë shqiptare, (madje duke mos u ruajtuar për të rënë pre e nostalgjisë dhe lektisjes ndaj kinemasë në periudhën e komunizmit), autori harron se i mbetet kohës të gjykojë nëse prodhimet kinematografike do i mbijetojnë harresës dhe braktisjes.
Fakt është që filma si : “I Dashur Armik”, “Syri Magjik”, “Mao Ce Dun”, “Shqiptari”, janë këto disa nga filmat e pas viteve 2000 që kanë fituar çmime në festivalet ndërkombëtare të filmit. Sot, jemi në një tjetër kohë kur filmat shqiptarë prej disa vitesh konkurojnë denjësisht në aktivitetet ndërkombëtare duke rrëmbyer edhe çmime prestigjoze. Kjo epokë e re fillon më filmin “Parullat” nga regjisori Gjergj Xhuvani, për të vazhduar më pas me “Nata pa hënë”, “Trishtimi i zonjës Shnajder”, “Tirana viti 0”, “Gjallë”. Apo filmi “Amnistia” nga regjisori Bujar Alimani dhe “Delegacioni” po nga Alimani, i nominuar për OSCAR. Shkurt, janë prodhuar filma me një mesazh për qytetarin botëror.
Nuk e dimë a do të jetë në gjendje kinemaja jonë t’i mbijetojë një versioni argëtues të atyre gjërave që regjisorët kanë për të thënë, duke futur estetikën moderne e postmoderne.
Ajo që më shtyu për këtë reagim është deklarata mazohiste e B. B. për letërsinë e Kosovës , si “një natë pa mëngjes”!!!
Vras mendjen të kuptoj çfarë ka ndodhur në një moment të dhënë, çfarë lloj mallkimi moralizues e ka goditur këtë shkrimtar i cili, me qetësi të plotë, pa asnjë frikë se bie në elitizëm, guxon të anatemojë një letërsi të tërë, që është pjesë e pandarë e letërsisë shqipe.
Padyshim që ky mosbesim i shpallur ndaj letërsisë që shkruhet sot në Kosovë, është diçka e pakonceptueshme ndaj vlerave të kulturës dhe letërsisë sonë kombëtare, që nuk e nderon një shkrimtar të këtij niveli. Askush nuk e vë në dyshim talentin e tij, por nuk është e thënë të biem dakord dhe të na pëlqejë kulti i tij rrafshues, fryma për të fshikulluar atë që jo vetëm ne shqiptarët, por edhe bota e nderon me solemnitet.
Kosova, me një traditë të pasur letrare, me autorë që kanë lënë gjurmë të thella në letërsinë shqipe përmes poezisë, prozës dhe dramës, përfaqësohet nga breza të pasur shkrimtarësh dhe poetësh, të cilët kanë modernizuar gjuhën, stilin dhe tematikat e krijimtarisë në gjuhën shqipe.
Letërsia e Kosovës po njeh kohët e fundit një valë të fuqishme ndërkombëtarizimi, ku shkrimtarë dhe poetë të mirënjohur janë përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës, duke prekur tregjet më të mëdha letrare si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca.
Numërohen disa shkrimtarë të rëndësishëm të modernizmit në Kosovë, të cilësuar si ndërgjegjia e kombit, si Ali Podrimja, Anton Pashku, themelues i prozës moderne, (që B. B. e cilëson me ironi si “shkrimtari i talentuar që shpjegon në tre faqe si punon galexhanti i banjos”), Azem Shkreli, Esad Mekuli, Rrahman Dedaj, Din Mehmeti, Rexhep Qosja, Nazmi Rrahmani, Adem Demaci, Sabri Hamiti, Basri Çapriqi, Enver Gjereqeku, Musa Ramadani, Teki Dervishi, Beqir Musliu, të pasuar nga Eqrem Basha, Jeton Neziraj, Ag Apolloni, Veton Surroi, Lulzim Tafa, Flora Brovina, Edi Shukriu, Nezir Sefaj, Shefkije Islamaj, Xhemë Karadaku, Biser Mehmeti, Maxhun Osmanaj, Xhevdet Bajraj, e shumë të tjerë.
Vënia në dyshim e letërsisë dhe kulturës së gjysmës së kombit bëhet edhe vetë kulturore, ndaj nuk duhet lejuar në republikën tonë të shpirtrave. Asnjë autoritet transhedent, qoftë dhe një shkrimtar i njohur, nuk mund t’i nënshtrojë shijet e subjektit postmodern, apo të marrë nën tutelë sjelljen e tij.
Letërsia shqipe e Kosovës, një trevë që ka fatin të lindë në një vend me histori të madhe, është njëlloj legjitime, e bukur, tërheqëse, e madhërishme, si gjithë letërsia shqipe, ku shprehet bashkësia dhe jo individi, në gjeninë e vet.