Albspirit

Media/News/Publishing

KLERI KATOLIK SHQIPTAR PERBALLË GENOCIDIT KOMUNIST TË SHEK. XX. (1944 – 1991)

FRITZ RADOVANI


“Na nën dhé e ju mbi dhé,
por na jemi ma të fortë se ju!”
At Pjetër Meshkalla S.J.

Detroit 2007

HYMNI I FLAMURIT KOMBTAR (12 Qershor 1913).

Hartimi i këtij Hymni nga At Gjergj Fishta O.F.M., asht ndoshta momenti ma i lumnueshem e ma guximtari për Poetin tonë Kombtar. Malazezët mbas shtatë muejsh rrethim kishin hi në Shkoder. Megjithse këtyne iu desht me dalë, Fuqitë nderkombtare nuk e ngritën Flamurin e Shqypnisë. Ishte nata e së kremtes së Shna’ Ndout, 12 Qershor 1913. Po mbushej gati moji që Fuqitë nderkombëtare kishin marrë sundimin e qytetit (me 14 Maji). At Fishta , mbasi u këshillue me disa bashkëvllazen të vet, kishte vendosë me ngritë Flamurin e Shqypnisë, e në ketë entuzjazem kishte hartue edhe Hymnin, qi u kjé mësue njiheri fëmijvet të shkollës françeskane. Ndersa, prej kumbonarjet të Kishës së Françeskanve të Gjuhadolit valvitej Flamuri ma i madh se katër metrash, fëmija menjiherë, si u patne porositë perpara, u shpërndanë çeta-çeta nepër rrugët e qytetit tue këndue: “Porsi fleta….”. Menjiherë erdh urdhni prej sundimtarit të qytetit, Kolonel De Philipps, qi t’a ulshin Flamurin, por Françeskanët nuk iu pergjegjën kurrsesi urdhnit të tij.


Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqipnisë,

E thrret t’ bijt e Kastriotit

Mu mbledhë tok nder çetë t’ ushtris’.

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnjysë a t’ gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Per mbas Flamrit t’ vet Shqiptari,

Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,

Atje lufta ndezet zhari,

Atje anmiku vehet n’ t’ leta.

Bini, Toskë!….

Mbi njatë Flamur Perendia

Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:

“Per Shqiptarë do t’ jét Shqipnija;

Kush ua prekë, ai kjoftë mallkue!”

Bini, Toskë!….

Shka? A thue ‘i mend se at’ tokë t’ bekueme,

Qi vetë Zoti na ka dhanun,

Sod me e shkelë kamba e poshtnueme

E nji t’ huej’t na kem m’ ia lanun?

Bini, Toskë!….

Ah; jo, kurr. Njiqind herë para

Kem’ me u shkri me gra, me fmi!

Kem’ me mbetë kortarë nder ara,

Se me shkelë lamë t’ huejn n’ Shqipni.

Bini, Toskë!….


————————

  1. Porsi fleta… Krahasim i bukur, plot dashuni e nderim! Gjithë sa herë Poetit i bjen me folë për gjuhë, kombsi, emblemë ka për të perdorë shprehje gati të mbinatyrshme. –rreh, valon, valvitet.
  2. A ngallnjyesë…deshmorë: në vend të vargut të perparshëm, Bini, Lekë, bini Malcorë, asht koha e njizetepesë vjetorit, kur u diskutue çeshtja e Flamurit kombtar, i vumë ky me qellim me zhdukë çdo regionalizem në trojet tona.
  3. Ndezet zhari,…merr flakë, digjet; – vehet n’t’lehta, ikë shpejt, (kambët e lehta e faqja e bardhë)…
  4. Poeti ngulmon mbi të drejten qi ka Shqiptari për Liri dhe Demokraci.
  5. Me u shkri: me u shue. – Kortarë kortarë: kemi m’u ba copë e grima përpara, kurma kurma ashtu si pritet peshku ….Krahasime të cilat tregojnë pasuninë e gjuhës së Poetit.

M’ kambë, Sokola të Shqipnisë!

Flamri ynë, qé, n’ ajr po shtiellet

Si pol veshet t’ Perendisë,

Kah na ban hije prej qiellet.

Bini, Toskë!….

Ma mirë dekë me u shue nen hije

T’ Flamrit t’onë në fushë t’ mejdanit,

Se me rrnue nji jetë robnije

Per nen sukuj t’ huej t’ Ballkanit.

Bini, Toskë!….

Armët e Besen na i njeh bota;

Trima n’ zâ kem’ pasun t’ Parët,

Luften né na e msoi Kastriota:

Kè, thue, frigë do t’ kenë Shqiptarët?!

Bini, Toskë!….

Urra! Djelm, ehu’ u dhashtë e mbara!

Sod a kurr, me dekë p’r Atdhé!

Flamri i ynë, qé, u nis perpara:

Ndimo, Zot, per Atmè e Fé!

Bini, Toskë!…

  1. Porsi fleta…Krahasim i bukur, plot dashuni e nderim! Gjithë sa herë Poetit i bjen me folë për gjuhë, kombsi, emblemë ka për të perdorë shprehje gati të mbinatyrshme. –rreh, valon, valvitet.
  2. A ngallnjyesë…deshmorë: në vend të vargut të perparshëm, Bini, Lekë, bini Malcorë, asht koha e njizetepesë vjetorit, kur u diskutue çeshtja e Flamurit kombtar, i vumë ky me qellim me zhdukë çdo regionalizem në trojet tona.
  3. Ndezet zhari,…merr flakë, digjet; – vehet n’t’lehta, ikë shpejt, (kambët e lehta e faqja e bardhë)…
  4. Poeti ngulmon mbi të drejten qi ka Shqiptari për Liri dhe Demokraci.
  5. Me u shkri: me u shue. – Kortarë kortarë: kemi m’u ba copë e grima përpara, kurma kurma ashtu si pritet peshku ….Krahasime të cilat tregojnë pasuninë e gjuhës së Poetit.
  6. Sokola: Perdorë gati gjithmonë në vështrimin metaforik për trima. – shtiellet: valon, valvitet. – Si pol veshet Perendis, tue përdorë nji gjuhë antropo morfike, Fishta e krahason Flamrin e Shqypnisë, si mos t’ishte mjaft fleta e Engjullit, po, edhe me petkun e Perendisë.
  7. me u shue, me u shkimë, me mbarue, me dalë farët. – rrnue nji jetë, nji shembull akusativit të mbrendshem (lat. Aetatem vivere). – Per nen sukuj t’huej t’Ballkanit: nen flamuj t’huej…. quejt në të përbuzun zhele, lvere, të popujve të huej të Balkanit, qi piksynojnë me marrë tokat t’ona padrejtsisht.
  8. Trima n’zâ: Perballë kalimit të sa popujve nepër tokat t’ona, të Parët tonë kanë qindrue, tue mos i lanë me na përpi, me na zhdukë. Edhe pse Romakët patën shtrue Ilirinë, ishin Ilirët ata qi ia ngjiten dorën Romës së ligshtueme, tue marrë frenjtë e sundimit në dorë e tue i prij legjoneve për 150 vjet, – Kastrjota: Per një të katërt shekulli, Skenderbegu kjé Ai qi ndër të tana luftat i bani ballë anmikut Lindor t’Evropës, në Kohën e Mesjetës, tue mos e lanë me ngulë kambë n’Atdhéun tonë.
    Trimnia e Tij u ba legjendare menjiherë si mbrenda Atdheut ashtu edhe jashtë ndër të huaj.
    Komenti nga At Viktor Volaj O.F.M. (1941)

E, pra, kishte Shqipni!…
E, pra, kishte Shqiptarë!…
E, pra, kishte një Popull që besonte në një Zot!
E, pra, kishte një Popull që i bashkonte një Gjuhë! E, pra, Ky Popull, kishte një
Shtet dhe një ushtri, që drejtohej nga i Madhi Gjergj Kastrioti – Skenderbé!
E, pra, Shqiptarët kishin edhe Flamurin me Shqipën Dykrenare!
E, pra, kishte një Tokë Arbnore që thirrej Atdhé!
E, pra, kishte dhe një Dokument të shkruem me 1462, nga Imz.Palë Engjulli.
E, pra, nuk kam shka vërtetoj se kishte, apo nuk kishte! Po përsëris, kishte!
Edhe Papa, shkruante: “Si një pendë e patundëshme, Skenderbeu i preu vrullin vërshimit turk dhe nuk e la që të përmbyste Evropën e krishterë.”
Barleti ynë, thonte:
“Shkodrën e kanë merzitë armiqtë ma mizorë, të gjitha të zezat i ka provue ai vend”.
Kishte sulltan, që urdhnoi me zemërim: “Mos të mbesë gjallë asnjë shkodranë!…”.
Kishte edhe Kanu: “Vargu i brezave të gjakut e të gjinisë shkon në të pasosun për Shqiptarin.”, “Besë, Burrni, Bujari!”, “Bukë, krypë e zemër!”, “Mirëse t’ka prue Zoti!”.
“Kufini nuk ban lak”…Thonte, Malësori trim….
E pra, shumica e tyne ecin zdathë, janë edhe shumë të vorfën,…
Fluturojnë ndër male e shkëmbinjë si t’ ishin kaproj…
Janë pa vende buke e jetojnë me gështenja…
E çmojnë shumë nderën…Grue të pandershme nuk ka në Shqipni!
Kombi Shqiptar asht ma i mjeri dhe ma i braktisuni ndër të gjitha kombët, që janë në Evropë!… Çunat 9 vjeçar kanë harkun e vet!….
Por, njëditë Atë prift…e therën për vdekje… i prenë kokën… i vunë ndër hunjë…. kufomen e blenë me pare dhe e varrosën në një Kishë…
Kishte Kisha Kathedrale, kishte Argjipeshkvijë, Argjipeshkvi i Shkodrës selinë e kishte në Trush, pra… Kishte disa Dioçeze, kishte disa priftën dioçezanë….
Kishte që nga viti 1431, Misionarë, Françeskanë minorë e të tjerë skamnorë që nuk kishin asnjë orendi përveç leckave, flenin në kashtë e mbuloheshin me një copë zhgun…
Kishte në një zonë fushore 365 Kishë, aq ditë sa ka viti, janë të rrënueme, nuk kishin kumbonë…. se i kishin futë nën dhé (si sot)…. kishte ndër Kisha edhe kuadro pikture, paisje argjenti,…kumbonare me gurë të latuem dhe shumë të bukura….
“Edhe në maje të malëve të Oroshit kishte…Kishte Abaci, ….janë njerëz të vuejtun e shumë të egjër….Kanë dëshirë me mësue, por kanë nevojë për shkollë e kolegje e, po nuk u hapën, mbaroi ky komb…”. Këto nuk i kam thanë unë!
Këto që kam shkrue janë nga ato letra dhe nga ato korespondenca të Klerit Katolik Shqiptar me Selinë Shenjte…Pra, janë dokumenta që ruajnë sot arkivat e Evropës…
Kishte të krishtenë, kishte myslimanë që na ndihmojnë, kishte që e kanë zbulue shpirtin e tyne e luftojnë bashkë me né për Shqipni,… por, kishte edhe felëshues që janë ba turq, e janë shumë ma të këqinjë se ata, që kanë lind myslimanë… ka shumë rreziqe të mëdha nga pabesia e të krishtenëve të këqinjë, që s’ janë pak, …atëherë, e besa edhe sot!
Në ballë të truellit daltohej: “Shtëpia e Shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut!”
Pra, kishim traditë që ruhej ndër shekuj nga Populli ynë heroik Shqiptar!
Po mbushen plot njëqind vjetë që ngjarjet ma të mëdha e ma të lavdishme të Popullit Shqiptar pasuan njenatjetrën, tue valvitë pothuaj në të gjitha trojet tona Flamurin Kombëtar me Shqipën Dykrenare, Atë Flamur të të Madhit Gjergj Kastrioti – Skenderbeu!
Ngjarjet e malëve të Deçiqit, me 24 Prill 1911 dhe ato të Gerçës, nuk ishin termet i fuqishëm vetëm ndër Alpet tona, po, ato ishin edhe trandje shekullore e një Perandorije Otomane, që për gati pesë shekuj na kishte robnue e vorfnue.
Hija e Perjetëshme e Burrit Bratilës do të gjimonte si ushtimë e një shkreptinë rrufeje, që rroposë frone ndër pallatët ma luksoze përreth Evropës, për me vëndosë njëherë e përgjithmonë shtizën e një Flamuri gati të harruem….në tokën e braktisun.
Po, Dedë Gjo’Luli, e Ju o Trima të Malësisë, asht Flamuri që Burrneshat Shkodrane kanë qindisë me duert e Tyne Atë Shqipe, të palosun e të ngjeshun për parzëm t’Atyne dy Burrave, që i treguan botës mbarë kush janë Françeskanët Shqiptarë Etnit Mati Prennushi e Buon Gjeçaj, që nuk Ju tutej syni! Për 50 vjetë në historinë tonë nuk u zunë në gojë kurr Këta Burra, tue mohue bashkë me Ta edhe ngjarjën e madhe të Memorandumit të Gerçës!
Madhështia e çakçirëve të Burrave të Hotit, Grudës, Kelmendit e Dukagjinit dhe bukuria e randë e xhubletës Tring Smajlës e Norës së Kelmendit me shoqe….mbërthye në armët e Lirisë, frigojnë edhe çallmat e pashallarëve drejtues të ushtrisë turke, e trumhasin njëherë e përgjithmonë kuajt e Azisë, që ikin vrap ndër brrakat e lamijeve tue u zhytë ndër gropat e vorreve aziatike të mbytuna prej shiut të pranverës së 1911-ës. Nuk ndihet tjetër veç brima e ndonjë ushtari turk rrezikzi, që shânë dhe humbet në gropën e baltës së ndonjë shokut të vet deri në nënbarkse të kalit, krizmat e thymjes së drrasave të kalbuna të vueme tërthuer e, nuk shihët tjetër veç thundra e ndonjë kali, që merr me vete zharg ngatrrue për gozhdat e patkonit ndonjë zhele gjysëmhanë të jargitun me llom.
Gjimuen malët e ushtoi deti! Të shtërnguem duarsh edhe njëherë mbas 1878, si e lidhin besën Burrat, ashtu agoi edhe dita e 28 Nandorit të 1912-tës, në Vlonën heroike. Asht Plaku i Vlonës, Ismail Qemali që u prinë në shtëpinë e vet: Don Nikoll Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Qazim Kokoshit, Eljaz Vrionit, Qemal Elbasanit, Murat Toptanit, Thanas V. Floqit, Lef Nosit, Mustafa A. Krujës, Mid-hat Frashërit, J. Karbunarës, Zihni A. Kaninës, etj. Burrave që shpallën një Shqipni të Pavarun!
Shtetët e mbledhuna në Nandor të 1912 në Kongresin e Londrës, treguan se qendrimi i tyne nuk kjé aq dashamirës sa pritej ndër situatat tona të komplikueme, si bije fjala në çeshtjen e Shkodres, kur Mali i Zi kërkoi aneksimin e saj, madje, Fuqitë e Mëdha i hoqën Shqipnisë edhe dy krahinat ma të fortat e ma të pathyeshmet në Idealin Kombëtar për “Fé e Atdhé”; Hotin e Grudën, kur një pëllambë e tokës së tyne nuk kishte mbetë pa u mbulue me vorre e pa u la me gjakun e Burrave e të Grave trimnesha t’ atyne visëve.
E, pa kalue as një vit nëpër Tokën Shqiptare ngulën do hunjë! Thonin se janë kufinjë!
As atyne që i vune këta caqe nuk besoj se ju ka shkue mendja se “këta hunjë” të vumë në vitin 1913, do të lëshojnë rranjë e do të bahën lisa, e nuk do të ketë ma Burra Shqipnia, që ti zhgulin për me i tregue sllavit e mbarë Evropës, se Kufinjtë e Shtetit sotëm Shqiptar nuk vehën këtu, po janë bash deri Aty, ku, ka Shqiptarë, që e kanë la me gjak Tokën e të Parëve të vet e, ku, gratë i këndojnë foshnjës në djep: “Ni-na, Na-na” në Gjuhën Shqipe!
Po, a vehët caku mbrenda portarës bash te gryka e prronit, mos me guxue as gratë me dalë mbas perëndimit të diellit se i shkyjnë qejtë e kufinit me dashtë me mbushë një buljerë me ujë t’ freskët prej Cemit, ba me iu shkue mendja trimave tue kuvendue te kulla!..
Mo’ Zot ma keq ! Ku, ka vojtë Toka Ilire!… Po, Evropa, pse s’po ndihët e gjallë?…
Dikund, aty nëpër rrugët e Sarajevës u ndigjuen do virrma mbas krizmave të alltijës së studentit Princip, shprazë në gjoksin e Princ Ferdinandit t’Austro – Hungarisë.
Një komplot terrorist që u ba me 28 Korrik 1914, kje ba shkak i një Lufte Botnore! Serbia shoveniste sllave e mbështetun nga Rusia cariste, kalli në zjarr Ballkanin e mbrenda katër vjetësh rinia e kontinentit plak të Evropës, do të shuhej në 20 milion vorreza!
Nuk duhët harrue se Lufta e Parë Botnore, kjé ajo që çoi qytetnimin Evropian në buzën e greminës së ekzistencës së tij. Fuqitë e Mëdha mujtën me realizue nëpërmjet krizës ballkanike skenarin e paraprëgatitun të Luftës I Botnore, po vetë ato, nuk mërrijtën me kuptue se mbas 20 vjetësh katastrofa do t’ishte edhe ma shfarosëse se kjo që dukej, sikur kaloi. Këte e vërtetoi masëmiri Lufta e II Botnore, me ma shumë se 50 miljon të vramë.
Nuk merrej vesht ma shka bahët! Evropa pësoi një shkatrrim të pariparueshëm moral, politik, kulturor dhe ekonomik nga kacafytjet e diktatorëve kokëshkretë. Rusia bolshevike që nga Revolucioni Socialist hyni në rrugen utopike të komunizmit materialist-terrorist, rrugë e diktaturës së proletariatit, në rrugën staliniste të skllavrimit pashoq të popujve, nga e cila rrugë nuk po mund të dalë edhe sot, gati mbas 100 vjetësh shtypje dhe shkelje e çdo të drejte njerëzore. Këte fat të zi në 1944 pat edhe krejtë Evropa Lindore, tue fillue nga shtetët Baltike e deri tek Shqipnia e jonë e vogël, ndër brigjet e Adriatikut.
Amerika – Liria – e andrrueme e popujve të zaptuem, mendoi për zonat e mëdha të influencës. Për né nuk kishte pse me tregue interes, mbasi na për Amerikën dhe Anglinë ishim një pikë ujë në oqeanin e turbulluem e të përgjakun. Me “gemin e larit” në dorë Ruzvelti, thurte “kunorën e lavdisë” për fitorën mbi nazi-fashizmin, tue i shtërngue dorën në Jalta diktatorit ma të madh të shekujve Stalinit dhe, tue i dorëzue krejt Evropën Lindore shkjaut përbindsh rus për me e çue zharg edhe njëherë disa dekada mbrapa, ashtu si kishte veprue edhe me popullin e vet të mjerë. Jalta shemtoi në mënyrë të turpshme portretin e Evropës moderne. Ruzvelti aty ka “shue” flakën e Statujës së Lirisë për Lindjën Evropjane.
Aleatët i dhanë komunistëve të gjitha mundësitë e marrjes së Pushtetit në Shqipni, tue eleminue Atdhetarët Shqiptarë të “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit”, vetëm, për me shue njëherë e përgjithmonë ndjenjat e flakta nacionaliste. Ndihma e madhe që i dhanë Partisë Komuniste në mijra sterlina, ç’prej formimit e deri në marrjen dhe konsolidimin e pushtetit gjakatar nën varësinë e Jugosllavisë titiste dhe Rusisë staliniste, asht tragjedia historike ma e madhe Popullit Shqiptar dhe e Shqipnisë Evropjane, në krejt Epokën e Re 2000 vjeçare.
Për këte katastrofë historike mu në zemër t’Evropës, nuk kishte asnjë instrument ma adapt në favor të shovenistët sllav se komunistët e, vegla e tyne terroristi amoral E. Hoxha.
Këte e vërteton në mënyrë të pakundërshtueshme kallja në flakë e Shqipnisë Jugore pa mbarue Lufta Botnore, dhe përhapja e flakëve të kësaj lufte civile vëllavrasëse në gjithë Shqipninë Veriore, përpjekja e Atdhetarit Prenkë Cali, masakra e 118 Burrave të Malësisë, bashkë me vrasjët e 12000 kosovarëve të therun trathtisht nga Kuksi e në brigje të Tivarit.
Një gjamë ushtoi në qelitë e hetuesisë së kryeqytetit Tirana. Ishte zani i një Burrneshe Shkodrane, që thërriste: “Ma vritni, ju lutem ma vritni, banje këte mirësi,…mos ma leni kështu djalin!”. Ishte Nana e Don Lazër Shantojës, i arrëstuem në fund të Janarit të 1945. Ajo Bijë e rrebtë e Rozafës pau me sy djalin e shtrimë përdhé, të zhytun në pisllekun e një biruce, i thyem krahësh dhe i sharuem dy kambësh me sharrë druvari nga katilët komunistë.
Komunistët gjakatarë ia plotësuan “dëshirën” kësaj Nanë. Me 5 Mars 1945, ata hapën rregjistrin e pafund të pushkatimëve me Klerikun e Parë Katolik Shqiptar, Don L. Shantoja!
Këta ishin “çlirimtarët” partizanë, që sollën “lirinë pa dallim feje, krahine dhe ideje!”
Udhëheqësi i PKSH, katili Enver Hoxha, që nuk ka kenë kurrë udhëheqës i Asaj pjese Katolike të Popullit Shqiptar, ka shkrue me dorën e vet: “…meqenëse, katoliçizmi shqiptar, dhe në veçanti kleri, ishin pengesa më e madhe për triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata.”(E.H. V.I, fq. 438, 1974)
Atdhetari i vërtetë për komunistët asht “trathtarë”. Të formuem me këte pikëpamje, komunistët me anën e veglës besnike të partisë, Sigurimin të Shtetit komunist, vune në zbatim diktaturën e proletariatit, që nuk ishte tjetër veç terrorizëm i mbuluem nën pelerinën e kuqe komuniste dhe, përmish kishin të ngjeshuna ndjesitë fondamentaliste e separatiste të injektueme nga shovenistët sllavo-aziatikë ndër mbeturinat otomane. Torturat e mizoritë e tyne nuk ishin tjetër veç, duf e shpërthim i shfrenuem i epshit shtazarak të kafshve të egra, që ndryhej ndër shekuj në këto qenje, të cilat, për fat të zi të tonin edhe këta thirreshin “shqiptarë”, edhe pse asnjëherë këto bisha nuk kanë pasë një pikë gjak shqiptari. Për kaun e Sigurimit të Shtetit ishte kënaqësia ma e madhe e tij vërsulja mbi veladonin dhe zhgunin tue e shkrrye e shkye edhe pajetë përtokë dhe, mandej, qetësohej e zgërdhihej, kur duartë e ndyta i lante në lamën e gjakut të pastër të prehës së tij të pafajshëm. Lufta kundër Fesë ishte e pashmangëshme, mbasi duhej luftue Ideali i Shenjtë “Fé e Atdhe”, po duhej zhdukë edhe ajka intelektuale e Atdhetarizmit, Fesë, kulturës dhe dijës, epiqendra e së cilës ishte Shkodra. Këtu e ka burimin fillimi i kësaj beteje, se këtu, ishte thëmeli i kulturës evropjane, këtu, ishte trungu i Opozitës së vjetër demokratike, që lulëzoi në vitin1924, me të madhin Luigj Gurakuqi e Imzot Lazër Mjedja, Imzot Luigj Bumçi, At Gjergj Fishta, Don Lazër Shantoja e Don Ndre Mjedja; këtu, ishte djepi ku lindi e u përkund si foshnje: Liria e fjalës, mendimit dhe shtypit. Këtu, lindi ajo që karakterizoi Shqiptarin moderne në krejtë botën e qytetnueme: Toleranca, mirëkuptimi dhe respekti mes besimeve. Këtu, Burrnesha Shqiptare njohti për të parën herë në histori mbas përdorimit t’alltijës në luftë për liri, parimet bazë të emancipimit grues shqiptare evropjane. Këtu dhe vetëm këtu, ishte kështjella e pamposhtun e të gjithë Shqiptarëve Përparimtarë Atdhetarë: Rozafa antikomuniste!
Arrestimët e para komuniste në Shkoder lidhën me ardhjen në Janarin e 1945 të grupit terrorist me ata kriminela që nuk i ka njohtë kurrë historia, si: Mehmet Shehu, Sheuqet Peçi, Haxhi Lleshi, Rahman Parllaku, Gjin Marku, Vaskë Koleci, Zoji Themeli, Kolec Ilia, Fadil Paçrami, Ndreko Rino, Qamil Gavoçi, Arif Gjyli, Misto Bllaci, Ali Xhunga, Nesti Kopali, Fadil Kapisyzi, Idriz Çoba, Ndrek Nallbani, Cuf Lohja, Ali Qorri (Bushati), Lilo Zeneli, Hysni Ndoja, Filip Pema, Jonuz Dini, Gjush Deda, Kasem Troshani, Vehbi Fishta, Pjerin Kçira, Ylvi Dibra, Hys Zaja, Pjetër Ballata, Rasim Dedja, Zoji Shkurti, Bilo Bregu, Hulusi Hako, Aranit Çela, Tonin Miloti, Mestan Ujaniku, Toger Baba, Zija Dibra, Xhemal Selimi,Sadik Rama, Asllan Lici, Dul Rrjolli, Dulaç Lekiqi, Elez Mesi, Hamdi Ulqinaku etj. katilë, vagabondë analfabetë, që tue i sherbye komunistëve serb morën përsipër me shtrue e zhburrnue Malët, me shpartallue për vdekje Klerin Katolik, tue i pasue ma vonë edhe Hilmi Seiti, Feqor Shehu, Rexhep Kolli, Çapajev Taçi, Dhimiter Shkodrani, Jake Tefiku etj.
Drejtimi i tyne i parë në Kuvendin Françeskan kishte qellim: Shkëputjen e Klerit nga Papa dhe Vatikani. Përgjigja ishte vetëm një, ajo, që iu tha Provinçiali At Mati Prennushi: “Kjo punë nuk mund të bahet kurrë nga Kleri Katolik Shqiptar!”. Këte përgjigje ata morën edhe në Tiranë nga At Pjetër Mëshkalla, këte përgjigje morën nga Argjipeshkvi i Durrësit Imz. Vinçenc Prennushi, këte përgjigje iu dha edhe Abati i Mirditës Imzot Frano Gjini.
Me 5 Maji 1945, largohët nga Shqipnia Delegati Apostolik Imz. Leone Nigris dhe, në vendin e Tij emnohët Regjent i Delegacionit Apostolik të Vatikanit, Imz. Frano Gjini, që asht i pari Regjent Shqiptar në Shqipni. Jeta dhe vepra e Tij u kunorzuan me nderë e lavdi.
E pra, ky Kler, ishte Ai që iu hapi dyert e kuvendit sa e sa nanave të partizanëve dhe ju shpetoi jetën sa të rinjve komunistë, madje, edhe nga kampi i Prishtinës, vetëm mos me ngjallë vëllavrasje por, kur, këta vagabondë hypën në Pushtet, i dhanë “Plumbin Ballit” pikërisht shpëtimtarëve të tyne, misionarve Don Alfons Tracki e At Zef Maksen me shokë.
Me datën 4 Shkurt 1944, kur në mengjez herët po gjakosej Tirana nga një lum gjaku partizanësh që u shkaktue nga vetë drejtuesit komunistë për me ngjallë një vëllavrasje të pashembullt, asht pikërisht At Anton Harapi, i cili, me pushtetin e Regjentit, ka urdhnue: “Mjaft gjak, jo kështu, se po vritën vëllaznit tonë!” dhe plot mbas dy vjetësh, po Ky, At Anton, me 14 Shkurt 1946, pushkatohet po nga “vëllaznit tonë”, si “kriminel lufte”.
Ishte mesi i Janarit 1945, kur Mehmet Shehu, prangosë klerikët katolikë At Gegë Lumaj e At Dioniz Makaj. Në fillimin e Shkurtit burgosën Don Ndre Zadeja, Don Mikel Koliqi, At Giakomo Gardin dhe xhakoni Gjergj Vata. Me 25 Mars 1945, edhe Don Ndre Zadeja lanë me gjakun e Tij, Zallin e Kirit në Shkoder, me 13 Burra të grupit Prenkë Calit, tue thirrë: “Rrnoftë Shqipnia”. Malësorët trima të Veriut mbushin shpellat dhe vazhdojnë burrnisht qëndresën antikomuniste të drejtuem, nga: Gjergj Vata, Gjelosh Luli, Ndue Pali, Llesh Marashi, Lulash Gjeloshi, Pal Thani, Mark Mala, Nik Sokoli, Gjon Destanisha, Kol Mark Toma, Dedë Mirash Zefi, Martin Sheldija, Ludovik Saraçi, Ndoc Jakova, etj.
Nuk ban lak Mirdita e Mark e Llesh Gjo’Markut, Mark Zef Palit, Gjon Mark Ndojit e as Mirakajt e Pukës. Qendron Shqipnia e Muharrem Bajraktarit, Prof. Alush Lushanakut e Hamid Matjanit ndër male e, deri n’afërsi të Tiranës me qetën e Sulë Selimes.
Në vitin 1945, erdhi në Shkoder vegla besnike e Enver Hoxhës, Sejfullah Malëshova. Dhelpënisht tentoi me futë në grackë Imzot Gaspër Thaçin e At Gjon Shllakun, në prag të zgjedhjëve të para gjoja “demokratike” të dhetorit 1945, që Klerin Katolik me e përfaqësue “Partia Demokristjane Shqiptare”. Asnjeni nuk ra në kurthën komuniste. Ata nuk pranuan ofertën komuniste, me të cilën Sigurimi i Shtetit thuri legjenda me mijra faqe proçese false, tue çue në plumb pothuej pjesën ma të madhe të Klerit dhe inteligjencën Katolike.
Me 4 Mars 1946, viktimat e para të “Partisë Demokristjane”, parti që nuk ka ekzistue kurrë në Shqipni para vitit 1991, ishin At Gjon Shllaku, At Giovani Fausti, At Danjel Dajani dhe xhakoni Mark Çuni, që ra në grackën e Sigurimit tue formue Organizatën e Parë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”(1945), e cila, iu hapi rrugën komunistëve drejt luftës së haptë kundër Klerit, Kishës, Katolikëve, institucionëve fetare dhe çdo hallke që lidhej me Fenë dhe, si pasojë u mbyllën seminarët, gjimnazët, shkollat e klerit, institucionet kulturale dhe u plaçkitën zyrtarisht muzeumet, bibliotekat e françeskanëve dhe të jezuitëve.
Nga këto, sot Biblioteka Kombëtare e Tiranës vazhdon me pasë padrejtësisht si pronë të sajën të gjitha thesarët e plaçkituna, tue përfshi përveç vlerave të zbulimëve t’At Shtjefën Gjeçovit, mbi njëmijë tituj studimesh e librash të autorëve klerikë e intelektual Verior, që shumë janë edhe botue me emna pseudointelektualësh, ish agjenta të Sigurimit, për mbrojtje titujsh e gradash shkencore, si: Jup Kastrati, Dhimiter Shuteriqi, Kol Jakova, Androkli Kostallari, Çiril Pistoli, Aleks Buda, Vladimir Misja, Iljaz Fishta, Viron Koka, Vehbi Bala etj. “tituj”, që shumica i kanë edhe sot mbi rrasat e vorrëve të tyne.
Një pjesë e mirë e këtyne materialeve shkencore dhe kulturore u përvetësuan prej shovenistëve jogosllav dhe u zhdukën prej tyne. Oficerët serb instruktonin dhe kontrollonin çdo vëprim të shtetit dhe të Sigurimit shqiptar. Shovenistët ua shpërblenin këte shërbim antikombëtar sherbëtorëve komunist e spijunve të tyne këtu, me kolltukët e detyrat e larta, të cilat, u caktonin prej tyne. Kështu, këta trathtarë të kombit tonë, vëpruan edhe ma vonë kur u vune në shërbim të Bashkimit Sovjetik dhe Kinës komuniste. U zhdukën veprat origjinale të historisë së letërsisë shqipe, të Gjeçovit, Fishtës, Sirdanit, Gazullit, Palaj etj.
Tashma, Shkodra e 26 hetuesive dhe burgjeve ma mënershme terroriste komuniste të vendëve të Lindjës, hyni në rrugën e shkatërrimit të plotë nga komuzmi fanatik oriental dhe bizantin. Ajo Shkoder loce, që vlerësohej dhe njihëj si “epiqendra shqiptare e qytetnimit Evropjano – Përëndimor”, u shkallmue përgjithmonë nga valët përmbytëse të bolshevizmit.
Rinia shkodrane nuk trembët! Me 26 Maji 1946, Ajo, padallim feje, i jep lamtumirën e fundit Argjipeshkvit Metropolitan të Shkodres, përsonalitetit të vëndosun Imz. Gaspër Thaçi. Një korte që ma shumë ishte Demostratë antikomuniste, se funeral i përmortëshëm.
At Konrrad Gjolaj, thotë: “Të gjithë punën e partisë komuniste që kishte ba deri atë ditë me rininë shkodrane, e prishi një arkivol!…” (Libri “Çinarët”, fq. 92.).
Asht paditunia e fanatizmi një instrument tjetër në duart e shovenistëve sllav, që çon përpjekjet e mëdha të nacionalistëve në deshtimin e plotë të Lëvizjes së Postribës, me një shpërthim parakohë me 9 Shtator 1946, tue prangue, burgosë, vra, torturue dhe plandosë ndër kampe pune e shfarosje, qindra e qindra Atdhetarë të çdo shtrese shoqnore: Intelektual e fshatarë, oficerë akademistë, deputet demokratë, klerikë, studentë, tregëtarë, ballistë dhe zogistë, të kënaqun dhe të pakënaqun, madje, dhe pushtetarë që me dorën e tyne kanë vue firma në “fletë – arreste”, tue mendue se kur po vjen “jeta e lumtur” e socializmit. Kjo ishte inondata ma e shëmtueme mbas 1944, ku mjerisht u përmbytën: Imzot Frano Gjini, At Mati Prennushi, Imzot Gjergj Volaj, Don Nikoll Deda, At Çiprian Nika, Kolec e Pjetër Deda me gruan Maria (Zojzi), At Bernardin Palaj, Cin Serreqi, Riza Dani, Avokatët Muzafer Pipa e Paulin Pali, Jup, Seit e Abdullah Kazazi, Dulo Kali, Caf Dragusha, Simon Darragjati, Rasim Gjyrezi, Guljelm Suma, Bilbil Hajmi, Ingj. Fahri Rusi, Murat Hysen Haxhija, Pjetër P.Pali, Pal Thani, Gaspër Simon Gaspri, Xhelal Hardolli, Prof. Kol Prela, Simon Kraja, Prof. Qemal Draçini, etj. etj. që nuk figurojnë as në rregjistrat e të pushkatuemve të Arkivit të Ministrisë së Mbrendshme, në Tiranë. U arrestuan faj e pafaj: At Donat Kurti, At Frano Kiri, Don Tom Laca, At Çiril Cani, Hoxhë Xhemal Najpi, Don Ndoc Nikaj, Don Ndre Lufi, Prof. Guljelm Deda, Mark Temali, Elez Troshani, Ramadan Sokoli, Hafiz Derguti, Hafiz Ali Tari, Hafiz Myftia, Zef Ashta, Abdyl Rusi, Pjetër e Rrok Luli, Prof. Sami Repishti, Ibrahim Dibra, Ruzhdi Çoba, Mark Malaj, Feti Quku, Teofik Begteshi, Lin Deda, Sabri Kazazi, Mikel Çoba, Dan Hasani me djelmë, Dr.Rexhep Shazi, Ibrahim Sokoli dhe, këtij karvani të pafund amoralët Enver Hoxha me shokë, i rreshtojnë dhe vajzat Hareoina, që humbën gjithë rininë e Tyne në burgjet komuniste shqiptare: Drita Kosturi, Terezina e Liza Pali, Angjelina Marku, Agime Pipa, Viktore Kuka, Ana Daja etj.
Metodat e vrasjëve të shovenistëve serbë në trojet tona shqiptare të fillueme me kohë me At Gjeçovin, Imz. Nikoll Nogën, At Lorenc Mazrrekun, At Leonard Targaj, Don Nikoll Gazullin dhe, të pasueme me grupin e “Katoliçeskaja banda” në Prizrend, me 15 Nandor 1946, pushkatojnë: At Bernardin Llupin, Nikoll Parubin, Gjergj Martinin dhe Heroinën e Shkodres, Maria Shllakun, se Ajo, ishte një model i Norës Ded Gjo’ Lulit e Tring Smajlës.
Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit në Shkoder, me 15 Nandor 1946, këthehet në burg.
Ky asht kenë Burgu ma i tmershëm i krejtë vendëve komuniste. Këte fakt e ka provue Historia e Martirizimit të Kishës Katolike Shqiptare, që nga viti 1944 deri në vitin 1991.
Metodat e shpifjeve dhe trillimëve të stalinistëve moskovit u aplikuan në krejtë zonën komuniste të Evropës Lindore; Filluan në Rusi, Poloni, Çeki, Kroaci, Slloveni, Mal të Zi dhe Shqipni. Pothuaj në një kohë Kishat Katolike në këta shtete u mbushën me arsenale armësh, tue ia ngarkue këte akuzë false Klerit Katolik, ashtu si në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, me datën 16 Nandor 1946, në të gëdhime të datës 17, rreth orës 02.00 të natës, siç, më ka shpjegue Zef Bardhoku, i vetmi i penduem i kësaj vepre terroriste; “Erdhën nga Tirana Hulusi Hako dhe Dilaver Sadikaj, të drejtuem nga Zoi Themeli, me ndihmën e spijunve të Degës Mbrendshme të Shkodres, Pjerin Kçira, Gjovalin Mazrreku, Lin Çollaku, Nush Baba etj. Atë natë kanë vue arkë municioni e pushkë nën elterët e Shna Ndout dhe të Zemrës së Krishtit. Të nesërmen “regjizorët” jugosllav kanë gjirue një film të plotë në këte Kishë, për të kënaqë padronët e tyne sovjetikë në Moskë e sllavo-sadistët në Beograd.”
Qendra e këtyne masakrave ndaj Klerit Katolik ishte Shkodra. Nuk duhet harrue se gjithë Shqipnia ishte një burg, ku ankthi, terrori, dhuna dhe frika mbizotnonin në çdo skaj.
Në hetuesi torturuesit nuk kanë asnjë përgjegjësi për të vdekunit në duartë e tyne, ashtu si sot, që nuk i pyet askush: “Shoku veteran, sa të pafajshëm ke vra e mbytë ti?”.
Dijetarët Don Aleksandër Sirdani dhe Don Pjetër Çuni, mbytën në gropën e zezë të hetuesisë së Koplikut. At Serafin Kodës, hetuesi i nxjerrë gabzherrin me thonjë…. Imzot Jul Bonatti dërgohët në një manikomjo, ku e shkyejnë të “çmendunit”…Papa Pandin e gjejnë në pyll pranë një cungu, me kokë të këputun me spatë… Papa Josif Papamihalin e zhysin përsëgjalli në baltat e kampit shfarosjes së Maliqit, në Korçë. At Frano Kiri lidhët tri ditë fëtyrëpërfëtyrë me një të vdekun në qeli…e, sa si këta krime të shemtueme që kanë vazhdue deri në vitët e fundit, deri në vitin 1974, kur hetuesit Shyqyri Çoku, Alush Bakalli etj. arrijnë me shkye për gjymtyrësh Don Mikel Beltojën, se thërriste: “Rrnoftë Krishti!” kur xhelatët po e merrnin nga qelia e Sigurimit Shtetit në Shkoder, për ta pushkatue.
Edhe në Kishën e Oroshit (Mirditë) terroristi Bardhok Biba, futi armë në Kishë, për të arrestue Don Mark Xhanin, ish sekretar i Imz.Gjinit, të cilin, e masakron deri sa e mbyti në tortura. Trupin e tij e treti në buzë të një prroni pranë fshatit Shpalë, për ta hangër qent…
I beson Bota e qytetnueme këto masakra të kryeme mbi Klerikët e pafajshëm?
Deri në vitin 1950, janë pushkatue, mbytë në hetuesi, kampe shfarosje dhe burgje:
Imz. Frano Gjini, Imz.Gjergj Volaj, Imz. Nikoll Tusha, Imz. Jul Bonatti, Imz. Nikoll Deda, Imz. Vinçenc Prennushi, Imz. Gjergj Haberi, At Lorenc Mitroviq, Don Lazër Shantoja, At Leonard Tagaj, Don Ndre Zadeja, Don Mark Xhani, At Giovani Fausti, At Danjel Dajani, At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Zef Maksen, Don Alfons Tracki, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, Don Anton Zogaj, Don Nikoll Gazulli, At Bernardin Llupi, Don Luigj Pici, At Bernardin Palaj, At Serafin Koda, Don Dedë Plani, Papa Pandi (Korçë), Papa Josif Papamihali, At Lekë Luli, Don Dedë Maçaj, Don Luigj Prendushi, Don Pjeter Çuni, Don Aleksander Sirdani, Don Anton Muzaj, Don Mark Bicaj, Don Vlash Muçaj, Don Nikoll Shelqeti, Don Ejëll Deda, Don Jakë Bushati, Don Nikoll Laskaj, Don Kolec Prennushi. I kësaj periudhë asht edhe Seminaristi Mark Çuni e Fratel Gjon Pantalia.
Nuk vuna numur rendor, mbasi edhe i 44-ti asht numur 1, n’Elter të Fesë e t’Atdheut!
Janë arrestue dhe kanë vuajtë në kampet e shfarosjës edhe 59 Klerikë Katolik të tjerë.
Në vitin 1950, qeveria komuniste e Tiranës, ban përpjekjën e dytë për shkëputjen e Kishës Katolike nga Vatikani. Këte herë asht Don Kolec Prennushi, Don Dedë Malaj, Don Ejëll Kovaçi, Don Jakë Gazulli, At Marin Sirdani, At Konrrad Gjolaj etj. që kundërshtojnë “Projekt – Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”, i cili, u aprovue vetëm në vitin 1951.
Don Dedë Malaj, Don Ejëll Kovaçi u pushkatuan në vitët 1958 – 59, dhe At Konrrad Gjolaj, u dënue me 20 vjet burg vetëm se, nuk nënshkruan “Statutin e Kishës Katolike”.

Në vitin 1952, organizohët nga qeveria komuniste në Tiranë, “Konferenca e Paqës”.
Ajo kje një tribunë e vërtetë e veglave të Sigurimit të Shtetit, ku klerikët e të gjitha besimeve nuk lanë gja pathanë për Papën dhe Vatikanin. Pat pak nga ata që pranuan me ba kompromis me komunista, por jo shumë larg nga kjo kohë, papritmas u ndodhën “njëditë” para plutonëve të pushkatimit, të akuzuem si “spijun”, po as ata vetë nuk ditën se të kujt!
Pikërisht, mbas nënshkrimit të “Statutit” kur mendohej se vdekja e Stalinit, në 1953, mori me vetë edhe terrorin komunist, shohim nga dokumentacioni i ruajtun në arkivat e vetë Sigurimit të Shtetit, se lufta merr formën e zhdukjes me burgime e interrnime të gjata.
Masat politike të shtetit janë pasue gjithnjë me “pllanet” ekonomike. Kisha nuk kishte ma asnjë pronë, tokat u kooperativizuan. Shtëpijat i dhurohën oficerave të Sigurimit, prona të cilat i gëzojnë edhe sot. Fshatari “kooperativist” nuk kishte të drejtë me mbajtë as pula…
Sovjetikët, tashma padron të kampit socialist, “demaskojnë” Stalinin, po në kursin e politikës social – ekonomike nuk ka ndryshime të theksueme, me përjashtim të “luftës së klasave”, e cila fillon me përfshi në gomnën e sajë edhe “shokët e armëve”, ata komunistë që tashma e kanë krye funksionin demagogjik të Partisë. Reklami i pranisë “katolikut” Tuk Jakova në sferat e larta të Partisë, griset dhe zhdukët përgjithmonë nga Komiteti Qendror.
Bahën disa meshtarë të rinj, që në prëgatitjen filozofike të tyne kanë përfundue kurse të ideologjisë marksiste – leniniste, sigurisht, të “moderueme”, mbasi në tekstët e shkollave shtetnore marksizmi nuk përfshinë ma “haptas” diktaturën stalinjane. Kurset teologjike nuk ekzistojnë dhe as nuk bahët fjalë për shkolla fetare. Pregatitja e tyne bahët privatisht. Por, duhët theksue se edhe nga këta Meshtarë dolën Martirë, si: Don Mikel Beltoja e Don Marin Shkurti, që u torturuan dhe u pushkatuan, tue thirrë: “Rrnoftë Kisha Katolike Shqiptare”.
Në 1956, Sigurimi Komunist, arreston At Rrok Gurashin, i përfoluni për “proceset false të futjes së armëve në Kishën Françeskane dhe Partinë Demokristjane”. Janë 57 faqe të shkrueme para Shefit Seksionit Katolik (i vetmi në kampin komunist), në Degën Punëve të Mbrendshme të Shkodres, me katilin Xheudet Miloti, fanatik i specializuem me tortutue intelektualët e Klerin Katolik. Ky proces asht me të vërtetë një dokument i platformës së Ministrisë së Mbrendshme, dhe shpjegon me saktësi detaje të terrorit që do të sjellin vitët që pasojnë për Klerin Katolik. Janë parashikue imtësisht akuzat false për çdo klerik dhe grupe klerikësh, deri tek masakra kundrejt Martirit Imzot Ernesto Çoba, në vitin 1980.
Të gjithë Martirët e Fesë që do të shënoj këtu, përfshihën në shpifjet e këtij procesi:
Imz.E.Çoba, Don Rrok Frisku, Don Anton Doçi, Don Ejëll Kovaçi, Don Dedë Malaj, Don Nikoll Gjini, At Karlo Serreqi, Don Mark Hasi, Don Lec Sahatçija, At Marjan Prela, etj. pa përjashtue edhe vetë autorin e këtyne recitimeve dhe trillimeve At Gurashin.
Burgjet e kampët e shfarosjes kanë kenë të mbushuna nga 1944-1989 me këta klerikë: Don Mikel Koliqi, At Pjetër Meshkalla, At Frano Kiri, At Gjon Karma, At Mark Harapi, Don Nikoll Kimza, At Donat Kurti, Don Tom Laca, Don Ndre Lufi, At Gegë Lumaj, Don Injac Gjoka, At Marjan Prela, Don Ndue Soku, At Leonard Shajaku, Don Frano Illia, At Aleks Baqli, At Gicomo Gardin, Don Zef Gila, At Konrrad Gjolaj, Don Simon Jubani, At Anton Luli, Don Pashko Muzhani, Don Ndoc Ndoja, At Ferdinand Pali, Don Nikoll Mazrreku, Don Loro Nodaj, etj. etj. tue mos harrue me shkrue emnat e ndeuem të Fra Ndue Vilës, Fra Gaspër Jubani, dhe motrave të përvujta e fisnike: Gjeorgjina e Liljana Radovani.
Viti 1967, asht viti i shfaqjës së haptë të fëtyrës së përbindshit antikatolik terrorist, i fondamentalistit aziatik E.Hoxha, me pasues skilën e tij Ramiz Alia. Shqiptari përjetoi jetën e të pambrojtunit të dërmuem nga diktatura komuniste dhe të sulmuem nga bishat të egra të pyllit. Shqipnia e Skenderbeut, Shqipnia Evropjane, shpallët me Kushtetutë: “Shteti i Parë Ateist në Botë”. Rrugët e përgjakuna të Shkodres Heroike edhe njëherë njomën me Gjakun e Martirëve të Kishës Katolike. Don Shtjefën Kurti, vetëm pse Pagëzon një fëmijë: Pushkatohet. “Revolucioni Ideologjik Kultural” i tipit kinez, edhe njëherë përmbytë Popullin Shqiptar në llomin e ideologjisë komuniste, tue mos lanë asnjë Kishë Katolike, shumë Orthodokse, Xhamia e Teqe, gjithsejt 2169 objekte kulti. Pasojë e kësaj lufte të pakrahasueshme me asnjë vend t’Evropës, tue mos përmendë burgosjet dhe hetuesitë kriminale të dhetra klerikëve Katolikë, asht vdekja e Imz. Eresto Çobës, i lidhun mbrenda një thesi, tue u dergue në labirintët e hetuesive të Tiranës, në vitin 1980; vdekja në burg e Don Lec Sahatçisë, në vitin 1986; martirizimi i pashoq i Don Pjetër Grudës, që dha Shpirtë me 13 Janar 1989, dy muaj para lirimit, mbas 15 vjet vuajtje. Vazhdojnë Kalvarin komunist shumë klerikë, nga të cilët do të veçoj: Don Mikel Koliqin (Kardinalin e ardhëshëm të Parë Shqiptar), me 38 vjet burg e internime; At Gjergj Vatën, i arestuem tri herë, në vitët 1945, 1974, 1977 dhe lirohët mbas 10 vjetësh, në 1987; Don Nikoll Mazrrekun, që ka vuajtë 25 vjet burg e 12 vjet interrnime, nga viti 1946 – 1987.
At Pjetër Meshkalla, me datën 5 Prill 1967, i tregon haptas drejtuesve terroristë të Shtetit komunist, se: “nuk asht e para herë që dalim në rrugë të madhe,…e vërteta asht se Populli i ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së Tyne…Pengesa e juaj e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu, që pëngon rrjedhën e ujit…”.
“Nuk flitët për ‘Inkuizicionin e Shek. XX’, që po bani në Shqipni,… ju që jeni një pakicë e pandërgjegjëshme…” , ajo që kërkoni me ba ju asht vetëm kjo: “Pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sëpse, i lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë Ate që beson; dhe, kështu, fushata që po bahët, synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, oportuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut.”
Për këte letër u dënue edhe 10 vjetë tjera, tue plotësue kështu 25 vjetë burg komunist.
Prof. Arshi Pipa, shkruan: “…Por, 25 vjet burg në burgjet staliniste peshojnë ndoshta, edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi.”
Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botue nga Akademia e Shkencancave e RPSSH, Tiranë 1980, fq. 337, shkruan: “Gjenocidi. Shfarosje e plotë ose e pjesshme e grupeve të veçanta të popullsisë për motive raciale, etnike etj. me anë mjetesh e mënyrash të ndryshme si vrasjet, dëmtimet e rënda trupore ose mendore të anëtarëve të grupeve, vënia e tyre me qëllim në kushte të tilla jetese, që shkaktojnë shkatërrimin fizik të plotë ose të pjesëshëm, marrja e masave që kanë si qëllim ndalimin e lindjeve në gjirin e tyre etj…”.
Nga ky përkufizim i bamë nga vetë komunistët, mendoj, do t’ishte e tepërt me hy në komente të gjata, kur kemi mundësi me folë vetëm me gjuhën shkencore të shifrave dhe faktëve të pakundërshtueshme, të ruajtuna nga vetë Sigurimi i Shtetit në Arkivin e tyne.
Ja pra, cili ishte genocidi komunist ndaj Klerit Katolik Shqiptar mbas vitit 1944:
Në vitin 1944 Shqipnia kishte pak ma shumë se 200 Klerikë Katolik Shqiptarë, tue përfshi edhe tokat Shqiptare në Mal të Zi, Hot, Grudë dhe Kosovë.
Në statistikën e poshtshënueme nuk përfshihen vrasjet e bame mbas vitit 1944, nga komunistët jugosllav, tue u konsiderue si krime të kryeme nga autoritetet e tyne qeveritare. Kjo statistikë e përpilueme nga Fritz Radovani në vitin 1993, pjesërisht u botue në librin: “MARTIRIZIMI I KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE 1944-1990”, libër, i cili, Ju dhurue Papës Gjon Pali II-, me rastin e vizitës së Tij në Shqipni, me 25 Prill 1993.
Klerikë të pushkatuem:
Janë 31 klerikë, ku përfshihën: 4 Ipeshkvij, ndër të cilët: Imzot Frano Gjini ishte Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni. 1 Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, 1 Rektor i Kuvendit Françeskan, 1 Rektor i Jezuitëve të Shkodrës dhe 1 Zv. Provinçial i Jezuitëve të Shkodrës. Këtu përfshihet edhe 1 seminarist.
Mosha mesatare e Tyne ishte 47 vjeç, kanë ba 258 muej hetuesi ose 21 vite të gjithë së bashku. Shumica nuk ka dalë në gjyqe publike dhe nuk i asht ndigjue gjyqi nga populli.
Klerikë të mbytun ndër tortura:
Jane 8 klerikë, ku përfshihët edhe 1 fratel.
Mosha mesatare e tyne ishte 50 vjeç, kanë ba 68 muej hetuesi ose 5 vite e gjysëm.
Klerikë të mbytun pa gjyqe ndër burgje ose kampe shfarosje:
Janë 4 klerikë, ku përfshihët 1 Ipeshkëv.
Mosha mesatare e Tyne ishte 56 vjeç, kanë ba 56 muej hetuesi dhe së bashku me vitët që kanë vuejt dënimin janë kenë gjithsejt 18 vjet.
Klerikë që vdiqën pak muej mbas hetuesisë:
Jane 3 klerikë. Mosha mesatare e Tyne ishte 52 vjeç. Kanë krye së bashku 3 vjet hetuesi dhe kanë vdekë si pasojë e torturave të Sigurimit Shtetit.
Klerikë që vdiqën në burgje e kampe shfarosje:
Janë 20 klerikë, ku përfshihen 3 Ipeshkvij. Mosha mesatare e Tyne ishte 56 vjeç.
Kanë krye 156 vite burg dhe punë të detyrueme ndër kampet e shfarosjës, deri ditën e vdekjes së Tyne.
Klerikë që vdiqën mbasi kryen dënimet ndër burgje e kampe shfarosje:
Janë 38 klerikë, tue përfshi edhe 2 fratela.
Të gjithë së bashku kanë vuajtë 315 vite burg.
Klerikë që kanë vuajtë shumë vite burg dhe janë kenë në sherbim të Fesë, në 1993:
Jane 25 klerikë, ku përfshihët 1 Ipeshkëv.
Kanë krye 363 vite burg dhe punë të detyrueme në kampet e shfarosjes.
Motra që u burgosën dhe janë në sherbim të Fesë janë dy.
Të gjitha vitët e hetuesisë, burgut dhe vuajtjes së Tyne, në kampët e shfarosjës komuniste janë kenë 881 vite, ose gati 9 SHEKUJ.
Prej 200 Klerikëve Shqiptarë në vitin 1944, janë pushkatue dhe mbytë ndër burgje, hetuesi, spitale psikiatrike dhe kampe shfarosje 66 klerikë, arrestue dhe vuajtë shumë vite burg me punë të detyrueme janë 65 vetë. Gjithsejt janë shfarosë 131 klerikë.
Këta, kanë krye studimet e larta në 24 universitete të ndryshme t’Evropës, në 450 vjet studime.
Të gjithë janë shfarosë nga GENOCIDI KOMUNIST, vetëm për një motiv:

“KLERIKË KATOLIKË DHE ATDHETARË TË SHQUEM SHQIPTARË”.

Kleri Katolik Shqiptar asht Ai, që ka vue bazat e kulturës sonë, dijes, artit, shkencës, sportit, tregëtisë, mardhanjëve demokratike, vëllaznimit me besimet tjera dhe fqinjësisë me shtetët ma të zhvillueme t’Evropës, gja të cilën e vërtetojnë delegatët e Tij, në Shpalljën e Pavarësisë Kombëtare në vitët 1911 – 1912, e deri në njohjën e Tij nga Evropa.
Kleri Katolik ka vue thëmelët e Letersisë Shqipe të shkrueme Atdhetare, që nga Imz. Pal Engjulli (1462), Buzukun (1555), Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi etj. për të cilët, kritiku i madh letrar Prof. Namik Resuli, shkruan: “Këta shkrimtarë të vjetër të Veriut nuk janë vetëm të parët që filluan njëfarë lëvizje kulturore në vendin tonë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë shqipës një alfabet – alfabetin latin – po janë edhe të parët që mendojnë e punojnë për Atdheun e Gjuhën e tyre, për Shqipën e Shqipërinë.” (“Shkrimtarët Shqiptarë” fq.12, viti,1941) Mbas Lidhjës së Prizrendit në 1878, janë prap: Gjergj Fishta, Anton Harapi, Lazër Shantoja, Ndre Mjedja, Zadeja, Prennushi, J. Rrota, Kurti etj. që vazhduan rrugën e të parëve, tue e ngritë letërsinë shqipe në piedestalin ma të lartë ç’prej krijimit të saj. Këta Burra të vramë e të dhunuem vorresh fituan kundër Lindjës afërme e të largët, për vetë faktin se sot në Shqipni, asnjë fshat nuk flet as serbisht, as turqisht, as rusisht as kinezëshe.
Jugorët u lidhën me komunista, trathtuan edhe Atdhetarët e vet të “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit”, shpallën luftën vëllavrasëse civile në vitin 1944, në favor të shovenistëve barbar grek e serbosllav, shpartalluan Shtetin Shqiptar, arrijtën deri në tjetërsimin e gjuhës sonë në Kongresin famkeq të “Drejtëshkrimit” me 20-25 Nandor 1972, në Tiranën e kuqe, me 87 sherbëtorët e Hoxhës dhe servilët e druzhe Titos, në Prishtinë, Mal të Zi, Maqedoni, dhe mafiozët e Italisë, që nënshkruan paturpsisht “aktin e varrosjës” së Gegënishtës, tue zhdukë nga thesarët e gjuhës sonë kombëtare 70% të letësisë shqipe e Atdhetare të Veriut.
Po, ky, akt shfarosës i gjuhës e letërsisë së një Populli Verior, nuk asht genocid ?…
Ata u pajtuan me luftën antikombëtare të internacionalizmit proletar, luftë rrënuese e çdo ndjesie Atdhetare, për të cilat, ishte punue me shekuj të tanë. Shpartalluan shkollat dhe qendrat e edukimit të rinisë, ku hodhën farën e ateizmit. Këte, vërteton prania në Shkoder e “Muzeut Ateist”, të vetmit në Botë, i ndërtuem nën kujdesin e antikatolikut Ramiz Alia, me të cilin, ky trathtar hipokrit ka synue me shrranjosë tek rinia Shqiptare dëshirën për kulturë dhe dije evropjane, tue zbatue parimin e vet komunist: “Shpif e shpif se diçka mbetët!…”
Unë nuk e kam vizitue, po aty n’atë muze ishte edhe fotografia e një burri të rinj, që ka ba 10 vjet burg se në gjyq, tha: “Unë besoj në Zotin!” (Dosja 2291, Ark.MPM Tiranë).
Po, as ky nuk asht genocid, me u dënue 10 vjet burg se beson në Zotin?!…
Mbas 1944, nga genocidi kundër intelektualëve të Shqipnisë, të formuem në shtetët e Evropës, meqë asnjë nuk u pajtua me komunizmin; u varën, u pushkatuan dhe u burgosën me akuza false, nga: “Gjyqi Special i Tiranës”(Mars-Prill 1945); u varën 3 Burra, 14 vetë u pushkatuan dhe 48, u burgosën; “Bashkimi Demokratik Shqiptar” (Qershor-Korrik 1946), 9 vetë u pushkatuan dhe 25 u burgosën; “Sabotatorët e Kënetës së Maliqit” (1946) 2 vetë u varën, 4 vetë (ndër ta 1 grue) u pushkatuan dhe 15 ingjenjer e teknikë u burgosën; “Opozita II Shqiptare” (Shtator 1947), 3 vetë janë varë, 13 vetë u pushkatuan, 51u burgosën; “Gjyqi i ‘bombës’ në Ambasadë Sovjetike”(Shkurt 1951), vrau 22 vetë pa gjyq; “Shkolla Teknike e Harry Fultz” (1946-49), 22 vetë të pushkatuem dhe 60 vetë të burgosun randë. Këta janë vetëm disa nga “Gjyqët” false të intelektualëve të Tiranës, ku nuk munguan edhe emnat e shkodranve. Me këta varje e pushkatime u zhduk përgjithmonë edhe Opozita Shqiptare.
Do të kujtoj këtu, mijra të interrnuem për motive politike, që arritën me krijue edhe familje në skajët ma të humbuna të Shqipnisë. Ata lindën edhe fëmijë, tue fitue “bukën” në kampët e shfarosjës dhe fermat “socialiste”, ku, vdiqën dhe u zhdukën përgjithmonë fise bashkë me vorrezat e Tyne. Ja, një model i zhdukjes së njenës prej Heroinave ma të Mëdha të Burrneshave të Nderueme, Frida Sadedini, mbi 80 vjeç, ka vdekë mbas 15 vjetësh të vendosjës së “demokracisë” së 1992, pranë familjes së Dedë Gjomarkut në Shkoder.
Cila ishte arësyeja që Qeveria “Demokratike” nuk i këthei asnjë nga pronat e Saja?
Kjo Martire e Shek. XXI, nuk pranoi me dëshmue në rrenë kundër Klerit Katolik për 60 vjetë rresht, as në vitin 1946 dhe, as në 1968, po Ajo, pranoi jetën e burgut e të kampëve shfarosëse të internimit…e,… sa, ishin si kjo Heroinë në gjithë Shqipninë?
Po, kjo, shfarosje e fiseve Shqiptare me gra, fëmijë e pleq, nuk asht genocid ?
I pafund ishte Kalvari për Klerin Katolik. Shkodra përjetoi shumë ngjarje rënqethëse:
Në 1972, Shenjti i gjallë, Don Injac Gjoka, i sëmurë me tbc, ka mbështetë shpatullat mbrenda një furre për të fjetë, se nuk kishte as kësollë. Dijetari At Donat Kurti, jetonte në një barakë teneqesh në Zallin e Kirit (1983), Shkenctari botanist, filozofi At Mark Harapi, ushqehej vetëm me shka mund të gjente në grumbujt e plehit në lagjën Serreq, në 1974.
Ky ishte shkaku i vetizolimit komunist të Shqipnisë, mos me ditë bota genocidin!
Aspak mos u çuditni nga këta fakte, derisa sot në organet e drejtësisë së Republikës së Shqipnisë re “demokratike”, ka ish-hetues të Sigurimit komunist, si katilët e njohtun Dhimiter Shkodrani dhe i Ibrahim Lahi, etj. në Shkoder, që me duartë e veta kanë krye vepra terroriste gjatë hetimëve, tue ba disa djelmë të rinjë të paaftë për me krijue familje.
As kjo vepër terroriste nuk asht genocid kundër Rinisë Shqiptare!
Aspak mos u çuditni nëse, Bota e qytetnueme, këta bisha me fëtyrë “njeriu” i len të lira me bredhë ndër rrugët e Parisit, Londrës apo Washingtonit, aspak mos u çuditni që këtyne, dikush, tue veprue kështu, iu ka dhanë të drejtë edhe me i përsëritë prap krimet e shëmtueme që kanë krye deri dje, përderisa, sot as Haga, as Këshilli i Evropës, as Amnesti Internacional, as Brekseli, as Strasburgu, as OKB nuk bëzajnë fare, po i lejojnë madje, edhe me predikue në tribunat publike të demokracisë evropjane “socializmin e moderuem”.
Po e përsëris edhe njëherë, aspak mos u çuditni, nëse njëditë, këta fakte e dokumenta të historisë sonë do të rrezikojnë Demokracinë e vërtetë evropjane dhe, do të detyrojnë vetë toleruesit lanjës së lirë të këtyne përbindshve kriminel, “me i kërkue të falun” edhe Gjyqit Nürembergut, për vendimët e tija, të cilat, as nuk krahasohën me shfarosjet e genocidit komunist të kryeme për njëgjysem shekulli, nga viti 1944 – 1991, në Shkodren Martire, ndaj Klerit Katolik dhe Popullsisë së Pafajshme Besimtare dhe Atdhetare Shqiptare.
Sigurisht, edhe kjo e ka domethanjën e sajë:
Nëse, në të gjitha vendët komuniste e socialiste asht punue nga drejtuesit e këtyne shtetëve që, me ideologjinë e tyne marksiste-leniniste, me bindë njerëzit për “me pranue” se kanë rrjedhë nga majmuni, në Shqipninë Socialiste, E.Hoxha, me terrorin dhe diktatin e tij kriminal, për njëgjysëm shekulli ka detyrue një popull të tanë nga të kenunit njeri, me u ba “majmunë”! Po mos të harrojë Evropa: Jo të gjithë Shqiptarët!…
Nëse, vonon harresa, kjo, asht shfarosja e të gjithë Popullit Shqiptar?
Po, kurr, mos harroni se, Ajo, që nuk u gjujzue kje vetëm Kisha Katolike Shqiptare!
Ajo nuk u përkul dhe, as nuk u thye, as nga tortura, as nga vuajtja, as nga uria, as nga plumbi, as nga shpifjet, as nga shnderimët, as nga kampët shfarosëse komuniste gjakatare.
Ajo qendroi e pathyeshme në Ungjillin e Krishtit edhe para genocidit komunist!
Mbas vitit 1944, kur në Shqipni u zhduk Opozita, mbas 1945, duhët thanë troç:
Rolin e Opozitës Demokratike e ka luajtë vetëm Kleri Katolik Shqiptar, prandej, Ai asht luftue, asht shfarosë dhe asht zhdukë me metodat ma të egra primitive e moderne të genocidit komunist sadist enverian e ramizian, të aplikueme për 45 vjet, deri në vitin 1991, në truallin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe Nanë Terezës së Kalkutës.
Ja, disa fakte të dokumentueme në Arkiv të këtij qendrimi Heroik dhe Demokratik:
Don Lazër Shantoja: (1924), “…Ndodhjet politike të vitëve të fundit mund të thomi përgjithsisht u kanë dhanë arësye fjalëve të publiçistit rus, të mbytun nga bolshevikët”.
(28 – XI – 1924), “Ligja ndalon cungimin e gjymtyrve të trupit, por politika e Evropës pranon cungimin e arganizmave të gjalla shoqnore, që janë kombët.” (“Ora e Maleve”).
(Sheldi, 26 – I – 1945), “As ma pak e as me shumë se ajo që kam ditë me kohë se, komunistët janë veç trathtarë!” (Dosja 174. Arkivi i Min. P.Mbrendshme Tiranë. AMPMT)
Don Kolec Prennushi: (1931), “Me kenë socialist domethanë me kenë njëheri anti – krisht; ngallnjimi i mbramë nuk asht i mundun pa rroposjen e krishtënimit. Kështu, thotë Losinski, në 1902, e bolshevikët e sotëm (socialista radikal), janë tue e vërtetue me fakte…”
“…Me kenë “antinacional” asht një mkat: me kenë “internacional” dmth me i mbajtë të gjitha kombët njëlloj asht një padrejtësi.” (Libri “Rrimë shtrembët e flasim ndrejtë”).
(1938): “Kush rreshtohët për Krishtin e kush rreshtohët kundër Krishtit. Rreth vehtjës së Tij asht ndezë lufta ma e madhe e shpirtënve. Lufta që racionalizmi nisi mbi katedra, ra mandej në rruga në rreshta të popullit e u ba komunizëm, bolshevizëm gjithrrënues.
Sulmi i tij nuk qëllon vetëm Hyjninë e Krishtit e Hyjnueshmëninë e Kishës, por edhe kullat mbrojtëse të tyne: Doktrinën e revelacionit o të zbulimit; mëshehtësive, të mbrekullive, të dokumentëve të krishtënimit…”
“Por, armët kundër vërsuljeve të anmiqve sidomos, në këte kohë, kur mortaja e komunizmit ka pra (mbulue) atmosferën e përgjithëshme, i duhet popullit me i pasë në dorë e, kundra të zakonshmëve e kundër atyne ma të hollave që kanë hijen e ditunisë, të cilat, edhe në mos paçin mërrijtë ndër né, do të vijnë si mbeturina rrënojësh, që hjedh dallga e detit në bregorët tona.” (Libri “Për Krishtin o kundër Krishtit”).
(1950): “Ky Projekt-Statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij, këta (komunistët) kanë me i mbyllë Kishat prapseprap. Jam i sigurt se do të na thonë se, do t’ju vrasim, por asht ma mirë me ba çka kanë ndër mend sot, se ma vonë. Lé të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe nesër prapë kanë me na mbytë, po na do të vdesim me faqe të zezë. E na, nuk duhët me harrue se me këta na jemi hupësehupë. Komunistët kështu, kanë ba ku kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spanjë e kudo.
Na nuk jemi të parët që nuk po i njohim se kush janë…Këta janë gjithkund njësoj.”
(Nga At K.Gjolaj, libri “Çinarët”, fq. 125, viti 1997, Shkoder).
Don Ndre Zadeja: (1945) “Mësova se punohët për shembjën e partisë komuniste, të cilën si doktrinë e urrej edhe unë.” (Dosja 667, AMPM Tiranë, 7 – II – 1945.)
At Mati Prennushi: (1943) “…mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, ta ruajmë At Çiprianin për ma vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohët…” (A.K.Gjolaj, “Çinarët”, fq. 67. 1997)
Janar (1945): Në Kuvendin Françeskan të Shkodres, përballë Mehmet Shehut: “Na nuk shkëputemi nga Vatikani. Kjo punë nuk mund të bahet kurr nga Kisha jonë Katolike!”.
1946: “Komunizmin e kam urrye… Padrejtësitë e Konferencës së Paqës i kam pritë keq… Unë nuk kam votue. Për çeshtje të mbylljes së shkollave na kemi ba memorandum …dhe për shkeljen e të drejtave fetare” (Dosja 1302/II-A, AMPM Tiranë, 1998).
Imz. Frano Gjini: (1945 – 1946), “Unë nuk do ta ndajë kurr grigjën teme nga Selia Shenjtë!”. “Marksizmi nuk njeh gja tjetër përveç, çfarë sheh e prekë me dorë, Zot e Fé nuk njeh. Ne luftojmë ateizmin…Në lëvizjen N.Çl…dija se mbrenda kishte edhe komunista dhe, si doktrinë e urreja komunizmin, si ateiste… Kerkesë i kam paraqitë Vatikanit dhe, jo, Anglo – Amerikanëve.” (Dosja 1302/II-A, AMPM Tiranë, 1998).
At Çiprian Nika: (1946), “Lufta për zhdukjen e komunizmit mue më pelqej…sistemi i qeverisjës sot asht kundër parimëve të mija…Në votime nuk dola fare se nuk ishin të lira, nuk doli asnjë parti opozitare, na kujtuam se nuk kishte arkë boshe se, po ta kishe ditë do të kishe shkue për ta hjedhë votën kundër…Përhapjën e komunizmit në Shqipni e konsideroj ateiste, prandej jam edhe kundër tij. Si konseguencë fatale kam konsiderue mohimin e egzistencës së Zotit. Nga ky shkak kam mendue dhe mendoj se mohohen të gjitha ligjët morale si, ndera, dashnija, drejtësia etj. dhe, si përfundim kam nxjerrë me vetën time, se me përhapjen e komunizmit ateist do të shkatrrohët shoqnia njerëzore…Qendrimi i ynë kundrejt komunizmit ateist asht kenë armiqësor… Unë nuk kam dëshrue që ushtria e kuqe të përhapej në Përëndim, mbasi me përhapjën e komunizmit rus ndihët edhe rreziku serb. Fitoria e Gjermanisë ishte në favorin e Shqipnisë… Dëshira eme dhe e shokve të mijë ka kenë me e shue farën e komunizmit në Shqipni.” (Dosja 1248, AMPMT.)
At Donat Kurti: (1946), “Unë votën e kam hjedhë në arkën boshe. Natyrisht, këte e kam ba si kundërshtar i rregjimit komunist…Për ne, e quej ma të rrezikshem kenjën e këtij Pushteti këtu, sësa okupacionin italian e gjerman.” (Dosja 1303, AMPMT)
At Gjon Karma: (1946), “…Ne na asht prishë qejfi se shkruanin në dyert e kishave drapër e çekan…” (Dosja 1302/II-A, AMPMT).
At Pjetër Meshkalla: (1946), “Pushtetin komunist e kam luftue në të gjitha predikimet e mija…Aktivitetin propogandistik kundër PKSH e kam fillue nga viti 1943. Unë tue kenë kundër komunizmit kam luftue edhe punën e tyne…Jam kënaqë kur një i rinj nuk ka pranue me marrë tesëren e BRASH-it, se kjo organizatë udhëhiqet nga komunistët… Mbas 1944 e rihapa Rrethin e “Shën Pjetrit”, në Tiranë, se rinia filloi me u implikue me komunista.” (Dosja 4191/1, 1303, AMPM Tiranë).
At Pal Dodaj: (1947), “…ishim për hapjet e kufinjve, koalicionet dhe lirinë e njerëzve …nuk shihshim kund demokraci…Popullin e këshillojshe mos me u përzi me komunista, që të mos e pësonin me u djegë si Toskënia.” (Dosja 1248, AMPMT).
Imz. Vinçenc Prennushi: (1947), “I thojshe popullit kur kishe kontakte me te dhe, sidomos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqët nga komunistët, të cilët, ne na luftojnë deri në vdekje…Lufta e ime ishte kundër komunistëve e Partisë komuniste, që ajo mos egzistonte kur të formohej Pushteti mbas zbarkimit amerikan” (Dosja 1245 AMPMT)
Don Dedë Malaj: (1959), “Unë jam anmik i komunizmit qyshë 9 vjeç, se atëherë, kam shkue ndër bankat e shkollës së mësuesit tem Don Alfons Tracki,…kam punue kundër komunizmit aqsa më ka lejue Feja…I kam thanë fshatarve, hyni në kooperativë, se mos me hy këta do të veprojnë si Stalini në Rusi, që ka mbytë miljona fshatarë, e komunistat këtu, nuk i lanë gja mangut atij.. E Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue me 29 Nandor 1944 dhe, ka me vazhdue derisa të mbarojnë komunizmi.” (Dosja D.D.Malaj AMPMT).
At Konrrad Gjolaj: (1959), “Qyshë se fillova me marrë mend ndër bankat e shkollës së Don Alfonsit, kam kuptue çka asht komunizmi dhe, prej asaj kohë nuk kam dashtë me ia ndigjue emnin. Kurr nuk e kam dashtë atë ide.” (Dosja D.D.Malaj, AMPMT).
At Gegë Lumaj: (1945 – 1968), “…duhet me pasë kujdes e mos me formue kurrë parti (demokristjane), mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka njëzet e sa vjetë që vazhdojnë me akuzue Klerin, pa kenë kurrkund partia, po, ba me pasë kenë, çka paskeni dashtë me ba ndër ne, ju kështu, edhe po na qitni fare!?” (Dosja 2291, AMPMT).
Imz. Ernesto Çoba: (1978), “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje!” (Dosja Monsinjor E.Çoba me grupin).
Don Mark Hasi: (1968), “…Ka me ardhë ajo ditë, kur do të ngrihet një Monument në Shqipni. Me shkronja të arta, do të daltohën emnat e të gjithë Martirëve dhe Deshmorëve të Lirisë së Atdheut, që luftuan për Demokracinë e vërtetë dhe ranë nën shpatën komuniste.” (Dosja 2291, AMPMT).
Prof. Sami Repishti thotë: ”Shqiptarët katolikë janë përpjekë për shekuj me radhë të sjellin në Shqipni frymën civilizuese të Evropës, mendjet e ndrituna të kontinentit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e mendimit njerëzor, të krijimtarisë letrare artistike, të shkencës, të teknologjisë dhe të organizimit politik të shtetit modern, që siguron zhvillimin e përparimin e njeriut të lirë”(Përshëndetje në përurimin e Kishës Shqiptare në Harstdale, New York, më 25 prill 1999).
Në vitin 1990, me 11 Nandor, në ora 11.00 p.dr., në mes të disa vorrezave të mbetuna shkret dhe Eshtnave të shkapërndame nga vëllau plangprishës, pranë Atyne Martirëve të dhunuem mbrenda e jashta Rëmajt, shumica të humbun në Zallin e Kirit pa asnjë Shenj te kryet, asht Don Simon Jubani, Ai që ringjalli shpresën e demokracisë së vërtetë, në zemrën e gandueme e të plasun për njëgjysëm shekulli të Popullit të braktisun dhe të shumëvuejtun Shqiptar, Aty i lindi shpesa, liria e fjalës, e besimit dhe u shprangos nga frika e vetizolimi.
Vëllaznit e vërtetë Shqiptarë, padallim Feje, që e ndijnë me zemër vetën Myslimanë, Bektashinjë, Orthodoksë dhe Katolikë, mbasardhës të Atyne Atdhetarëve, që vdiqën tue derdhë gjakun e Tyne të Shenjtë për “Një Zot e Një Atdhé”, të rrëthohën kambëkryq pranë vatrës së vjetër besnike, të ndezin flakën gati të shueme të dashnisë vëllaznore e burrnore Shqiptare, të ulën rreth sofrës bujare “me shka ka dhanë e falë i Madhi Zot”, të Dedë Gjo’Lulit e Ismail Qemalit, Dasho Shkrelit, Gurakuqit e Sheh Karbunarës, At Gjergj Fishtës e Faik Konicës, Imzot Luigj Bumçit e Isa Boletinit, Imz. Lazër Mjedjës e Hasan Prishtinës, të Prenkë Calit e Bajram Currit, të Gjelosh Lulit e Avni Rustemit, Gjergj Vatës e Alush Lushanakut, të Mark Gjomarkut e Muharrem Bajraktarit, të Mirakajve e Hamid Matjanit, Prenkë Kaçinarit e Arshi Pipës, Paulin Palit e Muzafer Pipës, Martin Camaj e Qemal Draçinit, Kol Prelës e Sami Repishtit, Ndue Palit, Fahri Rusit e Kol Kurtit dhe, me “bukë, krypë e zemër”, të ngjyjnë kafshatën e kollomoqes në “shllinën” e stojanicave fisnike të Malësisë sonë, Norës, Tring Smajlës, Shote Galicës dhe Maria Shllakut, tue mos harrue kurr Bardhosh Danin e pasuesit e Tij, një Rini e tanë Deshmore, të vramë në kufinjë, tue u shetitë të lidhun me tela me gjemba përsëvdekuni ndër pjacat tona në vitët 1989.
Kujtimi i Përjetëshëm i Martirëve, le të na frymzojë e të na bashkojë si vëllazën, për ndërtimin e përparimin e një Shqipnisë së Re Demokratike, për të cilën, Ata dhanë jetën!
Rrnoftë Shqipnia me Shqiptarët e Vërtetë, në të gjithë Botën Përparimtare!
Më dukët se, sikur, në drejtim të Dritës,… po shoh Një prej Atyne Burrave,… që, para gati 50 vjetësh, me një dashuni Atënore, më pat thanë këto fjalë: – “ Fritz,: ….
Kleri Katolik Shqiptar asht Kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sëpse, mbas pësëqind vjetë robnije nën Turqi, po të merrët historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si Shtet e deri në 1944, që erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsësi), janë vetëm 30 vjetë mundësi për me formue një Kler Shqiptar e, për 30 vjetë, me nxjerrë aq Heronjë sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë Kler në Botë”.
Po, At Pjetër Meshkalla, me të vërtetë, Ajo, që keni profetizue Ju, asht sot e shkrueme me gjakun e Martirëve të Fesë, në fletët e arta të Historisë së Re të Klerit Katolik Shqiptar!
Lavdi Zotit, për Madhështinë e Veprës së Tij, mbi truallin tonë shkambor Shqiptar!

Ju falemnderës!
Fritz Radovani
Michigan, Detroit, Tetor, 20. 2007.

Stampoi: SHOQNIA SHQIPTARE KATOLIKE – MELBOURNE.