Kozeta Zavalani: FYTYRAT E GLOBIT TIM
Duke parë fytyrat e gdhendura
mbi trungun e lashtë të një peme,
në Saint Croix,
mes gjelbërimit, detit dhe qiellit,
në heshtje ulem e meditoj…
Sa fytyra ka bota!
Sa sy, sa buzë, sa rrudha,
sa histori të ndryshme
gdhendur në trungun e jetës!
Ne jemi njerëz të ndryshëm,
me fytyra të ndryshme,
me gjuhë, ngjyra e vende të ndryshme;
por thellë në indet e qenies,
nën lëkurën e ndryshimeve,
njësoj na rreh zemra.
Të gjithë pimë të njëjtin ujë,
frymën nga i njëjti ajër marrim,
nën të njëjtin diell zgjohemi,
dhe në mbrëmje nën të njëjtët yje
ëndrrat tona i varim.
Qeshim njësoj kur dashuria na prek,
qajmë njësoj kur dhimbja na troket;
gëzohemi, vuajmë, shpresojmë,
dhe kërkojmë një dorë
që të na thotë: “Nuk je vetëm”!
Të zinj, të kuq apo të bardhë—
ngjyra është vetëm petku i jashtëm;
brenda nesh, shpirti nuk njeh kufij,
as dete, as kontinente,
as mure, as flamuj.
Mbi të gjithë ne
horizonti shtrihet njëlloj,
si një mantel i pafundmë drite;
dhe qielli nuk pyet
nga cili cep i Tokës vijmë
kur mbi ne ndez agimin.
Dallimet tona janë ngjyra
në pikturën e madhe të njerëzimit;
por dashuria është drita
që i bashkon të gjitha ngjyrat.
Prandaj, ç’ka rëndësi
nëse fytyrat tona janë të ndryshme?
Rëndësi ka zemra që di të dojë,
dora që di të ndihmojë,
fjala që di të falë,
dhe shpirti që beson në përjetësi.
Sa e bukur është dita,
kur e shoh me sytë e dashurisë—
si fytyrat e globit tim,
të ndryshme në pamje,
por të afërta në shpirt.
Sa të bukur janë yjet,
kur pasqyrohen në sytë e njerëzve;
secili sy një univers,
secila zemër një qiell,
secili njeri një histori
që pret të dëgjohet.
I bukur është edhe dielli—
ai i fal dritën të gjithëve,
pa pyetur kush jemi,
nga vijmë,
çfarë ngjyre kemi
apo ç’gjuhë flasim.
Le ta shkulim, pra,
farën e së keqes
që dikush e ka mbjellë në tokën e zemrave;
ta lëmë dashurinë të hedhë rrënjë,
mirësinë të çelë lule,
dhe paqen të bëhet pemë
me degë mbi gjithë njerëzinë.
Le të bëhemi një pyll i madh njerëzor,
ku çdo trung të ketë fytyrën e vet,
por çdo rrënjë të pijë
nga i njëjti burim dashurie.
Dhe unë, me sytë nga dielli,
me duart drejt qiellit,
Zotit i flas në heshtje:
O Zot,
na dërgo paqe nga qielli,
na mbill dashuri në zemra,
na mëso të shohim përtej ngjyrës,
përtej kufirit, përtej ndryshimit—
të shohim Njeriun!
Sepse bota është një,
Toka është shtëpia jonë,
dhe njerëzimi
është familja jonë e madhe.
Paqe në çdo zemër,
dritë në çdo shpirt,
dashuri mbi çdo tokë!
Ju uroj nga zemra një muaj të mbarë,
të paqtë e të bukur të Shtatorit!
Qoftë shtatori një fillim i ri,
me dritë, shpresë, dashuri dhe paqe!