Arta Arifi: Ben Blushi pa mëngjes
“Dhe meqë në fshat nuk ndodh asgjë gjatë natës, ngjarjet e filmave të rinj zhvillohen vetëm ditën”.
Kështu thotë Ben Blushi. Pastaj, mbi këtë premisë të pambështetur, ndërton një përfundim krejt banal.
Dhe, pikërisht kur pres që ta zbusë fjalinë e parë, ai bën të kundërtën: e thellon kundërthanien.
Kështu, rresht pas rreshti, provokimi i tij kalon nga kritika kinematografike në paragjykim klasor e territorial.
Gjithsecili ka të drejtë të shprehë nje përshtypje personale dhe të provokojë, por një paragjykim nuk mund të paraqitet profesionalisht si e vërtetë universale pa asnjë provë.
Kur Blushi thotë se njerëzit kërkojnë të frymëzohen nga “njerëz të jashtëzakonshëm”, ai nënkupton padrejtësisht se fshatari nuk mund të jetë i jashtëzakonshëm.
Një xham nuk e bën filmin modern, sikurse një fshat nuk e bën filmin të prapambetur. Moderniteti i një vepre qëndron në mendimin e saj, jo në inventarin e dekorit.
Pamfleti i tij nuk drejtohet ma vetëm kundër filmit. Në përpjekje për ta nxjerrë fshatin nga kinemaja, Blushi e fut fshatarin në çdo paragraf. Dhe sa ma shumë e kërkon modernitetin te xhamat, hotelet dhe takat, aq ma shumë ndërton një hierarki të vjetër aty ku qytetari elegant ka vlerë dramatike, ndërsa fshatari mbetet dekor i prapambetjes.
Dhe kur Blushi e zëvendëson argumentin me përsëritje, mua nuk më mbetet tjetër veç me e trashë zanin, me sha masdite, me e marrë një gotë raki edhe mos me puthë mirë.
Në krejt këtë pamflet, më ra në vesh një fjali:
“Një natë pa mëngjes”.
Është figurë e fuqishme letrare, por kur përdoret për të gjykuar nje letërsi të tërë, pa autorë, pa vepra dhe pa argumente, mbetet vetem nje fyerje e shkruar bukur.
Dhe si përgjigje ndaj saj kam diçka nga Anton Pashku:
“Dielli e qielli korkolliteshin në faqen e atij liqeni artificial, në faqen e zhubravitun të tij ku çdo gja përflakej”.
Pra, Ai që, sipas Ben Blushit, harxhon tri faqe duke shpjeguar galexhantin e banjos, me një fjali arrin me i ndez uj, ajr e qiell.
Problemi, pra, mund të mos jetë gjatësia e përshkrimit, por shkurtësia e leximit.