Nga sheshi te algoritmi! Pse e drejta e protestës duhet mbrojtur edhe online
Klejda Ngjela, Sociologist, Lawyer, Human Rights Activist, P/CVE.
Ajo që po ndodh aktualisht në Shqipëri me protestat, nuk duhet lexuar vetëm si kundërshtim ndaj një projekti të caktuar zhvillimi. Në thelb, këto protesta ngrenë pyetje më të mëdha për mënyrën se si merret vendimmarrja publike, si mbrohet interesi i përbashkët, si dëgjohet qytetari dhe si trajtohet kundërshtimi në një shoqëri demokratike.
Faktet e raportuara nga media kombëtare dhe ajo ndërkombëtare tregojnë se protestat janë lidhur fillimisht me shqetësimet për projekte të mëdha turistike në zona të ndjeshme bregdetare, përfshirë Vjosë-Nartën, Zvërnecin dhe Sazanin. Shqetësimet kryesore lidhen me mbrojtjen e mjedisit, transparencën e vendimmarrjes, aksesin publik në bregdet dhe dyshimet për mënyrën se si janë trajtuar interesat publike dhe private.
Nga një këndvështrim social, protesta shfaqet shpesh aty ku qytetarët ndihen të padëgjuar. Ajo nuk është vetëm një reagim emocional ndaj një vendimi të marrë, në këtë rast vendimi për miratimin e projekteve të mëdha të përmendura më sipër por, një formë përmes së cilës shoqëria sinjalizon se ka një krizë besimi, përfaqësimi ose transparence. Kur qytetarët dalin në shesh, ata nuk kërkojnë vetëm të ndalojnë këtë projekt, por kërkojnë të njihen si pjesë e vendimmarrjes që prek territorin, jetën, të ardhmen dhe dinjitetin e tyre.
Nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut, e drejta për protestë nuk është një privilegj që jepet nga shteti, por një e drejtë themelore që shteti ka detyrimin ta respektojë, ta mbrojë dhe ta mundësojë. Sigurisht, protesta nuk është absolute. Ajo mund të kufizohet kur ka arsye të ligjshme dhe reale për rendin publik, sigurinë ose mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Por standardi nuk është nëse ndërhyrja e shtetit “duket e zakonshme” apo nëse “në vende të tjera evropiane ndodh edhe më keq”. Standardi është nëse ndërhyrja është e ligjshme, e domosdoshme, proporcionale dhe e hapur ndaj llogaridhënies.
Ky dallim është i rëndësishëm. Krahasimi me vende të tjera mund të shërbejë për kontekst, por nuk duhet të përdoret për të ulur standardin tonë demokratik. Fakti që edhe demokraci të konsoliduara mund të kenë probleme me policimin e protestave nuk e bën automatikisht të pranueshme çdo formë ndërhyrjeje diku tjetër. Përkundrazi, duhet të na kujtojë se e drejta e protestës është vazhdimisht e brishtë dhe kërkon mbrojtje të përditshme.
Po ashtu, është e vërtetë që protestat mund të politizohen. Por politizimi nuk e zhvlerëson automatikisht shqetësimin qytetar. Në një shoqëri demokratike, edhe pakënaqësia politike është pjesë e lirisë së shprehjes. Ajo që duhet analizuar nuk është nëse protesta ka tone politike, por nëse shqetësimet që ajo ngre janë reale, nëse institucionet i dëgjojnë ato dhe nëse krijohet hapësirë për dialog të besueshëm.
Në të njëjtën kohë, pjesëmarrja në protestë nuk është pa përgjegjësi personale. Përkundrazi, sa më e rëndësishme të jetë një kauzë publike, aq më e madhe është përgjegjësia e secilit për ta mbrojtur atë nga dhuna, gjuha dehumanizuese, provokimet, dëmtimi i pronës apo shpërndarja e informacionit të paverifikuar. Një protestë e fortë nuk është domosdoshmërisht ajo që bërtet më shumë, por ajo që arrin të ruajë qartësinë morale të kërkesës së saj.
Të mbrosh të drejtën e protestës do të thotë edhe të mbrosh cilësinë e saj: paqen, dinjitetin, vërtetësinë dhe përgjegjësinë qytetare që e bëjnë protestën të besueshme. Kjo përgjegjësi nuk e zëvendëson dhe as nuk e relativizon detyrimin e shtetit. Edhe kur ka tensione, reagimi institucional duhet të mbetet i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional. Detyra e shtetit nuk është ta dekurajojë protestën, por ta menaxhojë atë në mënyrë që rendi publik dhe liria qytetare të bashkëjetojnë.
Një tjetër kundërargument që mund të ngrihet është se zhvillimi ekonomik dhe turizmi janë të nevojshëm. Kjo është e vërtetë sepse Shqipëria ka nevojë për zhvillim, investime dhe mundësi ekonomike. Por zhvillimi nuk mund të matet vetëm me vlerën financiare të një projekti. Ai duhet të matet edhe me transparencën, qëndrueshmërinë mjedisore, respektimin e komuniteteve lokale, mbrojtjen e të mirave publike dhe aftësinë për të mos krijuar ndjesinë se pasuritë natyrore po largohen nga qytetarët.
Ajo që e bën këtë moment edhe më të rëndësishëm është zhvendosja e protestës nga sheshi në hapësirën dixhitale. Në ditët e sotme, protesta nuk organizohet, dokumentohet dhe kuptohet vetëm në rrugë apo shesh. Ajo jeton edhe në rrjetet sociale, në videot e qytetarëve, në raportimet e mediave, në thirrjet publike dhe në debatin online. Për këtë arsye, çdo kufizim i pashpjeguar i llogarive mediatike, qytetare apo aktiviste ngre shqetësim serioz për cilësinë e hapësirës publike.
Edhe këtu ka vend për përgjegjësi qytetare. Të dokumentosh është e rëndësishme, por të verifikosh para se të shpërndash është po aq e rëndësishme. Në kohën e rrjeteve sociale, një protestë mund të forcohet nga informacioni i saktë, por edhe të dëmtohet nga nxitimi, manipulimi ose gjuha që zhvendos vëmendjen nga kauza.
Megjithatë, edhe kur nuk mund të provohet një akt i drejtpërdrejtë censure online, mbetet problem demokratik nëse zërat me interes publik bëhen të padukshëm, raportohen masivisht, bllokohen ose kufizohen pa transparencë. Në kohën e algoritmeve, liria e shprehjes nuk cenohet vetëm kur dikush ndalon një fjalim. Ajo mund të cenohet edhe kur një zë publik humbet dukshmërinë pa shpjegim, kur një faqe informuese mbyllet pa proces të qartë, ose kur mekanizmat e platformave përdoren për të shtypur debatin publik.
Prandaj, çështja nuk është vetëm protesta. Çështja është hapësira demokratike ku protesta ndodh, si p.sh. sheshi, institucionet, media dhe platformat dixhitale. Nëse qytetari shtyhet jashtë sheshit, shpërfillet nga institucionet dhe bëhet i padukshëm online, atëherë problemi nuk është më thjesht rendi publik. Problemi është vetë cilësia e pjesëmarrjes demokratike.
Nuk është protestuesi ai që duhet parë si shqetësim për demokracinë. Shqetësimi fillon kur institucionet, forca publike ose algoritmet e platformave e bëjnë më të vështirë që qytetari të dëgjohet.
Një demokraci e ‘shëndetshme’ është ajo ku qytetarët mund të protestojnë pa frikë, ku secili merr përgjegjësi për mënyrën se si proteston, ku institucionet përgjigjen me transparencë, ku policimi mbetet proporcional, ku media mund të raportojë lirshëm dhe ku hapësira dixhitale nuk kthehet në një filtër të padukshëm të zërit publik.