Elta Milori: 81 vjet burgim, por beteja juridike nuk përfundon këtu
Vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit shënon një nga momentet më të rëndësishme dhe më të debatueshme të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Katër prej drejtuesve kryesorë të UÇK-së janë dënuar me një total prej 81 vitesh burgim. Vendimi është dhënë nga një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtari amerikan Charles L. Smith III.
Por, përtej emocioneve që natyrshëm shkakton një vendim i tillë, çështja duhet parë edhe në planin ligjor.
Kush është Charles L. Smith III?
Charles L. Smith III nuk është një gjyqtar pa përvojë.
Ai ka një karrierë të gjatë në sistemin amerikan të drejtësisë. Ka shërbyer si gjyqtar në Iowa dhe si kryegjyqtar i Distriktit të Katërt Gjyqësor të këtij shteti. Më pas ka ushtruar funksione gjyqësore edhe në Kosovë në kuadër të EULEX-it, përfshirë shërbimin si gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Në vitin 2017 ai u emërua gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe prej vitit 2020 është edhe nënkryetar i tyre.
Pra, kemi të bëjmë me një gjyqtar me një përvojë të konsiderueshme profesionale.
Por pikërisht për këtë arsye, vendimi duhet të analizohet jo përmes profilit personal të gjyqtarit, por përmes arsyetimit juridik të trupit gjykues, standardit të provës, interpretimit të provave dhe mënyrës se si janë trajtuar argumentet e mbrojtjes.
A është ky fundi i çështjes?
Sugurisht jo
Dhe kjo është pika më e rëndësishme që duhet kuptuar.
Një aktgjykim i shkallës së parë nuk është domosdoshmërisht fjala e fundit e drejtësisë.
Mbrojtja ka të drejtën të kundërshtojë vendimin përmes mjeteve të parashikuara nga kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara. Në apel mund të ngrihen çështje që lidhen me interpretimin e ligjit, vlerësimin e provave, procedurën dhe mënyrën se si është arsyetuar vendimi.
Prandaj, sot nuk duhet të flasim sikur historia juridike e kësaj çështjeje ka përfunduar.
Ajo ka hyrë në një fazë tjetër.
Çfarë duhet të analizohet në apel?
Në një proces kaq kompleks, beteja juridike nuk mund të reduktohet në pyetjen nëse dikush e konsideron vendimin të drejtë apo të padrejtë.
Pyetjet thelbësore janë:
A është zbatuar drejt ligji? A është zbatuar standardi i kërkuar i provës?
Si janë vlerësuar provat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta?
Si janë trajtuar provat që mund të favorizojnë mbrojtjen?
A janë arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme përfundimet e trupit gjykues?
A janë respektuar plotësisht të drejtat e të akuzuarve?
A ka pasur gabime juridike ose procedurale që mund të ndikojnë në përfundimin e çështjes?
Këto janë çështjet që duhet të marrin përgjigje në procesin e ankimit. Një dallim që nuk duhet harruar Të kërkosh drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe të mbrosh të drejtat e të akuzuarve nuk janë dy qëndrime të kundërta. Janë dy parime themelore të drejtësisë. Kosova ka të drejtë të kërkojë që çdo krim të hetohet dhe çdo përgjegjësi individuale të provohet. Por po aq e rëndësishme është që askush të mos dënohet pa u provuar përgjegjësia e tij përtej standardit të kërkuar nga ligji dhe që çdo i akuzuar të ketë një proces të drejtë. Kjo është pikërisht arsyeja pse faza e ankimit ka rëndësi të veçantë. Historia dhe drejtësia nuk janë e njëjta gjë Një gjykatë vendos për përgjegjësinë penale individuale mbi bazën e provave dhe ligjit.
Historia është shumë më e gjerë.
Historia e Kosovës përfshin represionin, viktimat civile, dëbimet, luftën e UÇK-së, ndërhyrjen ndërkombëtare, çlirimin dhe krijimin e shtetit të Kosovës.
Prandaj, një aktgjykim penal nuk mund të zëvendësojë të gjithë debatin historik mbi luftën e Kosovës.Ai duhet të gjykohet juridikisht, ndërsa historia duhet të vazhdojë të studiohet mbi bazën e dokumenteve, dëshmive dhe fakteve.Prandaj, asgjë nuk mbaron këtu. Sot mund të ketë një vendim.
Por ende ekziston rruga e ankimit.
Ende ekziston mundësia e shqyrtimit të pretendimeve të mbrojtjes.Ende ekziston detyrimi që çdo çështje juridike të trajtohet me standardet më të larta të drejtësisë. Dhe pikërisht këtu duhet të përqendrohet beteja.
Jo te urrejtja, hakmarrja, presioni politik, por te provat, ligji dhe drejtësia. Për ata që besojnë në pafajësinë e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, rruga që mbetet është e qartë: të kërkohet përmes të gjitha mjeteve ligjore shqyrtimi i plotë i vendimit dhe, nëse gjykatat e apelit konstatojnë gabime që ndikojnë në vendim, të kërkohet korrigjimi i tyre sipas ligjit.
Kjo është forca e një shteti të së drejtës. Një vendim nuk është domosdoshmërisht fundi i drejtësisë. Ndonjëherë është fillimi i një tjetër etape të betejës juridike.
Dhe për katër drejtuesit e UÇK-së, ajo betejë nuk ka përfunduar këtu.
Asgjë nuk mbaron këtu.