Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: HAGA, KY TRIBUNAL I TMERRSHËM I PADREJTËSISË
Tribunali i Hagës ishte sot përballë së vërtetës. Ishte sot, më 16 shtator 2026, kur tribunali shkroi një tjetër faqe në historinë e luftës së Kosovës dhe të UÇK-së. Çlirimtarët nuk mund t’i fshijë nga historia e një populli asnjë lloj gjykate, as “skullët Smitha”, ata që kërkojnë dënime për Hashim Thaçin me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet. Janë katër nga figurat më të njohura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u ulën në bankën e të akuzuarve dhe sot u shpallën fajtorë për një pjesë të akuzave të ngritura ndaj tyre. Vendimi është i shkallës së parë dhe beteja juridike normalisht nuk ka përfunduar. Pesha e kësaj dite është shumë më e madhe se numri i viteve të burgimit, sepse pas këtyre numrave është një pyetje që nuk mund të mbyllet me një aktgjykim: “Çfarë drejtësie kërkohet kur gjykohet individi, por rrezikon të humbasë nga pamja historia e luftës në të cilën ai individ veproi?”. Gjashtë vite më parë shkrova artikullin “Haga nuk jep hak për UÇK-në”. Argumenti themelor ishte se në Hagë nuk po përballej vetëm një grup individësh me akuza penale, por një histori e tërë e luftës së Kosovës. Sot, pas gjashtë vitesh, ajo pyetje rikthehet me një forcë edhe më të madhe, edhe pse tribunali i Hagës foli, por foli së prapthi. “Dhomat e Specializuara” i kanë gjykuar katër të akuzuarit mbi bazën e përgjegjësisë së tyre penale individuale, por ata kanë harruar se komandantët e luftës së Kosovës i dhanë lirinë një populli të tërë. Këtu, sipas këtij këndvështrimi, nuk kemi të bëjmë me krime, por me ndëshkim të fitimtarëve, të një populli dhe të një kombi të tërë. Kosova e viteve 1997–1999 nuk ishte një sallë gjyqi, ishte realisht një fushëbetejë, një vend në luftë. Kosova ishte një vend ku civilët shqiptarë dëboheshin, ku fshatra boshatiseshin, ku shtëpitë digjeshin dhe ku forcat serbe e jugosllave zhvillonin një fushatë dhune të përgjakshme kundër popullsisë shqiptare. Duan apo nuk duan gjyqtarët e Hagës, drejtësia dhe e vërteta do të triumfojnë. Debati do të vijojë dhe e drejta e “mbytur” nuk mund të zhytet më thellë, sepse maksima proverbiale shqiptare, “E drejta zhytet, por nuk mbytet”, është plotësisht e vërtetueshme. Një vështrim më të gjerë rreth gjyqit farsë, në analizën e historisë së përballjes së përgjakshme, mund të themi se:
Së pari: Lufta nuk filloi në Hagë dhe historia e Kosovës nuk filloi me aktakuzën e as nuk përfundon me aktgjykimin. Konflikti i armatosur në Kosovë u zhvillua përballë një aparati shtetëror serb dhe jugosllav, shumë më të fuqishëm në mjete ushtarake dhe policore. Shqiptarët u përballën në Dardani me një makineri të fuqishme luftarake që synonte çfarosjen e shqiptarëve. Në Kosovë ekzistonte një konflikt i armatosur ndërmjet UÇK-së dhe forcave represive serbe dhe, nga 24 marsi 1999, konflikti u ndërthur edhe me ndërhyrjen energjike ushtarake të trupave ajrore të NATO-s.
Së dyti: Tribunali i drejtësisë duhet të dallojë luftën për liri të një populli të shtypur nga krimi i vërtetë. Edhe pse një popull që lufton për liri nuk fiton imunitet nga ligji, asnjë luftëtar nuk duhet të konsiderohet fajtor vetëm sepse ka qenë pjesë e një force çlirimtare. Përgjegjësia penale duhet të lidhet me veprime konkrete dhe prova konkrete, jo me fabrikime provash të gatuara në “kuzhinën e Beogradit” dhe të servirura në Hagë si “të vërteta absolute”.
Së treti: UÇK-ja është ushtria e një populli heroik që luftoi në emër të idealeve të lirisë. Nuk i shkoi në “shtëpi” pushtuesit, por gjakatarët serbë dërguan një makineri të tërë pushtimi përballë popullatës së pambrojtur. Përkundrazi, ushtria dhe trupat serbe kryen krime të jashtëzakonshme gjatë viteve 1997–1999 në Kosovë. Nga ana tjetër, krimet në Kosovë lidhen me përgjegjësi kolektive, individuale dhe politike që nuk njohin asnjë standard penal, ndërkohë që historia e një lufte është një çështje shumë më e gjerë dhe shumë më komplekse. Fajet serbe në Kosovë nuk ka gjykatë, as lumë dhe as det që mund t’i lajë nga mëkatet e mëdha.
Së katërti: Viktimat shqiptare nuk mund të bëhen fusnotë dhe këtu qëndron një nga problemet më të mëdha të kujtesës. Nëse drejtësia kërkon të jetë universale, Haga duhet të kishte pasur peshë universale, sepse e gjithë bota demokratike i ka parë dhe dokumentuar një fushatë të gjerë dhune kundër shqiptarëve të Kosovës, me dëbime masive, vrasje dhe shkatërrime të kryera nga forcat e Serbisë, të cilat janë pjesë e dokumentacionit gjyqësor ndërkombëtar. Prandaj, memoria e viktimave shqiptare nuk mund të lihet jashtë vëmendjes ndërkombëtare.
Së pesti: Drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e njëjtë për të gjithë dhe kjo është kërkesa më e fortë që mund të bëhet ndaj Hagës. Drejtësi me anësi apo me mungesë besimi dhe jashtë një standardi juridik nuk ka dhe nuk mund të ketë. Edhe më herët janë “dënuar zyrtarë të lartë serbë” për krime të kryera në Kosovë, duke konstatuar përgjegjësi të thellë ligjore për fushatën e dëbimit dhe dhunës ndaj shqiptarëve. Shqiptarët nuk mund të pranojnë standard të dyfishtë, një me ledhatim koke për serbët dhe tjetra me fshikëllimë kamxhiku për shqiptarët. Kjo është e papranueshme dhe jo legjitime.
Së gjashti: “Standardi” i drejtësisë, pas gjashtë vitesh pritjeje, kërkonte një verdikt të drejtë. Dhomat e Specializuara u kthyen, në gjysmë duzine vitesh, në vendin e “volumit të provave dhe rritjes së kompleksitetit të çështjes”, duke e justifikuar zgjatjen me nevojën për një vlerësim të plotë dhe të arsyetuar të materialit provues. Por publiku ka të drejtë të kuptojë “arsyetimin juridik” të paarsyetuar. E thënë më troç, publiku humbi sot në Hagë besueshmërinë historike të vendimit dhe, në fakt, sot ky aktgjykim shkroi historinë e vendimeve më të zeza të Hagës. Por një aktgjykim është një dokument juridik dhe nuk e përbalt dot luftën e çlirimtarëve. Historia në Kosovë shkroi akte të pafundme viktimash, refugjatë të shumtë, familje e fshatra të shkrumbuara e të djegura, varreza të shumta dhe mijëra të zhdukur.
Së shtati: Gjykojmë se drejtësia për elitën komanduese të UÇK-së është drejtësi për Ushtrinë Çlirimtare, është drejtësi për Kosovën, është drejtësi për historinë e popullit të Kosovës. E vërteta mund dhe duhet të jetë më e madhe se propaganda e fqinjëve tanë, që janë shndërruar në mjeshtër të fabrikimit të provave dhe dëshmive të rreme. Dhe, mbi të gjitha, duhet guxim për të pranuar të vërtetën, edhe kur ajo është e dhimbshme, sikurse është e vërteta e luftës reale në Kosovë. Kosova kishte të drejtë të kërkonte fundin e represionit dhe lirinë e saj. Lufta e UÇK-së është pjesë e historisë së këtij procesi, prandaj shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë të drejtën sublime, për identitetin, për flamurin, për drejtësinë.
Së teti: Kur shqiptarët e Kosovës u përballën me dhunën, UÇK-ja ishte mbrojtësja e parë e saj. Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1997–1999, forcat serbe dhe jugosllave kryen një varg masakrash ndaj popullsisë civile shqiptare. Ndër rastet më të dokumentuara është masakra e Reçakut, më 15 janar 1999, ku u vranë 45 shqiptarë civilë. Ngjarja u bë një nga rastet më të njohura të krimeve të kryera gjatë luftës. Më 26 mars 1999, në Krushë të Madhe u vranë dhjetëra shqiptarë, ndërsa në Izbicë, më 28 mars, u vranë më shumë se 140 persona. Në Poklek, më 17 prill, u vranë të paktën 47 njerëz brenda një shtëpie, përfshirë 23 fëmijë. Një nga masakrat më të mëdha ndodhi më 27 prill në Mejë dhe fshatrat përreth, ku u vranë rreth 300 burra shqiptarë. Edhe në Suharekë, Krushë të Vogël, Gjakovë, Vushtrri, Pustasellë dhe shumë vende të tjera pati vrasje të civilëve, dëbime dhe shkatërrim të vendbanimeve. Në burgun e Dubravës, gjatë majit 1999, forcat serbe vranë dhjetëra të burgosur shqiptarë. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar mijëra vrasje të shqiptarëve të Kosovës gjatë konfliktit. Sipas “Human Rights Ëatch”, vetëm vrasjet e dokumentuara nga forcat serbe arrinin në 3453 shqiptarë, ndërsa dokumentimi i plotë i viktimave vijoi edhe pas përfundimit të luftës.
Së nënti: Liria e Kosovës nuk është aktgjykim i çdo tribunali qoftë, sepse është histori dhe historia, ndryshe nga një vendim gjykate, nuk përfundon sot. E drejta do të triumfojë! Pas 27 vitesh, lufta ende ndiqet vetëm në një anë të frontit. Një pjesë e familjeve shqiptare vazhdon ta përjetojë atë sikur lufta të mos ketë përfunduar. Të afërmit e tyre janë ende në paraburgim ose përballë dënimeve të rënda, ndërsa drejtësia ndërkombëtare vazhdon të merret me figura qendrore të luftës së Kosovës. Kjo krijon një plagë që nuk është vetëm familjare, por edhe shoqërore e historike. Problemi është standardi i barabartë i drejtësisë, sepse “kur drejtësia humbet barazinë, ajo rrezikon të shndërrohet nga themel i paqes në instrument të hakmarrjes së historisë”. Drejtësia nuk duhet të pyesë nëse viktima ishte shqiptare apo serbe. Duhet të pyesë kush e kreu krimin, çfarë prove ekziston dhe çfarë përgjegjësie ka. Vetëm atëherë një verdikt mund të kërkojë respektin e një populli që ka përjetuar luftën. Fakt është që një popull që luftoi për liri nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes dy të drejtave të tij: të drejtës për të kujtuar çlirimin dhe të drejtës për të kërkuar drejtësi. UÇK-ja është pjesë e historisë së çlirimit të Kosovës, ndërkohë që gabimi politik, i paguar me një institucion të paprecedentë, qëndron në faktin se krijimi i Dhomave të Specializuara ishte një vendim politik me pasoja të jashtëzakonshme për Kosovën. Politikanët në 3 gushtin e vitit 2015 në Kosovë, si duket, me besim të verbër nuk e kuptonin “ku i çonte mushka” dhe se çfarë institucioni po krijonin dhe çfarë pasoje do të kishte ai për brezat e ardhshëm. Mungesa e largpamësisë politike paguhet rëndë dhe jo vetëm Kosova, por mbarë shqiptaria, po përballet me faturën e atij vendimi fatal. Këtu qëndron edhe zhgënjimi më i madh për ato marrëdhënie që shqiptarët i kanë quajtur miqësi. Miqësia e vërtetë nuk matet vetëm kur je në ditët e luftës. Ajo matet edhe kur kërkon që drejtësia të jetë e njëjtë për të gjithë. Mbarë shqiptaria sot rilexoi urrejtjen prej më shumë se një shekulli të europerëndimit ndaj shqiptarëve, përmes atij vendimi të çmendur të gjyqtarëve të Hagës ndaj katër krerëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Edhe durimi shqiptar ka limitet e veta ndaj “simptomave patologjike të europianëve”. Dardanët nesër, me siguri, do të dinë të sillen ndaj çdo flamuri, edhe ndaj “flamurit të tyre” që iu dha Europa më 17 shkurt 2008. Do të dinë të hedhin vështrimin sërish te flamuri kombëtar i atdheut. Politikëbërësit nuk mund të presin “mrekullitë e hiçit”, nën shprehjen “Në emër të Republikës së Kosovës!”. Në emrin e Republikës së Kosovës flasin vetëm institucionet e Kosovës dhe vetë populli i Kosovës sikurse ka ditur të flasë shekujve. Një komb, një gjuhë, një flamur është e pashmangshme. Prandaj, çdo pjesëtar i UÇK-së përbashkohet me një porosi të vetme për djemtë e popullit në Hagë: “Kujdes, Haga nuk jep hak për UÇK-në”! Mirënjohje çlirimtarëve për luftën e drejtë dhe të shenjtë! Nderim bijve e bijave të Dardanisë dhe gjithë pjesëtarëve në luftën çlirimtare të Kosovës që nderin e mbrojtën me gjak! Nderim dhe mirënjohje organizatës së madhe të sigurisë NATO! Liri për çlirimtarët e UÇK-së!
-&-