Ruzhdi Gole: GRAFI, ECEJAKE
Tregim
Nata sonte është hamendja jonë. Me ecejake të pafundme.
Pafundësisht retë me mbaresat e tyre herë të kthjellëta, herë
mendjelehta na afrohen, na ikin tej.
Dilo, i ngrysur, afrohet pranë meje.
– Mos u mërzit për pakogjë, o mik, mos u mërzit.
– Si ? Nuk është pakogjë. Çdo ditë një i prapë qëllon njërin
prej tyre. Më dhimbsen.
– Edhe mua më dhimbsen. Sidomos po të shoh ndonjërin të
çaloj, të mos fluturoj më.
– Katër kanë mbetur. Edhe ata jetojnë me frikë.
Dilo u skuq. Një rremb gjaku nisi t’i rrihte në fytyrë. Fryma e
njeriut jeton edhe në pemë – përsiata.
Jeton në kraharor e ndër gishta.
Përreth nuk tingëllon asgjë. Asgjëja sonte mban krahëve një
pelerinë të grisur resh, mbathur këpucë të shqepura e
t’rrjepura hijesh, kollitet. Përtyp farëra yjesh. Pëllumbat, si
njëherë e njëherë, të pastër. Në të vërtetë asgjëja qenka
rrëmujë e daullshme, pijetorja e peshkatarëve afër nesh me
një dritë të zbehtë syri, ca guacka plot leshterikë, të cilat
duke i lënë shëndetin valëve kërcejnë në breg.
– Një i prapë qëllon gjithandej dhe askush nuk ia shkul
veshin.
A mund të jetojmë ne pa një të prapë ? – e ngacmova Dilon.
– Mbrëmë u ça prita lumore. Ia mbathën njerëzit, qentë,
macet afër saj.
– Po shtëpitë s’ia mbathin dot.Ca shtëpi u përmbytën.
– Prita nuk çahet vet. E çajmë ne të prapët, o Luar.
Pa prit’ e pa kujtu’, kjo përmbytje marramendase, mua m’u
duk se na e grykosi keqas sonte hamendjen, praj,
natën bardhoshe e të errët, të purpurt. E paskemi mbytur vetvetiu vet
natën tonë duke heshtur!
Po a jeton njeriu pa natë natën?
– Ngadalë do t’i ndijmë rënkimet, ngadalë, Luar.
– Ndonjëherë rrëmbyeshëm.
– Shumë rrëmbyeshëm. Po atëhere do të jetë vonë.
Grafitë e reve i duhen tokës. Pëllumbat i duhen qiellit. Në
tokë retë lexohen shpejt, ngathëti, pjesë – pjesë, të tëra. Toka
u duhet këmbësorëve për t’u mbajtur. Ndonjë frymor hedh
shputat mbi shpinë, teksa nxiton, kërrusur nga torbat e ca
reve që për veten e tyre s’i çajnë kryt se i rënden shpesh
e shumë njeriut. – Pëllumbat kërkojnë fluturimin sa më lart, o
Luar.
– E di, e di, por ti i mban në kafaz.
– Nuk i le mbyllur. Pëllumbat dalin nga kafazi, fluturojnë në
kopsht. Pastaj kthehet tek strehëza.
– Pëllumbi vdes pa fluturimin. Aty-aty si njeriu. A ke parë ti
ndonjë njeri në gulçet e fundit, o Dilo?
Sa thashë këto fjalë kafshova gjuhën. M’u kujtua djali i tij.
– E shoh përditë një çehre njeriu. Aty mavijoset, aty sikur
ngjallet. Si pëllumbat e mi.
Shihja mjegullt, kësaj ndajnate, vinçat tek zgjasnin herë pas
here, qafat e tyre poshtë në hambarët e anijeve, me
ngarkesa hijerënda, ndonjëherë të fshehta e të rrezikshme.
Rreziku çakërqejf livadhis mbi kuvertë. Parafytyroj peshqit
tek shkundin luspat e tyre, luhasin bishtin, thithin ajër, u
ikin rrjetave të peshkimit. Më braktisi deti mua apo unë nuk kam
lindur për dallgë?
– Pra, si çehrja e njeriut, pak a shumë, është pëllumbi. – Në të
vërtetë, si njeriu. I kthjellët, i zymtë, qetë rrëmbyeshëm.
– dhe i prapë ndonjëherë. I prapë po jo i lig, o Luar.
– mbrapshtitë e njeriut të qëllojnë, të lëndojnë. Ato të
pëllumbit të gërvishin, të skuqin pak.
– mbrapshtite e njeriut – përsëriti Dilo – të plagosin e shpesh
edhe të vrasin.
Sa nisa të dalloj përreth, diku më qartë e diku zbehtë një sy
të stërmadh, i cili po kërkonte jo njeriun e zakonshëm por
atë të Neanderlandit. Ku e kërkon ky sy njeriun? Në një vend
të rraskapitur e megjithatë përhera paqedashës. Një krah
fluturues kërkon gishtat këputur nga plumbi. Ç’plumb, o
njeri? Këtu, në këtë vend, gjithçka është e urtë, e paqtë,
pellgaçe m…
Dilo po ai… I mbrami. E lëshon shpejt veten. Preket lehtë.
Nuk duron asnjë të bërtitur. Jeton me pëllumbin, me plot
pëllumba. Sa i afrohet ndonjë njeri ai tërhiqet lehtas mënjanë
pa i rënë në sy. Dyshon shpesh e shpejt tek tjetri. Fati i tij
është pagesa e një vetmie, vetmia e një burri, e një ati. M’u
bë se foli.
– Luar, kam frikë…
– Ç’thua, o Dilo?!
– Më vjen keq për…
– Për veten? – ia ndërpreva fjalën unë.
– Paksa për veten, paksa… Më vjen keq për pëllumbat. S’kam
me se t’i ushqej. Kujt t’ia lë nëse…
– Pakogjë, Dilo, pakogjë… Leri pëllumbat të fluturojnë, mos i
mbaj më në kafaz. Le të ushqehen vet. Kudo do ta gjejmë
pak ushqim.
– Oooo, ç’më the, o Luar, ç’më the… Më mbulon shpejt dheu
po i lashë pëllumbat. Më bëhet sikur përlotet diku im bir. Po
unë me se do ta mbush shpirtin tim pastaj? Me glasat që ata
do lënë pas? Kafazet e braktisur kujt t’ia lë? Të paudhit,
pijanikut Zylko t’i djeg e të ngroh shalët e palara?
– Më fal!
Nuk e kisha dëgjuar asnjëherë Dilon të fliste gjatë. Kaq gjatë
e më gjatë se kaq shumë më tepër mund të fliste e fliste
vetëm fluturimi. Fluturimi i gjithçkaje mbi tokë e nën tokë.
Thuhet se edhe nën tokë fluturojnë… Cilët fluturojnë?
– Mbaj vetëm kanerinat. Ato kur janë femra jetojnë bashkë në
një kafaz.
– E di, Luar, e di. Grindavecë janë meshkujt. Kanerinat nuk e
duan të lartë kafazin. Ato fluturojnë horizontalisht, majtas
– djathtas. Më humbën dy femra vjet. Pësuan infrakt.
– Tallesh? – shprehu habi Luari.- U bie infrakt kanerinave? E
padëgjuar kjo. Sot e dëgjova.
– Po, po, tremben shumë. Janë shumë të ndjeshme. Në
gusht, kur ti ishe në Bolzano, i humba 2 kanerina. U ra
infrakt nga shkrepja e fishekzjarreve.
– Ooo, përnatë mesnate, shkrepin fishekzjarre në Durrës.
– Tremben kanerina, fëmijë e të moshuar.
– A ka rend ky qytet, ky qytet i tromaksur?
Gjithandejmi, çuditërisht, nisi të cicërojë gjithçka. Asnjë
brohoritje, asnjë e bërtitur. Asgjë nuk ulërinte, nuk shqyhej.
Pëllumbat flinin një gjumë të bardhë. Kanerinat përqafuar
me njeratjetrën. Me thonjtë e prerë dukeshin edhe më
shpirtbuta. Një fetë limoni e shtrydhur në ujin e tyre përhapte
përreth aromë. U pulsonin venat. Zogjtë flinin, po kush
cicëronte ende? Hamendja mbante në gjirin e vet një
bubullimë gjumashe, e cila e kishte braktisur herët qiellin.
Moti i natës po përtërihej. Pemët të dashuruara. Njeriu i
dhembshur i pëllumbave i kanerinave po ai?… Tjetër?