Albspirit

Media/News/Publishing

Ndjeshmëria poetike në librin e parë të Deniz Xhoga Çupit


Çerçiz Loloçi


Kolegia ime Deniz Xhoga Çupi, tashmë profesore në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, më solli para pak ditësh përmbledhjen e parë, në formë triptiku, me mbi 90 poezi dhe dy proza poetike, një libër i plotë që spikat për ndjeshmërinë e thellë të autores që i intereson më shumë ana njerëzore dhe që e hedh atë mjeshtërisht në vargje.
E shtrirë në një periudhë kohore thuajse për tri dekada, krijimet e saj të japin kënaqësi estetike dhe njëherësh të vë në mendime për mesazhet që përcjell. Libri i konceptuar në tre cikle dhe konkretisht “Vetmi e trishtuar”, “Proza poetike” dhe “Në ikjen tënde” sjell një shumëllojshmëri motivesh që i përkasin sferës së brendshme, pjesës shpirtërore, intimes, gjendjes së poetes; Xhoga bën kujdes si në titujt poetikë aq edhe në realizimn e tyre.
Në një vështrim të shpejtë autorja shpërfaqet si një qenie e shqetësuar, teksa shkruan për jehonat, buzëqeshjen, përdhunimin e shpirtit, psherëtimën mes pishave, ikjen, jetën, vdekjen, kambanën e largët apo për kohën, stinën e vjeshtës, vetminë, bastardin, urrejtjen, muzgun e vetmisë, mallin, studentët, sytë dhe plot tema të tjera që e ndjekin njeriun nga lindja e deri në vitet e mbrame.
Ëndrra më shpejt se unë vrapon/Ja, u afrova/Krak, prapa meje dëgjoj/Poçja u thye/Unë ëndrrën vazhdoj…
Poezia “Po vrapoj”.
Në labirintet e kësaj nate të bukur/Si lumturinë, harenë/Shkëlqimin e syve të mi/Hënës do t’ia fal…
Poezia “Jehonat”.
Mos e prekni atë qiri të vetmuar/Lëre t’i pikojë lotët paqësisht/Në atë qoshkdheu/Mos u mundoni që t’ia fshini…
Poezia “Mos”.

Risolla disa vargje nga tri poezi të përmbledhjes poetike, por shumë syresh i gjen gjithashtu në çdo krijim të saj, që duket sa ka akumuluar mjaft nga përfaqësuesit më të mirë të letrave shqipe dhe ka munduar të ravijëzojë individualitetin e saj të pangjashëm.
Historia e letërsisë botërore ka shumë shembuj të autorëve që nisin të shkruajnë qysh në adoleshëncë apo në moshë të pjekur, ka gjithashtu ende më shumë që starti i parë i miliona e miliona krijuesve nis me poezinë, por përtej tyre shqetësimi më i madh është se çfarë mbetet nga kjo krijimtari, kush autor arrin të lëjë gjurmë në kohën e vet apo akoma më mirë kush arrin të mbetet edhe kur nuk jeton më.

Deniz Xhoga pëlqen dhe shkruan vargun e lirë, herë të rimuar dhe herë pa të, por ajo arrin ta fus në mendime lexuesin duke hyjnizuar gjërat dhe ndodhitë e bukura të jetës dhe ato të shëmtuarat që e tjetërsojnë, e bëjnë të dali jashtë vetvetes.
Deniz Xhoga krijon poezi në vetën e parë dhe në të tretë, por në shumë prej tyre kushdo gjen veteveten; ajo i këndon dashurisë, mallit, humbjes së njeriut të dashur, trishtimit, muzgut; për të ka pak rëndësi tema e madhe apo e vogël përkundër përpjekjes së vazhdueshme që në çdo poezi të krijoj një imazh, një tablo poetike, siç bënin dikur dy mjeshtra të mëdhenj të poezisë shqipe Jeronim de Rada dhe Ndre Mjeda.
Në shpirtin tim s’ka mbetur vend për gëzim/E braktisur, e drobitur, vrapoj te vala e freskët/Po bregu ka mbetur fushë për erën/Vala shkon dhimbshëm/Larg, nga e ka çuar batica.
Poezia “Përdhunim shpirti”.
Ardhja e një libri është një ngjarje e madhe dhe e jashtëzakonshme për autorin e saj, por po aq e madhe është ai për dhjetra e qindra të tjerë, “dashnorë të tij” sepse çdo krijues ndërton një ngrehinë poetike që shtegton nga një qytet në tjetrin, nga një zemër te tjetra, ai emocionon dhe fisnikëron së brendshmi si diçka hyjnore dhe e papërsëritshme.