Albspirit

Media/News/Publishing

Flamur Muhameti: Thesari mes dy botëve

(Fragmente nga libri i sapopublikuar)

Sheshi “Skënderbej”

“Ka takime që na ndryshojnë jetën dhe ne i quajmë rastësi. Ndoshta rastësia është vetëm një emër për atë që ende nuk e kuptojmë”.
Ora po shkonte tre e gjysmë. E shtuna e fundit e marsit, 2025.
U afrova te hyrja e Muzeut Historik Kombëtar. Pas gjysmë ore do të fillonte promovimi i një libri. Po rrija aty te shkallët, duke lexuar, pasi nuk më pëlqente të rrija brenda në sallë duke pritur.
Pak metra më tej, mbi disa kartonë të ndotur nga pluhuri i rrugës, Ariani shiste libra të vjetër dhe bënte skica e piktura që i punonte aty, mbi një telajo të sajuar. Kishte vite në të njëjtin vend, mes librave që nuk i prekte askush dhe pikturave që i shiste për një copë bukë.
Nuk e di pse, por sa herë e shihja aty, më kapte një lloj pasigurie, sikur ai cep trotuari po priste një shembje që unë nuk e shihja dot.
Po lëvizte penelin i përhumbur brenda kornizave të asaj pikture. Dy fëmijë që lypnin në rrugë po i ngatërronin kutitë e hapura të bojërave. Gishtat e tyre lanë njolla të zeza mbi kapakë. Bëra dy hapa përpara dhe u fola.
Njëri prej tyre më shau duke më parë drejt në sy, pastaj u zmbrapsën ngadalë drejt sheshit. Ariani nuk e ktheu kokën menjëherë; dora e tij vazhdoi të lëvizte mbi telajo.
— Punë të mbarë, — i thashë.
Ai tërhoqi edhe një vijë me penel, pastaj e la mbi karton. Sytë i kishte të lodhur; fytyra i ishte mbushur me rrudha të thella.
— Fa… lem… — Zëri i tij doli i gërvishtur e i paplotë. Nxori një kollë të shkurtër, sikur u mbyt, dhe bëri një shenjë me dorë.
Ishte mësuar të më shihte aty. Sa herë kaloja pranë sheshit, ndalesha te tezga e tij dhe, herë pas here, blija ndonjë libër. Në ato pirgje të pluhurosura kisha gjetur shpesh xhevahire që nuk gjenden nëpër librari.
Mbi bezen e bojatisur dallohej një çoban në majë të një mali dhe një qiell i kuq si gjak në sfond. Ishte e njëjta pikturë që e kisha parë të papërfunduar javën e kaluar. Sytë e çobanit dukeshin të gjallë; sikur vështronin njerëzit që kalonin në trotuar. Sytë e Arianit u ngulën për një sekondë te ai qiell i kuq, pastaj gishti i tij i tharë preku cepin e pëlhurës me një lloj ngurrimi, sikur po i mjekonte një plagë.
— Sa kushton? — pyeta.
Më tërhoqi ajo pikturë. Vendosa ta blej.
Ariani ngriu. Shikoi kartonët, pastaj ngriti supet ngadalë si i zënë në faj.
— Sikur donte të thoshte: “Sa të duash ti”; — zëri i doli i mbytur, një mërmëritje.
Për sa kohë që e njihja, ai nuk fliste, por sot po dëgjoja që nxirrte ndonjë zanore të mbytur. Nxora dy kartmonedha pesëmijëlekëshe të reja. Letra e pastër e parasë bënte kontrast me gishtat e tij të nxirë nga bojërat. I futi në xhep pa i parë.
U ula duke vështruar stivën e librave dhe hapa një libër të vjetër me kapak të grisur. Ariani mbështeti bërrylat mbi gjunjë dhe fshehu fytyrën në pëllëmbë. Nuk lëvizi më që aty, nuk e kuptova pse. Në rrugë dëgjohej zhurma e rëndë e autobusëve dhe e makinave.
Njerëzit filluan të grumbulloheshin pranë hyrjes anësore të Muzeut. Ora shkoi katër pa dhjetë. I thashë Arianit se po hyja brenda dhe se do të kthehesha ta merrja pikturën pas aktivitetit.
Ai ngriti kokën. Sytë i shkëlqyen nga një dritë e panatyrshme, e ftohtë. Zgjati dorën drejt çantës së vjetër dhe nxori një bllok të trashë me kapak të zi, të ngrënë nëpër cepa, shumë të keqpërdorur. Kur zgjata dorën ta merrja, ai e tërhoqi fort pas gjoksit. Gishtat e tij i shtrëngoi fort mbi kapakun e zi. Nisi të merrte frymë me vështirësi, me një gërhitje të mbytur, sikur të kishte zhavorr në fyt.
Para se të pyesja, ai e lëshoi bllokun mbi stol. Ra me një zhurmë të rëndë.
— Këtu… — tha, — …njerëzit.
Fshiu pëllëmbët pas pantallonave të ngurtësuara nga bojërat e thara.
Hapi gojën, por nuk nxori asnjë tingull. Pastaj e shtyu bllokun me majën e gishtit.
— Merre. Ti merre…
Mora ditarin. Ishte i ftohtë dhe peshonte më shumë nga ç’prisja. Mbasi bëra disa hapa drejt hyrjes së Muzeut, diçka më detyroi të ktheja kokën.
Ariani ishte mbledhur sërish, me fytyrën e fshehur në duar, i mallëngjyer, sikur sapo kishte dorëzuar një dëshmi krimi.
U ktheva dhe hyra me nxitim brenda në sallën e aktiviteteve.

Në sallën e Muzeut Historik

Salla kishte filluar të mbushej. Drita e bardhë e neoneve e ndriçonte aq fort ambientin, sa të jepte përshtypjen e një sheshi të hapur.
Njerëzit takoheshin, buzëqeshnin dhe bisedonin, duke shpërndarë batuta, komplimente e vlerësime pa kursim; këtu kritikat e rëndomta të kafeneve dhe xhelozitë shkrinin si vesa e borës.
Pasi u përshëndeta shkurt me disa miq e të njohur, iu afrova autorit, Benit, për ta uruar për librin e tij më të ri. Ai më dhuroi një kopje me autograf dhe shkëmbyem dy fjalë të ngrohta, miqësore. Aty takova edhe moderatoren, me të cilën bashkëpunoj shpesh në projekte kulturore, njëherësh edhe redaktore letrare e librit.
Më pas, shkova dhe u ula diku nga rreshtat e fundit.
Promovimi ende nuk kishte filluar. Ndërsa njerëzit vazhdonin të hynin e të zinin vendet e tyre, mendja më kishte mbetur te blloku i zi që Ariani më kishte dorëzuar pak minuta më parë. E mbaja mbi gjunjë. Nuk e di pse, por sa herë që sytë më mbeteshin tek ai bllok, më shfaqej fytyra e tij e tendosur dhe mënyra se si e kishte shtrënguar pas gjoksit përpara se të ma jepte.
— Këtu janë njerëzit, — më pat thënë.
Atë fjali nuk po arrija ta hiqja dot nga mendja.
— Erdhe?
Arbëri, një mik i vjetër, u shfaq pranë meje duke lëkundur një gotë plastike me verë të bardhë. Sytë i mbante nga tribuna. Pa e pyetur fare, filloi të fliste rrëmbyeshëm për një mijë gjëra: për projektet, planet dhe idetë e tij. Vazhdonte të fliste edhe pse e kuptonte qartë që unë nuk kisha asnjë interes ta dëgjoja.
— Çfarë ke aty? — pyeti, pasi mbaroi monologun e tij.
— Një bllok shënimesh, — ia ktheva shkurt.
— Jo, po duket si diçka e lashtë, antike… A mund ta shikoj?
— Jo, nuk mundesh, ia preva. Nuk është imi, ma la dikush për ta mbajtur.
Mezi po prisja ta hapja e ta lexoja, por prania e Arbërit m’u kthye në një pengesë të padurueshme.
Nga tribuna erdhi zëri i moderatorit, i pastër, monoton:
— “…ku teksti nuk operon më si pasqyrë e realitetit empirik, por si një matricë shenjash që vetëreferohen, një lloj autopsie e kuptimit brenda hapësirës…”.
Disa njerëz në rreshtat e parë pohuan plot seriozitet me kokë. Një grua shkroi diçka me nxitim në bllokun e saj. Arbëri piu një gllënjkë nga vera, bëri një grimasë prej thartësie dhe fshiu buzët me gishtin e madh.
— E tmerrshme, apo jo? — pëshpëriti, pa e hequr shikimin nga tribuna. — Imagjino, gjysma e këtyre këtu s’kanë hapur libër me dorë në tri-katër vitet e fundit, e vijnë e shesin mend si intelektualë, çfarë farse…
Qeshi me të madhe, aq sa të gjithë kthyen kokën nga ne. Kishte harruar krejtësisht se ku ndodhej. I tërhoqa vërejtje se ajo sjellje ishte e tepërt, por u fye, u çua i inatosur me mua dhe shkoi të ulej në një karrige bosh nja dy rreshta më përpara.
“Bëri mirë”, thashë me vete. Më në fund mbeta vetëm me ditarin e Arianit.