Anastasios N. GOUDAS (GUDHA), mjek, filozof, politikan, shkrimtar, “Plutarku i ri” i Greqisë
Andrea Gudha i shkruan Luan Ramës
I dashur Luan!
Sëpari, më lejo t’ju përcjell konsideratat dhe admirimin tim të veçantë për kontributin tuaj tepër të vyer në zhanre të ndryshme të letërsisë, historisë e arteve, që përmbajnë vlera të shquara shkencore e akademike, veçanërisht për çështjen çame…
Nisur nga ndjeshmëria ime për miqësinë e të parëve të mi me suljotët, brenda këtij konteksti historik, me kënaqësi po të dërgoj diçka, që e kam shkëputur nga libri për Vasil Gudhën dhe Anastas Gudhën. Librin ta kam dhuruar kur ishim në shtëpinë e së ndjerës, Dr. Solange.
Shpresoj, ndoshta, të hyn në punë në arshivën tënde…
Të uroj gjithë të mirat!
Suksese të mëtejshme në krijimtari!
Andrea GUDHA
***********
Anastasios N. GOUDAS (GUDHA), mjek, filozof, politikan, shkrimtar, “Plutarku i ri” i Greqisë
Mikpritja suliote!
Këtë periudhë të mërgimit dhe bashkëjetesën me suliotët, Anastasi e përshkruan tek JETËT:
“Pas shpalljes së Revolucionit rrëmbeu armët dhe Epiri i pafat. Pothuajse 300 familje nga rrethinat e Janinës, nga Gramenokoriotët që kishin ngritur krye nuk mundnin më të bashkëjetonin me turqit. Fillimisht u nisën drejt Korfuzit, por u dëbuan andej çnjerëzisht nga anglezët dhe gjetën strehë në Sul. Suliotët, edhe pse ishin në gjendje të vështirë, i pritën ngrohtësisht, pasi dhe ata e kishin provuar vuajtjen e mërgimit. Suliotët u jepnin familjeve tona pjesë nga trofetë, të gjithë nga ato mbaheshin gjallë në atë periudhë. Familja e shumënumërt e babait tim u strehua në shtëpinë e Llambro Gusit, babait të togerit të policisë, që është gjallë sot, Joanit. Patëm fatkeqësinë, bashkë me tre motrat e mia, të humbisnim nënën para një viti. Jetime dhe nga nëna dhe nga babai ishin dhe dy kushërirat tona të para. Kjo familje mikpritëse suliote bëri gjithçka për të na lehtësuar dhimbjen e mërgimit dhe të humbjes së prindërve. Gratë heroina suliote lanin në fillim rrobat tona dhe gatuanin për ne e më pas për vete, ndërsa burrat, në këshilla dhe në beteja, i konsideronin vëllezër babain dhe xhaxhallarët e mi. Njërin prej tyre, Vasilin, heroi Marko Boçari e caktoi sekretar të tij. Babait tim suliotët i caktuan mbrojtjen e Kiafës, që të mos detyrohej të largohej në beteja dhe të ishte pranë fëmijëve të tij jetimë…”.
…Këto shpenzime të fondeve publike në shfaqje dhe me ballo të shtrenjta dhe fjalët e mësipërme të servilit të oborrit e shtynë Anastas GUDHËN të shkruajë dhe të botojë nën inicialet A. B. “Kujin e Suliotit”, “poemë në trajtë rapsodie, me vargje rimuese, duke ironizuar keqqeverisjen dhe dukehimnuar sakrificat e luftës”. Kjo poemë, “produkt i një fantazie të ushqyer nga dëshpërimi”, lindi tek studentët e Athinës idenë e mosmbajtjes së kapeleve të huaja, por “kapele kashte të thjeshta të prodhuara në Sifno, mbi të cilat kishte një kordele pambuku me ngjyrat kombëtare…”.
Akademiku, Prof. Aleks Buda, i cili kur trajton marrëdhëniet shqiptaro-greke nën frymën e iluminizmit, sjell një përcaktim shumë domethënës, profetik, të A. Gudha (Anastasios N Goudas): “Popujt e Ballkanit do të arrijnë lirinë e tyre, vetëm, kur veprojnë duke u mbështetur në forcat e veta për të drejtat dhe interesat e tyre; kur zhduket çdo lloj tepsi: panhelenizmi, pansllavizmi, panrumunizmi, panmuhamedanizmi”.