Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: NJË GJYKATË QË NUK ËSHTË MË E KOSOVËS

Po të lexosh historinë në dritën e “drejtësisë” ndërkombëtare, ishte Kosova ajo që e pushtoi Serbinë, që u përpoq ta zbraste etnikisht duke dëbuar mbi një milion civilë me dhunë, duke ua grisur dokumentet e identifikimit në kufi, që vrau mbi dhjetë mijë civilë dhe i hodhi në varre masive, apo i mori kufomat me kamionë përtej kufirit për t’i fshehur, apo që përdhunoi mbi 20,000 vajza e gra, që dogji e shkatërroi fshatra e qytete.

Për fat të mirë nuk janë gjykatat ato që e shkruajnë historinë. Ato kanë shans të bëhen pjesë e historisë duke dënuar të keqen si në rastin e Nurembergut, ose të mbulojnë veten me turp duke dënuar ata që luftuan për liri.

Në vend që të përmbushte detyrën e saj, të bënte drejtësi për viktimat e kohës së luftës, përfshi edhe ato që mund ta kenë pësuar nga ushtarë të UÇK-së, kjo “Dhomë Specialiste” vendosi të ngrejë padi kundër luftës për liri të popullit shqiptar. E paraqiti Ushtrinë Çlirimtaret ë Kosovës si një organizatë kriminale dhe u përpoq të lidhte bashkë raste të shkëputura dhune, për të rishkruar historinë.

U themelua me votat e Kuvendit të Kosovës por gjykoi bazuar në dëshmitë e rreme të Ministrisë së Brendshmet ë Serbisë. E gjykuan kryengritjen e një populli për liri me këndvështrimin e pushtuesit dhe kolonizuesit të tij.

Në vend që të sillnin drejtësi për krime ordinere, i veshën ato me ngjyra politike. Ato të kryera nga serbët u injoruan. Ato të kryera nga shqiptarët u ngritën në piedestal. Rezultati i këtij shtrembërimi të turpshëm ishte që ata kriminelë ordinerë që kryen këto krime janë të lirë dhe të parrezikuar, kurse drejtuesit e UÇK-së ata që rregullisht bërë thirrje publike që të mos kishte dhunë ndaj civilëve të dënohen më shumë sesa ushtarakët serbë që kryen apo u përpoqën të kryejnë genocid e që deri në fund të jetës e deklarojnë hapur se janë krenarë për atë që bënë.

Ato pak viktima të krimeve nga shqiptarë gjatë luftës në Kosovë u gënjyen edhe njëherë. Tragjedia e tyre u përdor për synime politike. U përdor për të hedhur baltë mbi mbarë UÇK-në. U përdor për të hedhur baltë mbi shumicën massive të viktimave të luftës jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Ballkanin. U përdor për të dënuar ata që luftuan për të ndalur krimet në të gjitha anët.

Mund të mos jesh dakord politikisht me Hashim Thaçin dhe shokët e tij. Mund të kërkosh llogari prej tyre për dështime në vitet e para të qeverisjes pas pavarësisë e të tjera. Por ata nuk janë gjykuar për këto. Thaçi është kryeministri që shpalli pavarësinë e Kosovës. Prandaj ky dënim është një akt për të goditur themelet e republikës së re, të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Ndonëse çështja e tyre do të rishikohet në Apel, kjo Gjykatë e ka humbur besimin dhe nuk përfaqëson me Kosovën, ndonëse zyrtarisht vepron në emër të saj. Ndoshta është koha që Kosova edhe zyrtarisht të ndahet nga ky institucion i përdhosjes së drejtësisë. Se populli vetë e ka mbyllur atë debat. Këta njerëz që sot sa për sy e faqe e shqiptuan vendimin duke thënë se po flisnin në emër të popullit të Kosovës, në fakt, nuk folën në emër të tij. Gjykimin e vërtetë për Haxhim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, dhe Kadri Veselin, do ta japë vetëm kujtesa e popullit të tyre dhe historia e Kosovës. Lavdi atyre që luftuan për liri!