Sadik Bejko: Një himn për jetën i Flamur Muhametit
1.
“Thesari mes dy botëve” është libri i Flamur Muhametit, që u vjen lexuesve në këtë stinë vjeshte.
I shkruar thjesht, por në mënyrë mjeshtërore, romani ka në qendër një njeri të pazakontë që shet libra dhe bën skica e portrete njerëzish diku në një cep të kryeqytetit dhe që ruan brenda tij një lloj misteri.
Ka më shumë gjeste se sa fjalë, pasi ka pësuar një traumë të jashtëzakonshme, humbjen e zërit, e cila i erdhi pas vdekjes së të ëmës.
Ndoshta askush nuk do ta mësonte kurrë dramën e tij, nëse nuk do të shfletonte ditarin e tij apo të kuptonte deshifrimin e një tabloje me një çoban në një majë mali dhe në sfond qiellin e kuq si gjak.
Kemi përpara Arianin, një inxhinier mjedisi ku fatkeqësitë ndjekin njera-tjetrën dhe megjithatë ai është sërish në kërkim të jetës. Pas vdekjes së nënës dhe humbjes së zërit, vjen vdekja e babait, largimi nga jeta të mikut familjar Vahidit, braktisja nga e dashura Erla, humbja e vendit të punës.
Nisin kështu një varg peripecish e përpjekjesh sa te një doktor te tjetri, madje deri në Stamboll te një klinikë turke, te fallxhorja Andrra që sheh filxhan dhe të jep për shërim një shishe me vaj temjani, te një psikologe, te një meditues, te dy pasionantë në kërkim të thesareve e derisa rigjen veten duk shitur librat e rrallë dhe duke bërë skica e piktura.
Në hyrje të librit autori shkruan se “nëpërmjet këtij romani kam dashur të përcjell një mesazh të thjeshtë, por me peshë: se pas çdo rënieje njeriu mund të ringrihet edhe më i fortë; pas çdo errësire lind drita; dhe se, me shpresë, besim e këmbëngulje, mund të arrijmë atje ku kërkojmë të mbërrijmë”.
2.
Protagonisti kryesor i romanit nuk është një individ që ka lindur me një aftësi të kufizuar, pa shikim, pa dëgjim, me inteligjencë të vonuar, por befas është gjendur pa zë, pa tinguj, pa gërmëzim fjalësh pas ikjes së një prej njerëzve më të dashur. Këtë humbje si dhe vizita me babain te një vend i shenjtë e ka përjetuar mjaft, aq sa i ka marrë edhe artikulimin e fjalëve dhe pikërisht këtë ndodhi të rrallë ka shfrytëzuar autori për të ndërtuar veprën e vet në formë ditari. Natyrisht nuk është vepra e parë që ndërtohet mbi një element stilistik si ditari, por në kushtet që ndodhet Ariani, kjo është forma e vetme ku ai mund të shprehë çfarë përjeton në intervalin e pesë muajve, mars-korrik 2015.
Faqet e ditarit janë njëherësh edhe fletët e sakrificave që bën një qenie njerëzore për t’u rikthyer në jetën e mëparshmë. Deri para traumës ai ka bërë të gjitha vitet e shkollimit nga cikli fillor e deri në univeristet, është diplomuar si inxhinier mjedisi; ai i beson shkencës me të gjitha arritjet e saj në fushën e shëndetit, por nuk është kundër edhe disa formave alternative, që edhe pse nuk i konsideron shumë të besueshme, nuk ka druajtje për t’i provuar dhe për të pasur mendimin e vet pas çdo eksperience.
Ditari është konceptuar në dy pjesë, herë është intensiv e pothuaj i përditshëm, e herë jo i tillë. Kështu në mars janë përshkruar 7 fletë, në prill 2, në maj 18, në qershor 11 dhe në korrik 5; shumë syresh kanë në krye nga një sentencë, që vjen sa nga vetvetja, nga libra të të periudhave të ndryshme ashtu edhe nga mendimtarë e klerikë në kohë dhe epoka të ndryshme.
Autori risjell një tufë personazhesh, diku me penelata më të plota si Besarti, e dashura, Dritani dhe Sokoli, nëna dhe babai, Vahidi, Ajeti, Mateo, por edhe të tjerë më episodikë, që gjithsesi mbeten në kujtesë dhe përcjellin mesazhet e veta.
Faqet më të bukura janë ato që i kushtohen të dashurës, Erlës, madje për të janë edhe pesë poezi që hyjnë si intermexo dhe pavarësisht se gjenden të ndarë, ata janë sërish mes tyre.
Më dhemb heshtja e saj.
Fol një fjalë…
Çfarë pe tek unë kur më erdhe,
si verë në qelqe m’u derdhe?
Ç’pe tek unë? Thuam’ ta di,
çfarë pe dje, që s’është tani?
— Vashë, mos thuaj si e qysh,
unë që isha, jam sërish.
Fol, veç fol, qoftë dhe gënjeshtër,
vetëm fol; gjuha s’ka eshtër.
Pres të thuash ç’më ka ënda,
pa dashuri u zbeh kënga.
Të më thuash: “O gjuhë-hekur,
pa fjalë zemre, je i vdekur”.
Ndërsa te poezia “Malli”, autori shkruan:
Malli si era që rend në fusha,
dy shpirtra djegur, prush e zjarr;
ti në heshtje fatin e shkruan,
unë, në këtë udhë, një vetmitar.
Të tjera emocione japin tri poezitë në vijim që titullohen “Dritë në shpirtin tim“, “Rroj në ëndërrime“ dhe “Erlës“.
Lufta për jetën është një motiv i fortë i protagonistit kryesor, që tenton të bëjë gjithçka për t’u rikthyer në gjendjen e mëparshme. Kuptohet se ai ka një braktisje nga shumë individë dhe shumë gjëra të tjera, aq më tepër ndëshkohet edhe me vendin e punës, çka është një mesazh edhe për shtetin që duhet t’i marrë në mbrojtje.
Përfytyroni ai ka vetëm mungesë komunikimi, por aftësitë i ka në inxhinierinë e mjedisit, ka gjendjen fizike, ka njohuritë dhe një shtet më human nuk duhet ta largojë për ta rënduar edhe më shumë ekonomikisht dhe shpirtërisht.
Ariani i beson mjekësisë dhe bën gjithçka pa marrë ndonjë rezultat, ai tenton dy herë te Mali i Drerit, herën e parë me kërkuesit e thesareve, që i shpëton në fije të perit vdekjes dhe herën e dytë me medituesin Mateo.
Në inkursionin e dytë atij i rikthehet shpresa sa nga Mbreti, aq edhe nga Çobani që ishte strehuar në vendin e shenjtë. Prej andej ai mori mësimet më të mëdha për jetën e mëpastajme, pra të gjejë një mundësi për të mbijetuar dhe jo me një punë dosido po me libra, skica dhe piktura. Ka pak rëndësi nëse do i vijë zëri një ditë apo jo, që do i kthehet gjendja e mëparshme, ai ka rifituar veteten nëpërmjet artit.
3.
Një roman i natyrës psikologjiko-filozofike, që ka në qendër një person që për shkak të një traume nuk mund të jetë si të tjerët, ka ndonjëherë një kurth që mund të bjerë në vogëlsi dhe tjerrje të panevojshme.
Flamur Muhameti duke pasur një bagazh të gjerë leximesh i ka shpëtuar këtij kurthi si në vizatimin e personazheve e po ashtu edhe në përshkrimet e vendeve dhe gjendjeve të brendshme shpirtërore.
Autori e mbyll romanin me disa thënie të urta të Mulla Hakim Sadikut, që i shkojnë përshtat këtij rrëfimi romanor si për të nënvizuar një thënie të moçme: gjej mënyrën të jetosh edhe kur ajo të duket e pamundur.