Delo Isufi: Shqiponja Pazaj-Veshaj dhe poezia “Çarshia e ëndrrave
Në vend të hyrjes
Studim-ese
Sa here sjell ndërmend poetët e Labërisë më shfaqen dekadat e fundit që në këto vise ka gjallëruar arti poetik ku, nxjerrin krye poetë të tillë të talenntuar si Lefter Çipa në Pilur, Ilir Balili në Kuç, Hiqmet Meçaj në Kallarat, Ruzhdi Bajrami në Bolenë, Eqerem Canaj në Mesaplik, Avni Varfi në Vranisht, Albert Habazaj në Tërbaç, Sokrat Habili në Vajzë e shumë të tjerë. Këta, me poezitë e tyre moderne i kanë dhënë një frymë të re të artit poetik shqiptar.
Në këto tradita moderne u gjenda edhe përallë krijimtarisë poetike të poetes Shqiponja Pazaj-Veshaj.
Në librin me poezi “Shteg i heshtur”, të poetes vlonjate Shqiponja Pazaj-Veshaj janë dhënë mendime nga poetë, shkrimtarë e studiues ku dalin në pah vlerat artistiko-letrare të poezive në këtë vëllim poetic, ku mund të përmenden: poeti Kristo Çipa – “Një libër modest që mbartë madhështi”, shkrimtari Eqerem Canaj – “Shteg i heshtur… një vëllim poetik i guximshëm i poetes”, Poeti-studiues Qazim Shehu – “Lirizmi në poezinë e Shqiponja Pazaj”, poetja Aleksandra Varfi-Arshiaj – “Një poete që i flet kohës me zërin e saj brilant”, studiuesja Nefize Hoxha – “Një zë lirik në qiellin e Labërisë”.
E, mbi të gjitha prof. dr. Bardhosh Gaçe, redaktor i këtij vëllimi poetik, në parathënie të librit “Poezia e qenies, (ontologjike), përms lirizmit brilant të Shqiponja Pazajt” bën një analizë të plotë e të detajuar të vlerave artistiko-letrare të krijimeve të autores, ashtu siç di vetëm profesori i letrave shqipe dhe jo vetëm. Në këtë libër kam shprehur edhe unë konsideratën time modeste si dhe në promovimin e librit përsëri kam dhënë mendimin tim, (këto dy shkrime do jenë në fund të këtij studimi-ese). Por poezia “Çarshia e ëndrrave”, vjersha që përmbyll vëllimin poetik “Shteg i heshtur”, më ka lënë një ndjesi të veçantë dhe, kërshëria më ngacmoi që të bëjë një analizë të detajuar të saj.
“ÇARSHIA E ËNDRRAVE”
Një udhëtim poetik ndërmjet ëndrrës, dashurisë dhe simbolikës lirike
ÇARSHIA E ËNDRRAVE!
Në Stamboll, nata luan
Me hënën e artë mbi minare,
Veç meraku im rri zgjuar,
Teksa shëtit sokakëve plot hare!
Unë vrapoj përmes erës
Anës detit nëpër gur,
Dhe kërkoj djalin e ëndrrës,
Shtat-ylber e plot nur!
Në çarshinë e vjetër pranë,
Përmbi heshtjen që më vret,
Në puhizën e pa-anë,
Pikërisht aty më pret!
Më ngre një pritë dhe del përballë,
Prej detit Marmara,
Më dha një puthje përmbi ballë,
Një botë të gjithë më dha!
Më çmend çdo herë e më mahnit,
Kur mallin më rrëfen,
Më merr në krah sikur një mit,
Në yje më rrëmben!
Kaftani im mbi supe hedhur,
Natën e sundon,
Tek mbamendja tij e mbledhur
Shpresën posedon!
Me qindra net i kam trazuar,
Të zgjidhja ty si desha,
Edhe pse jetët kryqëzuar,
pafat më dukej vetja!
Kur nata ikën, shkon dhe ti.
E fshihen jetë e gjurmë,
Në ëndrra ditësh bëhesh shi.
Largohesh nëpër turmë!
Ca brenga shpirti si për dreq.
Lëkunden mbi Bosfor,
Më hakërrohen tek bien keq.
Përmbys në kraharor!
(Poezia nga ka marrë titullin libri poetik i Shqiponja Pazaj-Veshaj).