Përkujtohet rilindasi i madh me një film dokumentar dhe librin e Luan Ramës “Vitet parisiane të Hasan Tahsinit”
Në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, më 29 shtator 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u zhvillua veprimtaria me temën “Rilindësi i shkencës Hasan Tahsini në librin “Vitet pariziane të Hasan Tahsinit” të shkrimtarit Luan Rama dhe në filmin dokumentar “Dijetari i fshehtësive” të regjisores Admirina Peçi”. Aktiviteti, i organizuar nga Komisioni i Përhershëm i Arteve, iu kushtua figurës, veprës dhe kontributit të Hasan Tahsinit në jetën shkencore, kulturore e intelektuale, duke synuar një qasje ndërdisiplinore ndaj një prej personaliteteve më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare.
Veprimtaria u moderua nga drejtori i Qendrës së Arteve, akad. Stefan Çapaliku, i cili e cilësoi ngjarjen si një moment të rëndësishëm për Akademinë e Shkencave dhe Qendrën e Arteve, duke nënvizuar karakterin ndërdisiplinor të trajtimit të figurës së Hasan Tahsinit. Ai theksoi se kjo figurë duhet parë nga disa perspektiva, duke pasur parasysh natyrën komplekse të veprimtarisë së tij intelektuale dhe periudhën historike në të cilën jetoi. Sipas tij, Hasan Tahsini mishëron tipikisht një moment të shekullit XIX, kur disiplinat shkencore nisën të diferencoheshin, por kur figura e dijetarit ende përfaqësonte një koncept të gjerë e të integruar të dijes.
Akad. Mimoza Hafizi u ndal në librin “Vitet pariziane të Hasan Tahsinit” të shkrimtarit Luan Rama, duke e vlerësuar si një prurje të rëndësishme për njohjen dhe rivlerësimin e figurës iluministe e shkencore të Tahsinit. Ajo theksoi se, ndonëse emri i tij është i njohur në kujtesën kulturore shqiptare, jeta, formimi dhe veprimtaria e tij kanë mbetur për një kohë të gjatë të pamjaftueshëm të dokumentuara, për shkak të vështirësive në aksesimin e burimeve historike. Në këtë kontekst, akad. Hafizi vlerësoi përpjekjen e z. Rama për të rindërtuar, mbi bazën e dokumenteve, kujtimeve dhe dëshmive të kohës, atmosferën intelektuale të Parisit të shekullit XIX dhe përvojën e Hasan Tahsinit në një prej qendrave më të rëndësishme të dijes europiane.
Drejtori i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, z. Alket Veliu, në fjalën e tij nënvizoi nevojën për një studim më të gjerë dhe sistemim të materialeve që lidhen me Tahsinin dhe rolin e tij në historinë e dijes shqiptare. Ai e cilësoi këtë personalitet si shumëdimensional, me formim që përfshinte disa fusha të dijes, ndërsa veprimtaria e tij lidhej me matematikën, astronominë, shkencat e natyrës dhe filozofinë. Z. Veliu e vlerësoi librin e Luan Ramës dhe dokumentarin e Admirina Peçit si dy kontribute që e sjellin figurën e Hasan Tahsinit më pranë publikut dhe nxisin interesin për studime më të thelluara mbi veprën e tij.
Studiuesi Enver Kushi e trajtoi librin e Ramës në këndvështrimin e kujtesës historike, hapësirës së Parisit dhe figurave shqiptare që kanë lënë gjurmë në jetën kulturore e intelektuale të këtij qyteti. Ai vuri në dukje mënyrën se si autori e bën historike më të prekshme figurën Hasan Tahsimit përmes rrëfimit, duke i dhënë lexuesit mundësinë që të ndjekë gjurmët në Paris dhe të perceptojë mjedisin kulturor e intelektual ku ai u formua.
Në vijim të veprimtarisë, znj. Admirina Peçi prezantoi filmin dokumentar “Dijetari i fshehtësive”, i cili e trajton figurën e Hasan Tahsinit përmes gjuhës së kinematografisë dokumentare. Filmi sjell një tjetër perspektivë mbi jetën, formimin, veprën dhe kontributin e Tahsinit, duke e vendosur figurën e tij në një marrëdhënie ndërmjet historisë, dijes, kujtesës dhe interpretimit audioviziv.
Në përmbyllje, shkrimtari Luan Rama u ndal në procesin kërkimor e dokumentues që qëndron në themel të librit “Vitet pariziane të Hasan Tahsinit”, si dhe në interesin e tij për të rindërtuar një periudhë të rëndësishme të jetës së dijetarit shqiptar. Përmes hulumtimit të burimeve dhe gjurmëve dokumentare, ai sjell në vëmendje jo vetëm figurën e Tahsinit, por edhe mjedisin historik, kulturor e intelektual të Parisit të shekullit XIX, duke e vendosur atë në marrëdhënie me kohën dhe hapësirën ku jetoi e veproi.
Libri “Vitet pariziane të Hasan Tahsinit” dhe filmi dokumentar Dijetari i fshehtësive u paraqitën si dy forma të ndryshme të kërkimit, interpretimit dhe komunikimit të kësaj figure me publikun bashkëkohor. Diskutimet e pjesëmarrësve nënvizuan rëndësinë e vijimit të punës kërkimore e dokumentuese për sistemimin e trashëgimisë së tij intelektuale. Veprimtaria e organizuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë shërbeu si një nxitje për ta rikthyer Hasan Tahsinin në vëmendjen e studimeve bashkëkohore dhe për të thelluar njohjen e rolit të tij në historinë e shkencës, kulturës dhe mendimit shqiptar./akademia e shkencave