Albspirit

Media/News/Publishing

Ferdinand Laholli: “Ave Cezar”, një britmë që vjen nga arena e internimit

Ka poezi që mund t’i lexosh si vepra letrare, dhe ka të tjera që duhet t’i lexosh si dëshmi jete. “Ave Cezar” i autorit Lazër Radi i ofron të dyja këto mundësi. Për një lexues të zakonshëm, arena, gladiatorët, gjaku dhe gishti i kthyer poshtë mund të duken si pamje të një bote të largët, të humbur në shekujt e Romës. Por për ne që kemi jetuar në internim, këto vargje kanë një tjetër peshë: nuk vijnë nga një univers i largët i imagjinatës, por nga një jetë e provuar në mish e në shpirt. E them këtë si bashkëvuajtës i autorit, me të cilin kam ndarë jo vetëm të njëjtin vend internimi, por edhe tri dekada të asaj jete të rëndë, tok me familjen e tij dhe qindra e qindra të tjerë. Teksa lexoj vargun “Ave Cezar! Ave Cezar!”, nuk e dëgjoj si një jehonë të ardhur nga vargmalet e lashtësisë, por si kumbim të frikshëm të një zëri të dalë nga institucionet e servilizmit dhe përuljes shtetërore, e të përhapur çjerrshëm në sheshet e poshtërimit popullor.

Në Savër, “arena” nuk kishte mure mermeri dhe turma romake. Kishte një tjetër pamje: kufij të padukshëm, frikë, varfëri, survejim, përulje dhe atë ndjesinë e hidhur se jeta jote vendosej nga të tjerë. Njeriu mund të ishte fizikisht gjallë, por mbi të rëndonte një pushtet që kërkonte bindje, heshtje dhe një durim shekullor. Pikërisht këtu metafora e gladiatorit bëhet e dhimbshme dhe e vërtetë. Prandaj dhe poeti nuk thotë se i dhemb vetëm “fati i keq i skllavit”. Zemërimi i tij shkon më thellë:

“veç për at qëndrim të ulët

të nënshtruem e lajkatar”.

Në këto vargje ndiejmë revoltën e njeriut që ka parë nga afër se si dhuna nuk mjaftohet me trupin e viktimës, por përpiqet të pushtojë edhe shpirtin e saj. Kjo poezi është, ndër të tjera, edhe një himn për dinjitetin, për atë fije të fundit të lirisë së brendshme që njeriu përpiqet ta ruajë edhe kur çdo gjë tjetër i është marrë. Në këtë suazë, krijimi merr përmasa madhështie.

“Cezari” i poezisë mund të lexohet si figurë historike, por mund të lexohet edhe si simbol i çdo pushteti që kërkon nënshtrim. Gladiatori nuk është vetëm luftëtari i arenës; është edhe njeriu i dënuar pa faj, familja e internuar, i përndjekuri, ai që mësoi të jetojë me mungesën, me heshtjen e imponuar, me pritjen e paemërt dhe me padrejtësinë universale, por që nuk pranoi ta humbte krejtësisht veten.

Edhe gishti ogurzi, i kthyer poshtë, merr një kuptim tjetër kur e lexon këtë poezi nga përvoja e internimit. Një gjest, një urdhër, një vendim i dikujt lart mund të përcaktonte, çdoherë dhe pamëshirshëm, gjallimin e dikujt poshtë. Dhe ata “poshtë”, si gladiatorët e arenës, duhej të vazhdonin të merrnin atë frymë të lëshuar me racion dhe pa skadencë kohore, të lindnin fëmijë të internuar që në barkun e nënës, të rrisnin fëmijë të damkosur si armiq të popullit ngaqë kishin lindur në internim, të punonin në kanalet e vetëvrasjes së dëshirave, të përjetonin përçudnimin e ekzistencës së lejuar.

Poeti e ka ngjyer penën si në bojën e dhimbjes, ashtu edhe në atë të revoltës morale. Gjaku, shpata, demi, grahmat dhe britma janë figura të një bote ku njeriu shtypet, por ende ka një zë. Dhe ai zë përsërit: “Ave Cezar!” Jo sepse e ka harruar dinjitetin, por sepse në ironinë e kësaj përshëndetjeje fshihet gjithë tragjedia e tij. Ne që e kemi jetuar atë kohë e dimë se disa plagë nuk duken në trup. Ato mbeten të gravuara në kujtesë. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse kjo poezi mbetet më shumë se një krijim artistik: është një dokument i shpirtit të një brezi të dënuar të gjallonte në arenën e internimit.

Pas tri dekadash bashkëvuajtjeje, unë e lexoj këtë poezi edhe si një kujtim ndaj gjithë atyre që u spiunuan, u akuzuan, u burgosën, u varën apo u pushkatuan thjesht për mendime ende të palindura. Si një kujtim ndaj gjithë atyre që u internuan në barakat e heshtjes, ndaj gjithë atyre që u skeletuan në arkivolët e shpresës, duke ruajtur perëndishëm dinjitetin si pasurinë e fundit që nuk mund t’ua konfiskonte askush.

Kjo poezi është e mbetet edhe një kujtesë e hidhur e asaj kohe, kur pothuajse tërë populli i thjeshtë ishte i detyruar të lëvizte vetëm brenda kufijve të vendosur për të nga regjimi. Futëfrikja është një nga metodat më klasike të sundimit. Pas izolimit të planifikuar të një sërë individësh dhe shkëputjes së tyre prej popullit, vjen izolimi dhe shkëputja e vetë popullit nga bashkësia e popujve të lirë. Pra, deklasimi i tij. Çdo regjim ka edhe brohoritësit e tij të zellshëm, të cilët mprehin penën e urrejtjes kundër të deklasuarve, penë që nxjerr në pah përbindshmërinë e shpirtit të tyre.

“Ave Cezar” nuk është thjesht vetëm një ironizim i brohoritësve të tillë, por njëherësh edhe jehonë historike e një klithme që vjen nga arena e internimit, dalë nga shpella e shpirtit të një njeriu që rropatet te e drejta e mohuar për të mbetur njeri.

Një poezi e shkruar jo vetëm me bojë.

E shkruar me vite jete.

LAZËR RADI

AVE CEZAR

Gladiatorë!

Gjamët e urrejtjes mbi ju i kam derdhë,

jo për fatin e keq të skllavit,

as për mallkimin e ndëshkimit,

veç për at qëndrim të ulët

të nënshtruem e lajkatar,

atje poshtë, n’fund të arenës:

Ave Cezar! Ave Cezar!

Ave Cezar!?

I përgjakuni gjakatarin përshëndet,

n’triumfin e vdekjes!

Dhe ai gisht ogurzi, kthye poshtë,

në teh të shpatës a në bri të demit,

mbytun në gjak ju lan varë…

Dhe ju prap,

n’grahmat e mbetuna të jetës,

ulërini me sa frymë keni si të marrë

atje n’fund të arenës:

Ave Cezar! Ave Cezar!…