Ismet Hajrullahu: Pse Kurti dhe PDK po detyrohen të shkojnë drejt një marrëveshjeje?
Dinamika e fundit tregon se kriza e krijuar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale dhe afati i prerë për zgjedhjen e Presidentit po i detyron dy taborret më të mëdha politike, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës, drejt një koordinimi të pashmangshëm institucional. Ky afrim nuk duhet parë domosdoshmërisht si një dorëzim i njërës palë karshi tjetrës, por më tepër duket si një përafrim i pastër taktik, i diktuar nga rrethanat urgjente shtetërore në të cilat ndodhet aktualisht vendi. Takimet e shpeshta mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dëshmojnë se interesi politik dhe nevoja për stabilitet po e mbizotërojnë polarizimin e skajshëm të së kaluarës.Në njërën anë, dënimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka krijuar një tronditje të madhe në Prishtinë. Për PDK-në, kjo është një betejë jetike për mbrojtjen e trashëgimisë së saj historike, ndërsa Kurti po e shfrytëzon këtë moment për të demonstruar një unitet të gjerë përballë një procesi gjyqësor që ai vetë historikisht e ka kundërshtuar. Në anën tjetër, presioni i kohës është përcaktues. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkon zgjedhjen e Presidentit brenda pak ditësh, Kosova rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme nëse ky proces dështon.Në këtë pikë, PDK-ja po pozicionohet si një aktor konstruktiv që dëshiron të shmangë bllokadën e re institucionale, duke i dhënë vetes peshë vendimtare në vendimmarrje. Ky afrim strategjik mes dy partive kryesore ka krijuar natyrshëm një hendek të ri brenda bllokut opozitar, duke lënë të pakënaqura partitë e tjera. Lidhja Demokratike e Kosovës po mban një qëndrim të distancuar dhe e sheh këtë koordinim me dyshim, duke kritikuar çdo tentativë për pazare politike që mund të dëmtojnë marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht sa i përket ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndonëse mbështet mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, druhet se PDK-ja po përdor këtë situatë për të siguruar një rol ekskluziv partneriteti me pushtetin, duke e lënë pjesën tjetër të opozitës të izoluar.Në këtë kontekst, sipas meje, skena politike pritet të lëvizë mes dy skenarëve kryesorë. I pari mund të jetë një bashkëpunim i kufizuar, ku PDK-ja siguron votat e LVV-së për nismat ligjore që lidhen me Hagën, por refuzon marrëveshjen për Presidentin dhe mbetet në opozitë të ashpër për temat e tjera si ekonomia apo dialogu. Skenari i dytë, dhe më i madhi, mund të sjellë një marrëveshje gjithëpërfshirëse institucionale, ku PDK-ja mundëson kuorumin apo propozon një kandidat konsensual për President në këmbim të garancive për reformat e saj ligjore, duke shmangur kështu zgjedhjet dhe duke rikonfiguruar plotësisht balancën e pushtetit .