Mbresa miqësore nga vizita në Kinë e delegacionit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë
Sotiraq Xharo
Anëtar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, përkthyes i gjuhës kineze, shkrimtar.
Me ftesë të Shoqatës Popullore Kineze për Miqësi me Vendet e Huaja, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës një delegacion i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, prej tetë anëtarësh, i kryesuar nga z. Spartak Nano, kryetar i Shoqatës zhvilloi një vizitë në Kinë nga 9-14 maj të këtij viti.
Një udhëtim i gjatë prej mbi 15 mijë kilometrash Tiranë-Mynih-Pekin, në lartësi fluturimi prej mbi 10 mijë metrash, na bëri të ndjehemi si në një “shtëpi gjigante fluturuese”, ku avioni ngjante me një zog të stërmadh çeliku.
Në kryeqytetin kinez Pekin mbërritën në 4:35 minuta të mëngjesit, sipas orës së Pekinit. Mikpritësit nga Ministria e Jashtme e Kinës na rezervuan një pritje të ngrohtë dhe miqësore në aeroport, për t’u nisur më pas drejt hotelit “Paqja” në qendër të Pekinit. Rrugës për në hotel më bëri përshtypje autostrada e pajisur me tabela orientuese thuajse në çdo kilometër, me bordura anësore të mbushura me lule shumëngjyrëshe, si dhe blloqet e pallateve shumëkatëshe në të dy anët e rrugës, mes brezave me pemë e lule, që kalonin me shpejtësi para syve tanë kureshtarë, si në një paradë festive.
Nga dhoma e hotelit në katin e dhjetë sodita pamjet e mrekullueshme të Pekinit plot drita, trafikun e rregullt të makinave, motorëve dhe biçikletave, por dhe një lumë njerëzish, që nxitonin për në punë në orët e para të mëngjesit. Kujtoja vitet kur isha student në Pekin dhe ndryshimet ishin si nata me ditën. Ndjeva kënaqësi dhe ngazëllim të madh dhe më pushtoi një mall në zemër për ato vite të kaluara.
Kënaqësia, nderimi dhe gëzimi më i madh për mua ishte vizita e parë e delegacionit tonë në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, një shkollë shumë e dashur për mua. Së bashku me 100 studentë nga e gjithë Shqipëria kryem kursin 1 vjeçar të gjuhës kineze në vitet 1961-1962 në këtë universitet. Unë u apasionova pas gjuhës kineze, madje mund të them se u dashurova me të. Ishte kjo gjuhë magjepsëse “trekëndore” (vizatim, ortografi dhe muzikë) që më pushtoi zemrën në ditët e para të mësimit të saj. Iu përkushtova gjatë gjuhës kineze, e cila më ka shoqëruar që nga vitet 60-të të shekullit të kaluar deri më sot. Janë gati 65 vjet lidhje me gjuhën kineze, duke filluar nga studimet dhe nisja e punës si përkthyes i saj në vitet 1961-1968 në Kinë, për të vijuar me punën në Shqipëri në vitet 1968-1997, më pas në emigracion në Greqi në vitet 1997-2020 ku sërish kam punuar si përkthyes i gjuhës kineze dhe kthimi në Shqipëri nga 2020 deri më sot, që vijoj të përkthej, të jap mësim në gjuhën kineze në shkolla shtetërore dhe private.
Në mjediset e Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit çdo gjë kishte ndryshuar, me përjashtim të fushës së futbollit, e cila kishte mbetur si një relikte e kohës së studimeve të mia universitare. Delegacioni ynë u shoqërua në mjediset e Universitetit nga zëvendësdekanja dhe drejtues të Universitetit drejt auditorit qendror të mbushur me studentë dhe profesorë të gjuhës shqipe.
U ngazëlleva aq shumë sa gati lotova kur pashë grupin e studentëve që na pritën me duartrokitje të përzemërta. Unë dhe bashkëshortja Natasha u ulëm në tavolinën kryesore ku emrat tanë ishin shkruar në kinezisht. Emri im në kinezisht është Suo Xihua, që do të thotë “Sotiraqi e adhuron Kinën”. Kujtoj se në vitin 1994 një gazetar i agjencisë kineze të lajmeve Xinhua ka përmendur dhe emrin tim kinez në një artikull të botuar në gazetën “Renmin Ribao”.
Në pritjen në Universitet mbajta një fjalim të shkurtër për mbresat e mia si ish student i tij, ku theksova faktin se si gjuha kineze, ndër më të vjetrat në Azi dhe gjuha shqipe, ndër më të vjetrat në Evropë, ngjajnë me dy motra. U fola të pranishmëve për angazhimin tim mbi 60 vjeçar me gjuhën kineze si përkthyes dhe dhurova për Departamentin e Gjuhës Shqipe librin tim “Gramatika e Gjuhës Kineze”.
Ishte një kënaqësi e veçantë për delegacionin tonë kur studentët kinezë recituan poezi dhe prozë nga Naim Frashëri, Dritëro Agolli, Ismail Kadare e të tjerë, por dhe kënduan aq bukur këngët shqiptare.
Vizita e radhës në Pekin ishte një surprizë për mua. Bëhet fjalë për Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë, ku kam studiuar në vitet 60-të në specialitetin e teknologjisë së petëzimit të çeliqeve. Në atë kohë shkolla quhej Instituti i Hekur-Çelikut. Edhe kjo shkollë më priti me një pamje krejt të re. Vizituam auditorët, sallat e studimit, laboratorët me pajisje moderne të cilësisë së lartë dhe bibliotekën. Kënaqësi e veçantë ishte se na shoqëroi studenti shqiptar, Ernest Balili, i cili mbronte doktoraturën për administrime industriale ekonomike.
Një stacion i bukur i vizitës sonë në Pekin ishte Badaling në Murin e Madh Kinez, ku qëndruam gjithë pasditen. U ngjitëm në shkallët e Murit me ndalesa të vogla, bëmë fotografi të shumta, duke soditur këtë mrekulli të botës. Shoqëruesja na foli për historinë dhe kuriozitete lidhur me këtë vepër madhështore të njerëzimit. Ndër të tjera ajo tha “Nuk quhet se e ke vizituar Kinën, nëse nuk ke vizituar Murin e Madh”
Si dëshmi për vizitën në Murin e Madh na dhanë të gjithë pjesëtarëve të delegacionit certifikata me emrat dhe mbiemrat tanë në gjuhën kineze, ku shkruhej “Certifikatë Mirënjohjeje për ngjitjen në Murin e Madh Kinez, në Badaling”.
Në ditën e tretë të vizitës sonë në Pekin zhvilluam një takim me z.Li Xiuling. Kryetar i Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor Bashkiak të Pekinit, i cili më njohu sepse ishim takuar gjatë vizitës së tij vitin e kaluar në Tiranë, ku unë isha përkthyes. Madje gjatë fjalës së tij përshëndetëse për delegacionin tonë, më përgëzoi për njohjen e mirë të gjuhës kineze.
Shoqata Popullore Kineze për Miqësi me Vendet e Huaja ishte një ndalesë tjetër e delegacionit tonë ku na priti kryetari i saj, z. Yang Wanming. Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë z. Spartak Nano, pasi falënderoi për ftesën për delegacionin tonë, shprehu dëshirën për forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm mes shoqatave tona.
Agjenda e delegacionit tonë gjatë qëndrimit në Pekin përfshinte dhe takimin me z. Liu Hongcai, zv.president i Shoqatës Kineze për Mirëkuptim Ndërkombëtar, pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i cili organizoi një pritje për nder të delegacionit tonë.
Në ditën e fundit të vizitës sonë në Kinë udhëtuam drejt qytetit modern të Tianjin-it, 150 km larg nga Pekini. Gjatë kohës studentore këtë rrugë me tren e bënim për 2 orë, kurse me trenin e shpejtësisë së lartë 365 km C2007, arritëm në destinacion për 21 minuta.
Në Tianjin vizituam Bashkinë, muzeun e saj dhe u pritëm përzemërsisht nga zyrtarë të lartë. Gjithashtu u takuam me Presidentin e Shoqatës Popullore për Miqësi me vendet e Huaja, si dhe vizituam qendrën e qytetit. Një surprizë e bukur ishte dhe shëtitja me karrocë me kuaj nëpër 5 rrugët kryesore të qytetit për të vijuar me një shëtitje me anije në lumin Haihe, që derdhet në Gjirin e Detit të Verdhë.
Për rreth dy orë soditëm bregun e lumit në anijen e mbushur me turistë kinezë dhe të huaj. Kaluan para syve tanë, si në një shfaqje filmike, ndërtesa tradicionale, ura me harqe dhe mbikalime këmbësorësh nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër pamë breza me pemë dhe lule të kuqe, fëmijë që shëtisnin buzë lumit me motorë dhe biçikleta dhe na përshëndesnin.
Kjo ishte një pamje mahnitëse plot ngjyra, që ngjante me një pritje ceremoniale për miq të ardhur nga larg. Në mbrëmje vonë zbritëm nga anija dhe iu drejtuam stacionit të trenit, që na riktheu në Pekin.
14 maji ishte dita e fundit e vizitës sonë në Kinë, ku nga Aeroporti Ndërkombëtar i Pekinit me një ndalesë në Mynih u kthyem pas mesnate në Tiranë. Gjatë vizitës sonë në Kinë u shoqëruam nga z.Fan Xing nëpunës i Ministrisë së Jashtme dhe znj. Giulia, të cilëve u shprehëm falënderimet tona të përzemërta me urimin për t’u takuar sërish. Përkthyesja gjatë vizitës në Kinë ishte znj. Jia Yuning (Etleva), e palodhur, me dashuri dhe sjellje miqësore me të gjithë anëtarët e delegacionit tonë. Gjatë udhëtimit, kur e falënderonim, Etleva na thoshte se është shqiptare. Një falënderim i veçantë për realizimin e kësaj vizite të delegacionit tonë i takon ambasadores së Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri Pang Chunxue.
https://albanian.cri.cn/2026/09/07/ARTI1788750400989958