Avdush Canaj: Baba…
Në vizitën e parë në burg
më thanë të flas me babën
në gjuhën e shajkaqave.
Qielli u shkund.
Na vret Zoti!- foli baba.
Vetëm u pamë nga larg.
Kishte udhëtuar tërë natën
me tren
për një shikim mes hekurash.
Edhe në vizitën e dytë
pas një muaji
po kështu,
edhe në të tretën,
edhe…
Gjashtëdhjetë muaj,
Gjashtëdhjetë herë.
Në anën tjetër të hekurave
baba
Në anën time
një zog shqiponje.
S`u përkul im atë,
Januz Canaj,
as unë, biri i tij
ku bren miza hekur.
S`ishin pak pesë vjet,
Ishin pesë shekuj e pak më shumë.
I thanë korbat:
Djali yt edhe këtu
po e kërkon diellin.
Është im bir, ishte përgjigjur.
Mund të mbetësh pa të, kishin krrakëllirë.
S`ishte trembur
Kam edhe të tjerë sokola.
Edhe sa?
Sa krejt Dardania!
Korbi roje u habit
u tmerrua atë ditë,
e pyeti me krakëllimë si jehonë:
E keni diçka Prometeun?
Po, po, është i gjakut tonë.
Baba,
babë Januzi
me shtatin e lisit dardan.