Cikël poetik nga Xheni Krypi

Kënga e një dite
U këndoj shpesh ditëve të mia,
këngë pendimi,
këngë trishtimi,
ndonjëherë edhe gëzimi.
Ashtu si sot,
pa ia ditur fillin nisjes,
as fundin sosjes,
si një melodi që më gjen pa paralajmërim.
Sot i këndoj kotësisë së lindjes
dhe bindem për kotësinë e luftës sime,
për rrëmujën boshe brenda vetes.
Bindem se bota pa mua
do të jetë po aq e bukur,
po aq e ligë,
po aq barbare e mizore,
sa ishte me ditët e mia.
Unë,
që shpesh ia kam urryer bukurinë jetës,
sot i këndoj kësaj dite
me trion time që ngazëllon
zemra të gënjyera,
pa u penduar
që trishtoj gëzimet e mia.
E harruat vallë?
Nuk e di nëse e harruat një njeri
në udhën e gjerë,
në një dimër
që në jetët e jetëve
do të mbetet pa emër.
I harruari rrojti pak.
Jo se s’kishte zemër të fortë,
por sepse thirri aq fort,
sa e dëgjuan të gjithë
ata që kaluan pranë
— dhe prapë nuk u ndalën.
Unë e pashë fare qartë:
ai fundosej dalëngadalë
në një llurbë
që s’e di kush ia krijonte
rreth vetes.
Ndoshta njerëzit.
Ndoshta heshtja.
Britmat e para
u mblodhën në pika loti,
në ca belbëzime të thyera,
ndërsa zemra
kishte kohë
që ishte fundosur.
Me sytë e ballit
ai lakmonte zemrën time,
si të ishte e fundit tokë
ku mund të mbështetej,
si të më thoshte pa zë:
“Mos më harroni.
Harresa vret më ngadalë
se vdekja”.
Rrahjet e zemrës
Ai s’është më ai që ishte dikur.
Prej zjarrit i ka mbetur veç hiri,
prej gëzimit, një ngrëdheshje e fundit,
prej pamjes, një skelet i heshtur,
prej rrahjes, veç një zhurmë e mbytur.
Prej shkujdesjes së rinisë së hershme
— një grusht ndjenjash të harruara.
Ndaj shpesh pyes veten:
është apo jo?
Kjo rrahje e zemrës time
që më shfaqet si hije?
Dhe përmes dhimbjesh,
me duar drejt qiellit,
i lutem Zotit
dhe vetes i jap shpresë:
Të lutem, zemër, edhe pak…
që kjo dritë të mos shuhet tani,
që unë të kem ende forcë
të qëndroj.
Zërat e Fëmijëve
Kur puthet një çift,
nuk është larg krijesa…
një frymë e re troket në botë.
Ëndërrrofshin të gjithë njerëzit
e rruzullit të globit
për ftesa të tilla jete.
Kur molla mbaron lulëzimin,
ajo lidh fruta të ëmbla.
E kush nuk ka mall
për këto fruta të bekuara,
le t’i digjet zemra
si meteor në heshtje.
Puthjet e çdo çifti
kanë një numër me shumë zero—
por sa çifte të ndërtuara ka kjo botë?
Aq zëra fëmijësh
do të vinin në poezinë time,
me të qeshura,
e kurrë me lot.
Loti dhe gjaku
Loti është i nxehtë si gjaku,
i kripur si deti,
i tejdukshëm si ajri.
Pikat dhe rrëketë e tij
na sjellin vetëm emocione,
aty ku e dyshimta
nuk dallohet më.
Eh, lot… lot!
Pikat e tua peshojnë më rëndë
se të gjithë oqeanet e kësaj bote.
Gjaku nuk pikon
pa u prerë kapilarët.
Ndërsa loti pikon
edhe kur nuk e kërkon askush.
Megjithatë, duajeni lotin,
lotin total të njeriut.
Ai ka vëlla
lotin e pafajshëm të fëmijës,
të dashurisë prindërore;
lotin e sorkalles kur vdes.
E prapë,
ruhuni nga loti i njeriut:
ai pikon edhe kur hesht,
edhe kur mohon,
dhe gjakun e turbullon.