Saimir Kadiu: Ndahet nga jeta Paolo Bulgari
Sot është ndarë nga jeta në moshen 89-vjeçare, Paolo Bulgari, stërnipi i themeluesit dhe një nga figurat kryesore të shtëpisë BULGARI…
BULGARI – NGA PARAMITHIA E ÇAMËRISË DREJT ROMËS DHE MAJAVE TË LUKSIT BOTËROR
Historia e një familjeje që e ktheu mjeshtërinë e argjendarisë në një legjendë ndërkombëtare
Historia e familjes Bulgari lindi në rrugicat e ngushta të një qyteti të vogël ballkanik, mes punishteve modeste, duarve të mjeshtërve dhe ëndrrave të njerëzve që nuk u pajtuan me kufijtë e vendlindjes.
E tillë është historia e familjes Bulgari.
Pas emrit që sot shkruhet me shkronja të mëdha – BULGARI – qëndron një histori emigracioni, mjeshtërie dhe këmbënguljeje, e lidhur me Paramithinë e Çamërisë, në Epirin historik.
Në vitin 1857, në Paramithi, Çamëri, (asokohe pjese e Perandorise Osmane) lindi Sotirios Voulgaris, i njohur më vonë në Itali si Sotirio Bulgari, themeluesi i një prej shtëpive më të famshme të argjendarisë në botë.
Rrënjët familjare të tij lidhen me Kalarritët e Epirit, një qendër e njohur e përpunimit të argjendit. Familja u vendos në Paramithi, ku Sotirios dhe i ati, Georgios, zhvilluan mjeshtërinë e tyre dhe hapën një dyqan argjendarie.
Kështu, përpara se të ekzistonte emri BVLGARI në Romë, ekzistonte një punishte e vogël në Paramithi.
Një dyqan modest, por me një histori që do të kapërcente kufijtë e Ballkanit.
Nga Paramithia në Romë – udhëtimi i një ëndrre
Historia e Sotirios Voulgaris është edhe historia e emigrantit që merr me vete jo vetëm zanatin, por edhe identitetin e vendit nga vjen.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, pas vështirësive dhe trazirave në Epir, familja u largua fillimisht drejt Korfuzit dhe më pas drejt Italisë.
Në vitin 1881, Sotirios mbërriti në Romë. Ishte një emigrant i ri, me përvojë në përpunimin e argjendit, me pak mjete materiale, por me një talent të jashtëzakonshëm.
Në vitin 1884 hapi dyqanin e tij të parë në Via Sistina. Më vonë, më 1905, familja vendosi aktivitetin në Via dei Condotti, në zemër të Romës. Aty do të ndërtohej një nga adresat më të famshme të luksit botëror.
Ajo që nisi me punimin e objekteve të argjendta u shndërrua, nën drejtimin e brezave pasardhës, në një univers të tërë të bizhuterive luksoze.
Djemtë e tij, Costantino dhe Giorgio, zhvilluan më tej biznesin familjar. Më pas, nipërit, ndër ta Gianni, Paolo dhe Nicola Bulgari, kontribuuan në konsolidimin dhe zgjerimin ndërkombëtar të markës.
Në vitet 1960, BVLGARI u bë pjesë e botës së kinemasë dhe të yjeve ndërkombëtarë. Bizhuteritë e saj u admiruan nga Elizabeth Taylor, Sophia Loren dhe shumë figura të tjera të famshme. Stili i saj, me gurë të çmuar me ngjyra të forta dhe frymëzim nga arti antik greko-romak, u bë i dallueshëm në të gjithë botën.
Një histori që kthehet në vendlindje
Ndoshta pjesa më emocionuese e kësaj historie është lidhja që familja Bulgari ka ruajtur me Paramithinë.
Vendi ku nisi rrugëtimi i familjes nuk u zhduk nga kujtesa e pasardhësve. Familja ka mbështetur nisma për ruajtjen e trashëgimisë së saj historike dhe kulturore në këtë qytet. Edhe ndërtesa e shkollës së vjetër, e lidhur me kontributin e Sotirios Voulgaris, është bërë pjesë e projekteve të rikthimit të kësaj trashëgimie.
Është një gjest me domethënie të veçantë: të arrish në majat e suksesit ndërkombëtar dhe të mos harrosh rrugicën ku filloi gjithçka.
Nga Paramithia në Romë, nga një punishte e vogël argjendarie te vitrinat më të shtrenjta të botës, historia e familjes Bulgari është një dëshmi e fuqisë së talentit, punës dhe emigracionit.
Në fund, diamanti më i çmuar i kësaj historie nuk është ai që shkëlqen në vitrinat e Via dei Condotti.
Është kujtesa e origjinës.
Sepse mund të ndryshosh vendin, gjuhën, mbiemrin dhe mbi të gjitha fatin, por historia e një familjeje fillon gjithmonë diku.
Dhe për BULGARIN, ajo histori ka një adresë ballkanike: Paramithinë.