Albspirit

Media/News/Publishing

Poeti Abedin Dino, i dekoruar nga shteti francez me “Urdhrin e Palmave Akademike”

Arben Iliazi

Pakkush e di se Abedin Pashë Dino, nga familja fisnike e Dinove të Prevezës, përveçse diplomat i shquar, ministër i jashtëm i Perandorisë Osmane, ishte dhe një poet i frymës së Romantizmit Europian, me një krijimtari të një niveli të lartë për kohën, që ka shkruar në shqip, turqisht, greqisht, persisht, arabisht etj.
Për veprimtarinë e tij letrare, në vitin 1895 është dekoruar nga shteti francez me “Urdhrin e Palmave Akademike”. Kjo dekoratë ishte krijuar me 17 mars 1808 nga Napoleon Bonaparti.
Abedin Pashë Dino ka krijuar kryesisht poezi atdhetare, lirika të dashurisë, si dhe vargje me motive filozofike e mistike. Përveç veprave origjinale, Abedin Pashë Dino ka përkthyer në osmanisht vepra të rëndësishme letrare e filozofike nga frëngjishtja, arabishtja dhe persishtja (ndër to dhe vepra të poetit e filozofit persian Xhelaludin Rumi).
Në gazetën “Shqipëria”, botuar në Bukuresht më 10 maj 1879, do të shkruhej: “Abedin Pashë Dino, shkrimtar dhe poet i shquar, guvernator i detit Egje, politikan dhe njeri i shquar, edhe muzave u ka shërbyer me sukses”.
Lidhur me rëndësinë e librave, Abedin Dino shkruan: “Njerëzit mund të braktisen nga të dashurit dhe miqtë, por librat mbeten miqtë më besnikë”.
Ja disa vargje nga vjersha “Nëse do të lutej gjithçka”:

Lutesh edhe ti zemër, kur psherëtin?
Kur gjoksi bëhet për ty varr i zi?
Kur qetohen tronditjet, ndërsa ti ëndërrin?
Kur mendon se në botë, preja e vetme je ti?

Poezi si këto na sjellin ndërmend se historia e letërsisë shqipe ka një rrugë të gjatë për të bërë që të përmbushet dhe të botohet e saktë dhe plotë.

***

Çuditem se si nuk ekziston asgjëkund një monument i Abedin Pashë Dinos, këtij burri të madh shteti, ideolog i Rilindjes Kombëtare, njeri i dijes dhe shkencës, poet, shkrimtar dhe patriot i shquar, tha poeti dhe studiuesi Ahmet Mehmeti, autor i monografisë “Abedin Dino-Martir i Bashkimit Kombëtar”, që u promovua në Hotel Tirana International, nën kujdesin e fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”. Në këtë veprimtari të bukur letrare, me shumë kënaqësi, mora pjesë edhe unë, si referues, ku trajtova veprimtarinë letrare të Abedin Dinos.