Albspirit

Media/News/Publishing

Ela Zdrava: Martin, o bir!

Eh, sa shumë fjalë
mbetën të pathëna,
nga shokët, vëllaçko,
babi dhe unë nëna.

Eh, sa shumë rreze drite
o bir më ke dhënë,
malli më këputi
për përqafimin tënd.

Në çdo hap që vjen,
hapin tënd e ndjej.
Në çdo yll të kërkoj,
e me dritën tënde flej.

Në çdo cicërimë
zërin ta dëgjoj,
në çdo rreze drite
sytë t’i shikoj,

Në çdo pikë shi,
që bie mbi xham,
është malli yt,
që ma njom këtë xhan.

Në çdo fotografi,
me sytë e tu takohem,
në çdo send që preke,
me kujtimin tënd zgjohem.

Në çdo libër tënd,
kujtoj çfarë lexoje,
në faqet e tij, o bir,
kërkoj çfarë mendoje.

Në çdo fletë fletoreje,
ndalem të lexoj,
një mesazh tëndin
përpiqem ta zbuloj.

Në çdo cep të shtëpisë
është e qeshura jote,
kaltërsia e syve të tu
mu bë qielli i kësaj bote.

Në fanellën e palosur,
numri yt qëndron,
një copëz e jetës sate,
zemrën seç ma zgjon.

Në çdo palë të saj,
një kujtim ka mbetur,
aroma e ëndrrat e tua,
që koha s’i ka tretur.

E kur e marr në duar,
më dridhen gishtërinjtë,
ulesh e flet me mua,
më dogji malli, o bir.

Në këpucët e tua,
gjurmët ende kanë mbetur,
në fushën ku vrapoje,
një ëndërr ka heshtur.

Në dhomën tënde, topi yt rri,
sikur pret të nisë loja përsëri,
me vrapin tënd, me gaz e hare,
futbolli u bë gëzim edhe për ne.

Në çdo cep të oborrit,
ku luaje dikur,
më duket sikur të shoh,
në çdo fije bari e gur.

Në çdo top, që rrokulkiset,
mbi fushën e bleruar,
të shoh kampioni im,
pas tij duke vrapuar.

Kur topi prek rrjetën,
brohoritjen tënde dëgjoj,
kur përqafoje shokët,
gëzimin ta kujtoj.

Në fushën e kujtimeve,
numri yt do të ndriçojë,
shokët e skuadrës o bir,
të kanë me vete çdo lojë.

Plot na e mbushe shpirtin bir,
kur erdhe si një bekim,
zemrat tona do të ndrisin,
nga drita jote, kampion Martin!