Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: Nostalgji

Më prekin çaste nostalgjie
Si zogj të ardhur larg,
Me nanurisje vegjëlie
Ndër shpëndra varg e varg.

Tek shkoj përtej në një djerrinë,
Ku ngre aromë tërfili,
Djersitur, buzët i lëpijnë
Limoni dhe Kazili.

Të dy të mprehur në parmendë
Qaforesh me tevligë,
Çajnë poshtë brezares rëndë rëndë,
Përfund një arre-bigë.

Nën zgjedhë ofshajnë turfulluar
Selishtës tejmatanë,
E unë gëzoja i harbuar,
Hipur përmbi branë.

Si këngë më dukej dërrm’ e plisit
Fluturza vinin pas,
E pas Limonit e Kazilit
Më hapej një parajsë.

Kaq herë atje bulon pranvera
Brezares, jonxhës, misrash.
Mëngjesesh vesën përshkund era
E brana u kalb plisash.

Veç arra-bigë mbet’ në djerrinë
Dhe shpirtin ma besoni!
Aty ma prekin vegjëlinë,
Kazili dhe Limoni.