MES MAGJISË SKENIKE DHE DRITËS SË PEISAZHIT VLONJAT. ARKITEKTURA POETIKE E SKENËS DHE DRITA ADMIRUESE E PEISAZHIT TË ELEGANTIT PIKTOR AGRON JAKUPI
Pirro Fotiadhi
Portret i paautorizuar me rastin e përvjetorit të ditëlindjes së piktorit rrezatues, skenografit pasionant të mirënjohur, Agron Jakupi.
Në vend të prologut…
Në hapësirat e kufirit delikat, aty ku heshtja e pëlhurës së bardhë takohet me stuhinë e shpirtit njerëzor,pikërisht aty lind arti i vërtetë. Një alkimi e mistershme e dritës, hijes dhe ngjyrës. Krijimtaria e piktorit të talentuar Agron Jakupi nuk është thjesht një akt estetik, por një odise vizuale, një manifest i gjallë ku peneli shndërrohet në daltë që gdhend kujtesën,emocioni merr formë arkitekturore dhe ngjyra rrezaton si një gjuhë universale e vetë shpirtit. Me një mjeshtëri të rrallë teknike dhe një ndjeshmëri të thellë poetike, Agron Jakupi i përket artistit dhe krijuesit që e vendos shikuesin në një dimension të ri perceptimi, aty ku realja dhe metafizikja shkrihen në një simfoni të pashoqe kromatike. Çdo vepër e tij është një botë më vete, një mikrokozmos i ngarkuar me tensione dramatike,lirizëm të kulluar dhe një kërkim të pandalur për të vërtetën e brendshme. Në telajot e tij, drita nuk është thjesht një element fizik që ndriçon objektet, por një prani shpirtërore që zbulon thelbin e qenies, duke i dhënë çdo figure, peizazhi apo kompozimi abstrakt një peshë monumentale dhe një frymëmarrje të përjetshme. Duke lundruar me elegancë mes traditës së artit figurativ dhe guximit të shprehjes bashkëkohore, piktori Agron Jakupi dëshmon një pjekuri të lartë artistike por njëherazi edhe një vizion të qartë filozofik. Ai nuk imiton natyrën, por ai dialogon me të, njëherazi e dekonstrukton dhe e rikrijon përmes filtrit të botës së tij të pasur të brendshme. Çdo goditje peneli mbart gjurmën e një pasioni të zjarrtë, çdo kontrast ngjyrash është një metaforë e ekzistencës dhe çdo kompozim është një dëshmi e fuqisë transformuese të artit. Krijimtaria artistike e Agron Jakupit është një grishje, një ftesë për meditim dhe përjetim të thellë estetik. Është një vlerësim madhor për talentin që sfidon kohën, për vizionin që tejkalon kufijtë e së dukshmes dhe për një artist që, përmes magjisë së pikturës, arrin të prekë telat më të fshehtë të shpirtit njerëzor.
Piktori Agron Jakupi përmes krijimtarisë së tij, ngrihet pikërisht mbi këtë piedestal. Ajo është një odise e mirëfilltë vizuale, ku rigoroziteti akademik shkrihet në një simbiozë të përsosur me lirizmin poetik dhe guximin ekspresiv.
Agron Jakupi, një artist tepër i talentuar, me identitetin e veçantë dhe kompleks, me penelata stilistike plot elegancë e frymëzim, një emër qartësisht krijues, me një zë të brendshëm potencial, duke dëshmuar më së miri se për cilindo artist, kompozimi starton me një vizion të qartë. Të mund të konceptosh e perceptosh krijimin, natyrshëm përbën një domosdoshmëri dhe funksion krijues që kërkon guxim dhe përpjekje. Si një fisnik dhe një artist shumë i vetëdijshëm, piktori vlonjat Agron Jakupi, asnjëherë nuk ishte njeriu që u përpoq të investonte në vetëpromovimin e artit të tij adhurues. Sepse ai paralelisht frymonte për pikturën, për peisazhet e tij impresivë duke dëshmuar qartë identitetin kompleks të krijimtarisë së tij plotësisht të dallueshme. Duke i mëshuar risisë se arti nuk është ajo ç‘ka vështron, por ajo veçanësi që i shtyn të tjerët të shohin dhe admirojnë.
Rrugëtimi jetësor dhe arsimimi
Agron Jakupi erdhi në jetë në qytetin e Vlorës në një ditë të ftohtë dimri teksa kalendari shënonte 26 Nëntor 1954 si vëllai i vetëm i dy motrave Natasha dhe Afërdita. Vitet e fëmijërisë së brishtë i kalon në qytetin e lindjes pranë familjes teksa aty starton edhe vitet e shkollimit fillestar.
Qysh prej viteve të fëmijërisë së hershme, mjedisi përreth tij, duhet nënvizuar se nuk ravijëzohej vetëm me imazhe, por një lojë e pafundme ngjyrash dhe hijesh. Sepse teksa moshatarët e tij, fletët e bardha i konceptonin si diçka tepër të thjeshta, për Agronin ato ishin fillesat e guximshme për t’i dhënë hapësirë imagjinatës së tij. E natyrshme pak a shumë kur ajo periudhë kohore përkonte me mangësi lodrash zbavitëse, ose ato që ekzistonin ishin të pakta. Kësisoj koha e lire ishte një mundësi e jashtëzakonshme që me një laps në dorë dhe letrën e fletores, ishin të mjaftueshme për të çliruar imagjinatën dhe për të improvizuar duke krijuar imazhe të panumrta. Me lapsin e pandarë në dorë, si një zgjatim natyror i gishtërinjve të tij, ai përpiqej të thithte gjithçka që e magjepste: rrezet e diellit që depërtonin nga dritarja, shikimet e njerëzve të tij, formatin e reve, ngjyrën e frutave aromatike. Ai nuk vizatonte vetëm për të kaluar kohën, teksa vizatimi ishte reagimi i fortë, ishte mënyra më e vërtetë për të shprehur atë që ndjente por njëherazi edhe për të të zbuluar por edhe kuptuar botën rreth tij.
Çdo vijë e ngathët, çdo njollë boje në fletoret e tij të shkollës, nuk ishin asgjë tjetër veçse starti dhe hapat e parë e të sigurtë të një talenti natyror. Teksa ai rritej, dukej qartë për të gjithë se ky pasion fëminor, kurrësesi nuk mund të ishte një interes i rastësishëm kalimtar i fëmijërisë, por një flakë e brendshme që vitet e mëpasme do të përcaktonte të gjithë jetën dhe rrugën e tij.
Falë prirjeve por sidomos talentit të tij të padiskutueshëm në pikturë, në vitin shkollor 1969-70-të, ai fillon të ndjekë pranë bankave mësimore të shkollës së mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë të cilat i përfundon në vitin 1973. Mandej konkurron me sukses dhe fiton të drejtën për të vijuar studimet pranë Institutit të Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve), në degën e arteve pamore për skenografi, teksa përfundon me sukses dhe diplomohet në vitin 1977. Nën drejtimin pedagogjik të një prej personaliteteve të rëndësishëm siç ishte mjeshtri dhe «Piktori i Popullit», Agim Zajmi, si themelues dhe dekan i degës së Skenografisë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, por edhe të personaliteteve të njohura si Vilson Kilica, Shaban Hysa, Guri Madhi e Jakup Mato, të cilët zhvillonin lëndë të tjera formuese si pikturë, vizatim apo histori arti, si student Agron Jakupi dëshmon zellin dhe përkushtimin e tij. Kësisoj, dhe gjatë viteve të studimeve, Agron Jakupi jo vetëm veçon, por njëherazi dëshmon talentin e tij të spikatur jo vetëm në pikturë, por edhe në skenografi, duke u përpjekur vazhdimisht të formohej dhe të eksploronte çdo detaj që fshihej në labirintet e panumërta të kësaj fushe.
Rrugëtimi artistik dhe krijimtaria në Skenografi…
Menjëherë pas diplomimit si piktor skenograf, Agron Jakupi rikthehet në vendlindje, teksa emërohet në Shtëpinë e Kulturës të qytetit të Vlorës, si piktor skenograf ku starton tanimë rrugëtimin e tij artistik dhe profesional .Natyrshëm që në hapat e para përballet me një sërë vështirësish e pengesa të panumërta që lidheshin me mentalitetin e një lokalizmi provincial. Gjithësesi, edhe përpara këtyre barrierave krejt absurde, Agron Jakupi me shpirtin e gjallë të një artisti, zhvilloi beteja të brendshme dhe vijoi me këmbëngulje të eci përpara edhe në momentet kur diçka nuk shkonte. Ndonëse në hapat e para të rrugëtimit të tij profesional, si shumë prej kolegëve të tij artistë guximtarë të së njëjtës gjeneratë, ai eksperimentonte dhe kërkonte shtigje të reja, në hapësirën krijuese, për të arritur gradualisht në gjetjet e suksesshme që përfaqësojnë krijimet e tij peisazheske në dekadat e viteve 1980 dhe 1990-të. Rikthimi i tij në vendlindje nuk ishte thjesht një emërim profesional, por fillimi i një epoke krijuese. Me shpirtin praktik dhe dëshirën e zjarrtë për të qënë sa më efektiv dhe i suksesshëm, edhe në Shtëpinë e Kulturës në Vlorë, ai ofron idetë e reja dhe mendësi bashkëkohore në konceptimin e skenave për festivalet e këngëve, si edhe shfaqjet e larmishme që ofronin gjallëri në jetën kulturore-artistike të qytetit të Vlorës. Punën e tij frymëzuese e vijon mandej edhe në Pallatin e Kulturës të qytetit të Vlorës, duke iu përkushtuar plotësisht artit skenografik dhe pikturës. Veprat e tij karakterizoheshin nga një stil i veçantë artistik që dëshmonte për një talent dinamik. Arti i tij shpaloste dukshëm ndikimin shprehës të elementëve që lëviznin dhe ia arrin t’i transformojë ato në një mënyrë të mrekullueshme në veprat e tij skenike. Në dekadën e viteve 90-të veprimtaria krijuese e piktorit Agron Jakupi fokusohet në krijimtarin e tij në shërbim të Estradës dhe Teatrit Dramatik, duke ndjekur pak a shumë gjurmët e suksesit të kolegut të tij Sabaudin Xhaferri dhe Ovanes Rapi. Problematika artistike tanimë marrin një trajtë edhe më sintetike dhe ideografike, duke alternuar me mjeshtëri dy pole stilistike sipas natyrës së dramës apo varietes. Në aspektin e zgjidhjeve simbolike dhe minimaliste, arti krijues i Agron Jakupit, fokusohet në heqjen dorë nga dekori i rëndë për t’i lënë vend shenjës dhe alegorisë. Psh tek shfaqja e komedisë “Tri mendje në ankand” (1996) e Ferdinand Hysit me regji të Armando Borës, ai operon me elemente të reduktuara e konvencionale, ku drama ndërtohej përmes lojës së dritë-hijeve. Ndërsa në dramën «Merimanga» (2004) me regji të Besnik Aliajt, metafora skenike mishërοhet me një bukuri të veçantë, si një gjetje përmes karaktereve tipografike dhe figurës së djallit mes tyre si frymëzim i krimit dhe korrupsionit. Ndërkohë që tek «Vrasësit e mbetur prapa» (2007) e Teodor Laços, shumësia e perdeve skenike dhe projektimi i hijeve pas tyre shërbenin si shenjë vizuale e pushtetit okult. Përmes risive të zhvillimit të tij të brendshëm dhe eksperimentimit të vazhdueshëm në materiale dhe mënyra shprehëse, Agron Jakupi në çdo shfaqje apo spektakël, konfirmon të vërtetën dhe poetikën e tij, qëndrueshmërinë dhe koherencën e ndjekjeve të tij morfoplastike. Përsa u përket zgjidhjeve të tipit realist, Agron Jakupi riktheu shijen e hollë të piktorit. Kjo ndjesi shfaqet dukshëm në komedinë «Rëndësia e të qenit i ndershëm» (2006) të Oscar Wilde, skena e së cilës u dominua nga ambiente të mobiluara me elegancë dhe luks, ku tablotë pikturale të varura në mure nuk ishin thjesht dekor, por vepra që e zhysnin spektatorin në atmosferën e epokës.
Në të gjitha këto bashkëpunime ku spikasin edhe puna me regjisorin italian Luigi Moretti si bashkëpunim i Teatrit «Petro Marko» me teatrin italian «Teatro Stabile delle Marche» tek shfaqja «Korrupsioni në pallatin e drejtësisë» (2003), tek premiera «Borxhlinjtë» August Strindberg (2014), me regjisor Roland Mingën, shfaqjen «Vrasësit e mbetur prapa» (2007), një dramë e Teodor Laços, si dhe me brezin klasik të regjisorëve vlonjatë, Agron Jakupi e trajtoi kostumografinë si një hapësirë koloristike në lëvizje dhe njëherazi përdori perde të shumta dhe lojën e projektimit të hijeve. Veshja e aktorit u konceptua gjithmonë në dialog të ngushtë me dritën dhe hapësirën, duke ravijëzuar njëherësh psikologjinë e personazheve në teatër dhe ritmin satirik të skeçeve të Estradës së Vlorës. Nga pikëpamja estetike, evolucioni i piktorit Agron Jakupit në skenografi dëshmon se ai përpiqet të nxjerr në pah dhe promovoj elementë estetikë me nivel të lartë dhe ide bashkëkohore. Përpos të tjerash për një artist që refuzoi statizmin e formës. Nëse fillimet e tij i përkisnin traditës së dekorit realist dhe ilustrues, vitet 80 dhe 90-të, shënuan një kthesë konceptuale drejt rinovimit të gjuhës teatrore. Kjo kthesë kulmoi në vitin 1988 me dramatizimin e romanit «Ura me tre harqe» të Ismail Kadaresë. Siç thekson studiuesi dhe kritiku i teatrit Josif Papagjoni në Enciklopedinë e Teatrit dhe Kinematografisë Shqiptare (2009) në këtë vepër spikatën «shtresëzimet simbolike e metaforike, në përpunimin e sheshit skenik, kostumeve, dritës dhe ngjyrës, si dhe në ekuivalencën e matur të mjediseve me shenjat e skenografisë bashkëkohore». Po ashtu në këtë kontekst Agron Jakupit i përkasin edhe realizimi i skenografisë dhe shpesh kostumografinë e disa prej veprave më të njohura të dramaturgjisë shqiptare dhe botërore që u përkasin shfaqjeve si «Përpara semaforit” dhe «Shpirti i ujkut», drama të autorit Ferdinand Hysi, ku ai operoi me dekor të reduktuar e konvencional. Apo «Ah, veshkat e mia» (2002), komedi e autorit grek Babis Cikliropulos, ku e trajton kostumografinë si një pjesë organike të vizionit skenografik, duke e lidhur ngushtë veshjen e aktorit me hapësirën, dritën dhe ngjyrën e skenës.
Piktori skenograf Agron Jakupi ka merita të jashtëzakonshme në harmonizimin e unitetit mes Skenografisë dhe Kostumit, një risi që konsistonte dhe kurrësesi nuk binte ndesh me dekorin, por shkrihej ose kontrastonte me të në një mënyrë perfekte dhe të studiuar. Duke qenë piktor në formim, Agron Jakupi e shihte dhe i mëshonte faktit se kostumi përbënte një njollë koloristike në lëvizje. Ngjyrat dhe materialet e veshjeve zgjidheshin në funksion të ndriçimit skenik,duke e ndihmuar regjisorin të krijonte një atmosferë emocionale dhe tensione në skenën e Teatrit dramatik të Vlorës, Gjatë karrierës së tij mbi 35-vjeçare në Vlorë, përmes një pune sistematike këmbëngulëse dhe përherë në kërkim, Agron Jakupi ka realizuar rreth 50 projekte skenografike duke përfshirë dramat më të rëndësishme të repertorit për shfaqjet teatrore në skenën e Teatrit «Petro Marko»,spektaklet dhe shfaqje të premierave të Estradës, koncerte dhe festivale.
Krijimtaria në gjininë e peisazhit…
Krahas skenës teatrore, Agron Jakupi njihet gjerësisht si një piktor i talentuar dhe tepër sqimatar, veçanërisht për peizazhet e frymëzuara nga Vlora dhe mbarë bregdeti shqiptar. Gjithë peisazhet që mbajnë autorësinë e piktorit vlonjat Agron Jakupi,dallohen me të vërtetë për realizmin e hollë, dritën e pastër dhe qartësinë që lënë mbresa joshëse. Me koloritin e ngjyrave, me vibrime të dritës, me elegancën e jashtëzakonshme, ato rrezatojnë dritë dhe qetësi realisht krijojnë përshtypje admiruese.
Kjo aftësi teknike dhe artistike në mënyrën e mrekullueshme të kombinimit të ngjyrave, imazhet e ndritshme dhe mbresëlënëse në krijimet e tij, janë fryte të formimit të tij të hershëm akademik dhe përvojës së gjatë si piktor dhe skenograf. Drita dhe atmosfera mesdhetare,një indicie e fuqishme përmes së cilës Agron Jakupi vëzhgon mjedisin e natyrën dhe emocionet i ofron si imazhe në tablo dhe peisazhe. Si një artist i lindur dhe i formuar në qytetin e Vlorës, ai e zotëron në përsosmëri ndriçimin natyror të bregdetit, duke i dhënë çdo tabloje gjallëri, freski, ndjenjë dhe thellësi. Realizmi i pastër dhe i ndjerë, një aspekt interpretimi absolut, që ofron përveç performancës, një udhëtim të brendshëm, një bashkëveprim për ngulitje personale si një interpretim dhe qasje në art. Ndaj edhe peisazhet e krijuara prej tij nuk janë thjesht kopje të ftohta të natyrës, por përcjellin qetësi, ngrohtësi dhe një lidhje të fortë emocionale me vendlindjen dhe bukuritë jo vetëm të trevës së Vlorës por edhe më gjerë,edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë. Harmonia e ngjyrave, është një tjetër karakteristikë dhe veçori e krijimtarisë brilante të Agron Jakupit, ku gërshetohen qartë përdorimi i nuancave të pastra dhe kalimet e buta mes dritës dhe hijes,të cilat krijojnë atë «qartësi magjepsëse» që tërheq menjëherë syrin e shikuesit.
Vepra e tij krijuese mbetet dëshmi e një artisti që diti të bashkojë disiplinën e arkitekturës skenike me lirinë poetike të ngjyrës, duke e kthyer çdo skenë dhe çdo telajo në një hapësirë të gjallë emocioni dhe mendimi.
Ajo lexohet si një kronikë e gjallë vizuale e kulturës vlonjate dhe e skenografisë shqiptare. Agron Jakupi mbetet artisti që diti të harmonizojë rigorozitetin e strukturës hapësinore me poezinë e dritës dhe ngjyrës, duke lënë pas një trashëgimi ku çdo skenë dhe çdo telajo pulson me frymën e vendit që e frymëzoi. Pas viteve 90-të, piktura e kavaletit dhe dizajni i brendshëm u shndërruan në hapësira të reja eksplorimi. I magjepsur nga drita e Vlorës, nga profili i Sazanit dhe qetësia e Zvërnecit, nga bukuritë e papërshkrueshme të bregdetit Adriatik dhe atij Jonian, Agron Jakupi derdhi në telajo një ndjeshmëri të hollë mesdhetare, ku ngjyra merr peshën e kujtesës dhe të emocionit. Këtë univers krijues ai e hapi për publikun dhe brezat e rinj përmes studios së tij, AGRON Jakupi ART Galeri, e cila funksionon njëkohësisht si ekspozitë e përhershme dhe si laborator formimi për talentet e reja në vizatim, perspektivë dhe kompozim.
Në vend të epilogut…
Në mbyllje të këtyre radhëve, veprimtaria krijuese e intelektualit dhe piktorit sharmant Agron Jakupi shfaqet jo thjesht si një pasqyrim i realitetit, por si një akt i mirëfilltë ontologjik, ku ngjyra dhe forma shndërrohen në gjuhën primare të shpirtit. Përmes një mjeshtërie të hollë e sqimatare, ku çdo penelatë mbart peshën e një meditimi të thellë dhe çdo dritëhije ravijëzon kufirin delikat mes të dukshmes dhe të padukshmes, artisti arrin të ndërtojë një univers pamor që sfidon edhe vetë kohën. Talenti i tij kurrësesi nuk mbetet i ngujuar në kornizat e një teknike të përsosur akademike, por ajo lartësohet si një poezi e heshtur, e cila fton shikuesin në një dialog intim me të bukurën dhe të përhershmen. Në peisazhet frymëzuese të Agron Jakupit, arti rigjen misionin e tij fisnik, duke prekur telat më të ndjeshëm të ndërgjegjes njerëzore, duke na kujtuar se përtej zhurmës së përditshmërisë, ekziston një dimension ku drita, harmonia dhe mendimi mbeten të pavdekshme. Kjo krijimtari është dhe do të mbetet një dëshmi e gjallë e elegancës artistike,një ftesë e përhershme për të parë botën me sytë e shpirtit dhe me fisnikërinë e mendjes. Përkujtimi i sitëlindjes për figura dinjitoze dhe personalitete të mirënjohur, përbëjnë një qasje të mirëfilltë si një formalitet kalendarik tejet të domosdoshëm por njëherazi edhe një akt kulturor dhe qytetar me rëndësi të shumëfishtë. Festa e përvjetorit të ditëlindjes së një artisti, një personaliteti, një piktori, natyrshëm që konsiston në një ngjarje të rëndësishme për fushën e artit dhe kulturës, pasi duke vlerësuar jetën dhe veprimtarinë krijuese të një piktori që rrezaton dhe spikat mes artistëve të gjeneratës së tij, ofron mundësinë për të nxjerrë në pah rrugën e tyre krijuese por edhe si një rivlerësim shumdimensional artistik. Si një krijues bashkëkohor, Agron Jakupi, me njohuri të thella të historisë së artit dhe një prirje të pastër në personalitetin e tij krijues, me punën e tij sistematike ia arriti që talentin ta shndërronte në impresione të vërteta, thellësisht shprehëse dhe tepër magjike. Duke ofruar peisazhe dhe vepra të tilla që pasqyrojnë në mënyrë të përkryer konceptin estetik të madhërishmes, që shkaktojnë tronditje shpirtërore dhe një përmbytje të thellë emocionale. Në hartën e arteve pamore dhe skenike të vendit tonë, figura e piktorit Agron Jakupit shfaqet si një sintezë e rrallë mes disiplinës arkitekturore të skenografit dhe lirizmit koloristik të piktorit. Një krijues domethënës, me një sharm krejt të veçantë, që me mjeshtëri dhe optimizëm, harmonizon dhe krijon ndjesinë e pafundësisë dhe të brishtësisë së njeriut përballë natyrës. Për afro më shumë se tre dekada, ky krijues vlonjat i dha frymë dhe identitet vizual jetës kulturore të qytetit të tij, duke ndërtuar një urë komunikimi të vazhdueshme mes dritave të skenës së Teatrit «Petro Marko» dhe horizonteve të hapura të bregdetit jugor. Gjithë rrugëtimi artistik dhe profesional i Agron Jakupit konsiston në gjurmët e dukshme të një personaliteti që na mëson shumë përmes punës së tij, në forcimin e ndjenjave të përkatësisë dhe krenarisë së shëndetshme qytetare vlonjate. Vlerat qytetare, shembulli i tij pasionant, stili i tij poetik në tablotë krijuese, u ofron të rinjve modele reale suksesi, integriteti dhe përkushtimi.
Ndaj nëpërmjet radhëve tepër modeste, me mirënjohje të pazakontë, vlerësojmë dhe nderojmë një figurë simbolike të arteve pamore dhe skenike të Vlorës, një mjeshtër që karrierën e tij prej më shumë se tridhjetë e pesë vitesh ia kushtoi bukurisë, formës dhe dinjitetit artistik. Ky është piktori dhe skenografi Agron Jakupi i cili udhëtoi plot sfida dhe suksese në botën e tij krijuese, një botë ku skena e teatrit dhe horizonti i detit bashkohen në një simfoni të vetme drite. I formuar në traditën më të mirë akademike shqiptare, por gjithmonë në kërkim të së resë, ai diti të bashkojë rigorozitetin e arkitekturës skenike me lirinë e pakufishme të penelit. Sepse, në fund të fundit, pas një emri, pas nëj personaliteti, pas një artisti frymëzues si Agron Jakupi, lartësohet një person që dëshiron të mbahet mend.
Gëzuar ditëlindjen një burri që e mbush botën me ngjyra. Si artist, dëshirat meritojnë të kenë pak nga magjia e artit të tij.
Miku im Agron Jakupi, gëzuar ditëlindjen!
Si një artist i jashtëzakonshëm që u jep shpirt ngjyrave dhe dritë syve tanë. Si krijuesi që sheh bukurinë aty ku të tjerët shohin vetëm boshllëk. Uroj që penelatat dhe kanavaca e jetës tuaj, të jetë gjithmonë e mbushur me ngjyrat më të ndritshme, frymëzim të pafund dhe momente që meritojnë të shndërrohen në kryevepra.
Jetëgjatë, plot shëndet, frymëzim të pafund dhe gjithë lumturinë që meriton.
Gëzuar ditëlindjen ndër mote!
Athinë, 26. 11. 2026.
Referenca:
Josif Papagjoni – «Enciklopedia e Teatrit dhe Kinematografisë Shqiptare» Botim (2009).