Menda Vreto: SHQIPËRIA, AMANET I PËRJETËSISË!
28 – 29 Nëntor
O Shqipëri, moj legjendë e shkruar me gjak,
moj tokë ku edhe gurët mbajnë plagë,
ku malet janë kurora të një lavdie të lashtë
e lumenjtë bartin lotët e një historie të gjatë!
Të duan të të copëtojnë në heshtjen e natës,
të të shesin në pazarin e pangopur të lakmisë,
të të zhveshin nga ari, nga nderi, nga shpresa,
por nuk mund të të blejnë shpirtin me monedha tradhtie!
Se ti nuk je tokë që mbahet me themele guri,
por kala e ndërtuar mbi eshtrat e trimërisë;
nuk je thjesht flamur që valëvitet në erë,
je gjaku i mijëra bijve që u shndërrua në liri!
Në gjirin tënd fle një ushtri e tërë dëshmorësh,
në heshtjen e varreve gjëmon zëri i historisë;
çdo pëllëmbë toke është një plagë e shenjtë,
çdo grusht dheu një testament i pavdekësisë!
E ti, moj nënë, sa e bukur dhe sa e brengosur!
Me Alpet si kurorë e detet si pasqyrë,
me bukurinë e një perëndie dhe dhimbjen e një nëne,
që sheh bijtë t’i treten larg në horizonte të huaja.
I shpërndave, o botë, si gjethet vjeshtake,
por rrënjët e tyre mbetën thellë në tokën shqiptare.
Në dhe të huaj kërkojnë bukën, por jo harresën,
mbartin një atdhe në kraharor dhe një oqean në sy.
Çfarë dinë ata për emigrantin,
që ka një çati mbi kokë, por një qiell tjetër në shpirt?
Që jeton mes të huajve, por vdes nga malli për vendlindjen!
Lulëzo, Shqipëri, mbi hirin e dhimbjeve të tua,
ngrihu si feniksi nga zjarret e tradhtisë!
Mos lejo që duart e pangopura të të shkulën rrënjët,
as që errësira të ta përpijë agimin e fëmijëve!
Se atdheu nuk është vetëm një kufi gjeografik,
as një emër i gdhendur në hartën e kësaj bote;
është nëna që na pret, gjuha që na përkund,
është varri i të parëve dhe djepi i së ardhmes!
Dhe nëse një ditë do të mbetesh pa pasuri,
pa njerëz, pa zë, pa dritë në dritaret e tua,
mos harro: për sa kohë një shqiptar të thërret NËNË,
ti nuk je e humbur, ti je e përjetshme!
Gëzuar 28 Nëntorin, Shqipëri!
Qofsh e lirë jo vetëm në flamur, por edhe në shpirt;
jo vetëm në kujtimet e lavdishme, por edhe në të ardhmen!
Se një komb që ka lindur nga sakrifica nuk meriton të jetojë në robërinë e lakmisë!