Fazë e re e bashkëpunimit zvicerano-shqiptar në fushën e pronësisë intelektuale për të nxitur inovacionin dhe përafrimin me BE-në
Një projekt bashkëpunimi dypalësh, me vlerë 1 milion franga zvicerane (CHF), do të synojë ta shndërrojë pronësinë intelektuale (PI) në një motor kyç për inovacionin, rritjen ekonomike dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Tirane, 26 nëntor 2026 – Zvicra dhe Shqipëria sot nisën fazën e dytë të një bashkëpunimi për të forcuar sistemin e pronësisë intelektuale të Shqipërisë, për të mbështetur inovacionin dhe për të çuar përpara axhendën e integrimit evropian të vendit.
I mbajtur në Hotel Plaza në Tiranë, eventi i lançimit mblodhi së bashku përfaqësues të Qeverisë Shqiptare dhe Ambasadës Zvicerane, si dhe biznese, startup-e dhe ekspertë të pronësisë intelektuale. SwissPartnershIP Albania është një program katërvjeçar i financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe i zbatuar nga Instituti Federal Zviceran i Pronësisë Intelektuale (IPI).
Faza e re ndërtohet mbi rezultatet e suksesshme të Projektit të parë Shqiptaro-Zviceran për Pronësinë Intelektuale (ALSIP), i cili ndihmoi Shqipërinë të forcojë kuadrin e saj të pronësisë intelektuale, të mbështesë reformat legjislative, të ndërtojë kapacitete institucionale dhe të rrisë ndërgjegjësimin për të drejtat e pronësisë intelektuale në të gjithë vendin. Arritjet u njohën dhe vlerësuan edhe në raport progresin e fundit të BE-së për Shqipërinë.
Duke hapur eventin, Siri Walt, Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, theksoi rëndësinë e pronësisë intelektuale për zhvillimin ekonomik dhe inovacionin.
“Pronësia intelektuale ka të bëjë me idetë, kreativitetin dhe shndërrimin e talentit në mundësi. Ajo siguron që njerëzit që krijojnë vlerë të mund të përfitojnë nga vlera që krijojnë. Përvoja e vetë Zvicrës tregon se forca e ekonomisë është e lidhur ngushtë me inovacionin. Le të çojë kjo fazë e re bashkëpunimi në një sistem të drejtë të të drejtave të pronësisë që bën të dyja: inkurajon kreativitetin dhe ofron mbrojtje”, tha ajo.
Ky është një investim të rëndësishëm në ekosistemin e inovacionit dhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë. Ai do të përqendrohet në pesë fusha kryesore: forcimin e kuadrit ligjor dhe politik, përmirësimin e administrimit të pronësisë intelektuale, promovimin e të drejtave të pronësisë intelektuale midis përdoruesve, përmirësimin e zbatimit dhe mbështetjen e inovacionit dhe komercializimit.
Një tipar dallues i programit është bashkëpunimi i drejtpërdrejtë midis institucioneve shqiptare dhe ekspertëve zviceranë përmes një partneriteti binjakëzimi midis Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (GDIP) dhe Institutit Federal Zviceran të Pronësisë Intelektuale (IPI). Ky bashkëpunim mundëson transferimin e ekspertizës dhe praktikave më të mira zvicerane, duke nxitur njëkohësisht marrëdhënie të qëndrueshme institucionale.
Ndër prioritetet e tij, projekti do të mbështesë zhvillimin e një kuadri të ardhshëm “Made in Albania” të frymëzuar nga përvoja zvicerane me etiketën “Swiss Made” të njohur ndërkombëtarisht, duke i ndihmuar produktet shqiptare të forcojnë identitetin, standardet e cilësisë dhe konkurrueshmërinë e tyre në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.
Programi do të kontribuojë gjithashtu në përpjekjet e Shqipërisë për t’u përshtatur më tej me standardet e Bashkimit Evropian në pronësinë intelektuale. Raportet e fundit të progresit kanë njohur përparimet e Shqipërisë në të drejtën e autorit, dizajnin industrial dhe treguesit gjeografikë, reforma që janë mbështetur përmes bashkëpunimit zviceran.