Albspirit

Media/News/Publishing

Martesat homoseksuale si burrë e grua, jo si skutha!

Nga Enkel Demi

Nëse merr guximin dhe nuk pajtohesh me ta të thonë konservator, i mykur, inkuizitor, injorant. Më pas nis në rrjet një ushtri anonimësh, trakte poshtë derës së inbox-it dhe së fundmi një dukuri e re, kërcënojnë. Këta të fundit, me thënë të drejtën më bëjnë me qesh. Çfarë po ndodh? Me ndryshimet në Paketën Kushtetutese për reformën në drejtësi është futur një nen për antidiskriminimin, i cili çel gjithë rrugën e kurorëzimit të një marrëdhënie homoseksuale në martesë.

Në fakt, kanë vepruar si skutha për një gjë themelore si institucioni i familjes që në fakt ha jo vetëm debat, por kërkon një aksion politik mirëfilli, i cili duhet të shkojë deri në referendum. Kanë dashur të kalojnë një gjë, e cila ndërron thelbësisht funksionimin e shoqërisë, por pa bërë zë. Dhe me thënë të drejtën diçka kanë arritur. Këtu nis përplasja edhe me ata që hyjnë në polemikë si librari pa inventar.

Ushtria e hakërryesve të Kristit, pasi hodhi në rrjet një spot, tash kërkon nëpërmjet dhunës verbale të imponimit ta hedhë lumin. Sulmi bëhet ndaj atyre që e mendojnë, e besojnë dhe kërkojnë të jetojnë në një shoqëri, ku burri martohet me gruan. Meqë të gjithë dëshirojmë të jetojmë në një shoqëri demokratike, ku vullneti i shumicës është përcaktues, në këtë rast duhet të kërkojmë shumicën.

Ndoshta njerëz si unë që u paska ngecur ora dhe janë ende kaq prapa bote sa e shohin familjen si bërthamën riprodhuese të një shoqërie të shëndetshme, mund të jenë në pakicë. Në këtë rast do pranojmë të jetojmë në një shoqëri ku kryetari i bashkisë marton gra me gra, burra me burra dhe po pati nge ndonjë burrë me grua. Do shkojmë të mbyllemi në kishat e xhamitë tona (nëse nuk kyçen dhe ato nga vullneti i shumicës).

Por, ka gjasë që ne mos të jemi pakicë, por shumicë, madje dërrmuese. Kjo është arsyeja që ndryshimet në Paketën Kushtetuese i kaluan si uji nën rrogozë, e cila me gjithë këtë trysni, rrëmujë që po bëhet për reformën në drejtësi do të ishte një farë e fshehte që zbulohet si puna e vezëve me çokollatë të Pashkëve.

Tani, le të shohim njëri-tjetrin në sy dhe të pranojmë një të vërtetë. E para, ligji kundër diskriminimit në Shqipëri është aprovuar kaherë, ndaj nuk ka përse të shtohet një nen në Paketën Kushtetuese. Ligji në fjalë është brenda të gjitha kornizave të Bashkimit Europian dhe u votua në Kuvend nga një shumicë shembullore, përfshirë këtu deputetët që konsiderohen konservatorë.

E dyta, nëse shtrohet për zgjidhje martesa homoseksuale si nevojë themelore e shoqërisë shqiptare, atëherë mekanizmat brenda së majtës (e jo vetëm) duhet të jenë që të çelet ashiqare debati politik dhe publik për këtë çështje. Pas tij të pyetet populli me referendum dhe fiton Po-ja ose Jo-ja.

Kjo quhet demokraci e drejtpërdrejtë, e cila përdorej në Athinën e lashtë, ku filozofët dashurinë e vërtetë quanin atë me nxënësit, megjithëse martoheshin me gratë për t’u riprodhuar. Edhe në lashtësinë që evokojmë sot me aq zell sikur tregojnë përrallat e Shehrezades, në Apolloni, Dyrrah marrëdhëniet homoseksuale nuk janë fshehur, por martesa nuk kishte, pasi pengesë nuk ishte mentaliteti, por riprodhimi.

Pra, nëse bëhet një debat publik, meqë i kemi zgjidhur të gjitha dertet e këtij vendi, ku qëndron homofobia? Nëse duan martesë ta kërkojnë si burra e si gra, jo si skutha./ 27.al

Please follow and like us: