Kongresi popullor në Kinë
Në Kinë mbahet Kongresi Kombëtar Popullor. Si gjithmonë, propozimet e Partisë Komuniste do të miratohen!
Kryeministri i Kinës Li, në hapje të Kongresit, i cili në praninë e 3000 delegatëve do të zgjatë 11 ditë, ka paraqitur raportin për zhvillimin ekonomik të vendit. Ai tha se zhvillimi ekonomik i vendit do të vazhdojë edhe këtë vit, por me një përqindje më të vogël se tani (6,5%).
Në qendër të vëmendjes është natyrisht buxheti i vitit dhe buxheti ushtarak i Kinës, i cili formalisht duhet të miratohet nga Kongresi Kombëtar Popullor – që është organi më i lartë ligjëvënës në vend. Kina ka buxhetin e dytë më të lartë në botë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ekspertët thonë se buxheti ushtarak për këtë vit do të jetë edhe më i lartë. “Për reformën e forcave të armatosura nevojitet një modernizim i përgjithshëm i infrastrukturës ushtarake dhe kërkohen pajisjet më moderne”, thotë Georg G. Chen, nga instituti Merics në Berlinu. Përveç kësaj, po punohet edhe në zvoglimin e numrit të us
htarëve, në mënyrë që të zvoglohen edhe shpenzimet për veteranët, shton Chen.
Mediat njoftojnë se Kina aktualisht është duke punuar në prodhimin bartëses së parë kineze të avionëve. Bartësen e vetme që ka deri tani (“Liaoning”), Kina e ka blerë në vitin 1998 nga Ukraina. Por kjo bartëse nuk ka pajisjet e duhura elektrike dhe tërë kohën është në riparime të vazhdueshme.
Kina planifikon edhe zgjerimin e bazave ushtarake në ujërat e kontestuara në detin jugor kinez. SHBA e ka kritikuar ashpër ndërtimin e ujëdhesave artificiale. “Çfarë u intereson atyre se çka bëjmë ne në tokën tonë”, thotë Vang Guoching, zëdhënës i Konferencës konsultative, e cila është një lloj organi këshilldhënës i Kongresit Nacional.
Fu Jing, zëdhënëse e Kongresit dhe ish-zëvendësministre e Jashtme, në shkurt në Konferencën e Sigurisë në Mynih ka deklaruar: “Nuk mendoj se Kina dëshiron të imitojë NATO-n dhe të ndajë 2% të prodhimit bruto për qëllime të mbrojtjes. Neve na mjaftojnë 1,5 % sa ndajmë aktualisht”. Sa për krahasim, SHBA shpenzon për sektorin e mbrojtjes 3,6 %, ndërsa Gjermania 1,2 %. Por këtu duhet pasur parasyshë edhe nivelin e rritjes ekonomike, sepse Kina ka shënuar në vitin 2016 një rritje prej 6,7%.
Ligjet e para qytetare
Kongresi do të vendosë edhe për një Ligj Qytetar, i cili duhet të rregullojë çështjet e përditshme juridike. Tri leximet e para kanë përfunduar vitin e kaluar, ndërsa tani projektligji gjendet në duart e Këshillit të Përhershëm të Kongresit.
Ligji është një risi në Kinë. Ligji rregullon çështjet e pronës, të drejtën kontraktuese apo dhe të drejtën e borxheve. “Në kohën e krizës globale ekonomike dhe pasigurisë politike, Kina ka nevojë për një rregullim sistematik të kësaj fushe, në mënyrë që të ndërlidhen zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e intresave të qytetarëve”, thotë Cheng. Disa pjesë të ligjit do të futen në fuqi këtë vit, ndërsa pjesët tjera deri në vitin 2020.